Drejtori i Policisë Lezhë Arben Nasufi, ka dalë në një konferencë për mediat në lidhje me zbardhjen e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, 26 prill, në fshatin Balldren të Lezhës, ku mbetën të vrarë çifti i bashkëshortëve, Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, 39 dhe 32 vjeçe.

Gjatë fjalës së tij kreu i Policisë së Lezhës tha se është bërë i mundur identifikimi i tre autorëve të dyshuar të këzaj ngjarjeje të rëndë. Ata janë Adriano Mhillaj 22 vjec, Florin Mhillaj 36 vjeç dhe Renato Mhillaj 23 vjeç. Të tre janë banues të Lezhës.

“Hetimet kanë vijuar me këqyrjen  dhe administrimin e të gjitha pamjeve filmike mbi intinerarin e lëvizjeve të viktimave dhe autorëve, analizimin e çdo prove materiale dhe si rezultat është identifikuar njëri prej automjeteve të përdorura nga autorët, i markës “Audi A4”.  Në vijim të hetimeve të thelluara dhe profesionale, analizimit të çdo prove që lidhej me ngjarjen, u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar, konkretisht i shtetasve:  A. M., 22 vjeç, F. M., 36 vjeç dhe R. M., 23 vjeç, banues në Lezhë.”

Sipas policisë, shkaku kryesor i atentatit ka qenë për hakmarrje. Ndërkohë që pas identifikimit të tre autorëve janë bërë kontrolle në banesat e tyre, por ende nuk është bërë i mundur arrestimi i tyre. Tre të rinjtë janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.

“Nga veprimet e mëtejshme hetimore dyshohet se vrasja ka ndodhur për arsye hakmarrjeje.  Përsa i përket autorëve, pas identifikimit të tyre, nga ana e strukturave policore janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe ambiente të tjera,  por nuk është bërë e mundur gjetja e tyre. Këta shtetas janë shpallur në kërkim. Operacioni vijon në terren, ku janë përshirë Forcat Speciale “RENEA”, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, me qëllim lokalizmin dhe kapjen e tyre”, shton gjatë fjalës së tij, Arben Nasufi.

Nga dinamika e ngjarjes rezulton se automjeti tip “Audi A4” ka mbajtur në vëzhgim lëvizjen e shtetasit Kreshnik Mujeci. Më pas, një automjet tjetër, tip “Volkswagen”, pa targa, dyshohet se i ka prerë rrugën automjetit me të cilin udhëtonte shtetasi Kreshnik Mujeci, së bashku me bashkëshorten e tij, dhe shtetasit që ishin në automjet kanë qëlluar me breshëri armësh në drejtim të automjetit të tij.

Klan News ka mësuar se Mujeci, së bashku me dy vëllezërit e tij, L.Mujeci dhe J.Mujeci, dyshohen për vrasjen e Gegë Mëhilli, i njohur dhe si Gent Mëhilli, më 6 tetor 2016. Ngjarja ndodhi në rrugën nacionale Shkodër-Velipojë, pranë vendit të njohur si Mali i Jushit.

J.Mujeci, së bashku me vëllezërit e tij, i kishin prerë rrugën kamionit me të cilin Mëhilli transportonte miell. Kur ai braktisi automjetin dhe tentoi të largohej përmes fushave, vëllezërit hapën zjarr ndaj tij duke e lënë të vdekur në vend. Shkak për ngjarjen, ishte bërë një konflikt mes viktimës dhe vëllezërve një ditë më parë.

Gjykata e Shkodrës e kishte shpallur të pafajshëm Kreshnik Mujecin dhe vëllanë e tij, L.M, për akuzën e vrasjes së Genc Mhillaj në vitin 2016, për shkak të mungesës së provave.

Ky vendim është mbajtur pas një periudhe gjyqësore të gjatë, ku më parë Gjykata e Apelit të Shkodrës nuk pranoi ankimin e prokurorisë. Megjithatë, çështja u rikthye për rigjykim nga Gjykata e Lartë më 31 tetor 2024.