Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur shembjen e ndërtimeve pa leje edhe në qytetin e Durrësit.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, nëpërmjet një postimi në “Facebook”, thotë se fillimisht janë shembur 4 objekte në Kepin e Rodonit.

Çuçi shprehet se kur është fjala te ndërtimet pa leje dhe dëmtimi i mjedisit, niveli i kontrolli të territorit do të jetë më i ashpër, duke përdorur teknologjinë më të fundit, si dhe nuk do të tolerohet askush që guxon të zaptojë çdo metër katror tokë kudo qoftë.

“#BregdetiYnë – IKMT ka nisur shembjen e ndërtimeve pa leje edhe në Durrës. 4 objektet e para u shembën në Kepin e Rodonit. Ky operacion do të zhvendoset më tej pëgjatë gjithë vijës bregdetare të vendit. Në këto dy javë të para kemi shembur dhjetra objekte pa leje edhe në Ksamil, Shëngjin e Velipojë. Krahas ashpërsimit të Kodit Penal kur është fjala te ndërtimet pa leje dhe dëmtimi i mjedisit, ne do ta ngremë një një tjetër nivel kontrollin e territorit duke përdorur teknologjinë më të fundit e jo vetëm, si dhe nuk do të tolerojnë askënd që guxon të zaptojë çdo metër katror tokë kudo qoftë, në bregdet jo e jo, por as në zonat e mbrojtura apo gjetkë”, shprehet ministri Çuçi.

Veç shembjes së dhjetra objekteve IKMT ka vendosur deri më tani 67 milionë lekë të reja gjoba për 44 subjekte.

Pritet që këto shifra të rriten teksa operacioni do të shtrihet edhe në zona të tjera të bregdetit. Më pas pastrimi i territorit do të vijojë në zonat e mbrojtura dhe përgjatë akseve kombëtare.