Kukësi është skuadra më e mirë shqiptare për vitin 2016. Ky është verdikti i IFFHS-së, Institutit Ndërkombëtar të Historisë dhe Statistikave në Futboll. Kryesuesit e Kategorisë Superiore pozicionohen në vendin e 205-të të renditjes speciale për 400 klubet më të mira në botë, për periudhën nga data 1 Janar deri më 31 Dhjetor 2016. Një ecuri mbresëlënëse ajo e veri-lindorëve, që në vitin 2016 fituan për herë të parë në histori Kupën e Shqipërisë, ndërsa në 61 ndeshje në vitin kalendarik mes kampionatit, Kupës së Shqipërisë dhe kupave të Europës njohu vetëm 7 humbje. Dy prej tyre ishin në turin e dytë kualifikues të Europa League, përballë Austrisë së Vjenës.Në renditjen e Kukësit ndikon pa dyshim fakti që ekipi i Ernest Gjokës është i vetmi që nuk e njeh humbjen në sezonin aktual në 27 javë të luajtura në Kategorinë Superiore. Ecuria rekord e ndeshjeve radhazi pa pësuar humbje në kampionat shkon në 32, duke llogaritur edhe fundin e edicionit të kaluar, me disfatën e fundit që daton më 25 Prill të vitit 2016 përballë Partizanit. Pikërisht të kuqtë janë skuadra tjetër shqiptare e përfshirë në renditjen botërore të klubeve. Kryeqytetasit pozicionohen në vendin e 260-të, duke lënë pas argjentinasit e Banfield, belgët e Zultes, brazilianët e Santa Cruz apo francezët e Lorient, Nantes dhe Stade Rennais.

Përsa i takon kreut të renditjes së klubeve, në vendin e parë ngjiten kolumbianët e Club Atlético Nacional, duke u bërë ekipi i parë jo-europian në këtë pozicion në 26-vjet. Skuadra nga Medelin që është edhe mbajtëse në fuqi e Kupës Libertadores, ndiqet nga gjigandë si Reali i Madridit dhe Barcelona. Ndërkohë, në klasifikimin e 80 ligave më të forta në botë, kampionati shqiptar pozicionohet në vendin e 63-të, ku lë pas Maqedoninë, Moldavinë e Algjerinë, por edhe ligat hungareze dhe australiane. Liga spanjolle është shpallur për të shtatin vit radhazi si më e forta në botë, e ndjekur në mënyrë surprizë nga Kolumbia dhe Franca. Liga Gjermane është vetëm e katërta, ajo Angleze e gjashta, ndërsa Liga Italiane ka zbritur në vendin e 8-të, duke regjistruar pozicionimin më të dobët në 26 vitet e fundit.