DURRES, 25 shkurt 2013 – Gjithnjë largimet nga jeta, përjetohen në mënyrë të dhimbshme. Kjo veçanërisht nga të afërmit, miqtë dhe shokët e atij që mbyll sytë përgjithnjë. Por në rastin e Rapo Durajt, dhimbja shtrin dimensione pasi prek edhe komunitetin sportiv dhe qytetar të Durrësit.

Rapo Duraj lindi me 10 mars 1930 në një fshat të Mallakastrës, për t’u shpërngulur më pas në Durrës. Në sajë të aftësive dhe vlerave që nisën të spikasin me mbarimin e shkollës së mesme, dërgohet në Bashkimin Sovjetik për studime në lëmin e kulturës fizike ushtarake. Për mjaft vite punoi në Marinën Luftarake në Durrës, duke kryer detyrën e inspektorit të sporteve. Por ajo që e lidh ndjeshëm Rapo Durajn me Durrësin dhe durrsakët, është angazhimi i tij në sportin e basketbollit. Pasioni dhe përkushtimi ndaj sportit të koshit, u shoqërua me detyrën e gjyqtarit, ku mbi çdo gjë vendosi korrektesën, ndërgjegjen dhe ndershmërinë cilësi që e shoqëronin edhe në jetën e përditshme.

Në vitet 70-80-të, Rapo Duraj drejtoi shumë takime në basketboll në të gjitha kategoritë e konkurimit. Ajo që miqtë dhe shokët, si dhe sportdashësit durrsakë do t’i mbajnë mënd këtij njeriu, janë buzëqeshja e tij gjithnjë kur e takoje, dashuria dhe respekti i madh që kishte ndaj cilitdo pavarësisht nga mosha, përkushtimi i skajshëm në detyrë dhe plotësimi me sukses dhe me nder i çdo detyre të angazhimi.

Pas largimit nga arbitrimi, Rapo Duraj dha një ndihmesë të jashtëzakonshme në evidentimin në rang kombëtar të vlerave të kolegjiumit të gjyqtarëve të basketbollit në Durrës, nga gjiri i së cilës kanë dalë arbitra të tillë si Gjon Luli, Din Cara, Agim Taraku, Shpëtim Averiku, Lumir Gjata etj. Puna e Rapo Durajt preku edhe moshat e vogla, ku për disa vite ai ishte trajner i tyre. Këmbëngulës dhe i bindur në arritjet, i përkushtuar deri në konkurim të karakterit të tij të papërkulur, bashkëveprues dhe mirëkuptues me të gjithë bashkëpunëtorët, për Rapo Durajn mbetën cilësi gjithnjë të merituara.

Edhe kur qendroi për më shumë se dy dekada në emigracion, në zonën e Veriut të Italisë, shqiptari Rapo Duraj shpalosi të njëjtat cilësi, duke ushtruar basketbollin në pozicionin e trajnerit edhe me fëmijët italianë. Sëmundja e papritur që ndikoi edhe në largimin e tij nga jeta me 19 shkurt 2013, nuk lëkund kujtimin dhe mbresat e pashlyera dhe të paharruara për Rapo Durajn, këtij njeriu të ëmbël dhe fisnik.

Sa herë që jemi prezent në pallatin e sportit, sa herë që lëvizim rrugëve të Durrësit, veç të tjerave gjithnjë do të kujtojmë një njeri që na përshëndeste me shumë kulturë dhe edukatë, që na fliste për sportet, njerëzit dhe veçanërisht basketbollin e tij të preferuar. Dhe ky ishte njeriu i mirë, fisniku ynë Rapo Duraj.