Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë dhe strukturat e Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë Vlorë ndërhynë sot në Karaburun për të përfunduar prishjen një objekti pa leje tip “beach bar”.

Gjatë kontrollit të kryer nga IKMT u konstatua se subjekti O.Sherifaj kishte ndërtuar ngritje strukturash të përkohshme, pedana dhe pasazhe me strukturë druri të realizuara mbi trarë mbajtës të vendosur në formacione shkëmbore.

Ndërhyrja rezultoi të ishte kryer pa dokumentacionin e përcaktuar në ligj, në zonë të mbrojtur dhe në vijë bregdetare me sipërfaqe totale 950.18 m2.

Për rastin, IKMT vijoi me marrjen e masës administrative gjobë dhe vendimin për prishjen e objektit të kundërligjshëm.

Pasi ju komunikua vendimi, pak muaj më parë, subjekti filloi çmontimin dhe u dakordësua për një afat prishjeje vullnetare. Ndërkaq,  konsumoi edhe procedurën e ankimit pranë Inspektoratit të Përgjithshëm i cili la në fuqi masat e marra nga IKMT-ja.

IKMT u rikthye sot në terren për të kryer prishjen e plotë të objektit.

Për shkak të vështirësisë së terrenit, aksesit vetëm nga krahu i detit dhe pamundësisë së hyrjes me eskavator, IKMT bashkërëndoi punën me Inspektoratin Ndërtimor të Bashkisë Vlorë për kryerjen e çmontimit të strukturave.

IKMT gjen rastin të falendërojë Bashkinë e Vlorës dhe strukturat e Policisë së Shtetit për bashkëpunimin.