BUJAR QESJA

Në një nga ditët e fundit të janarit, Ilia Xhako mblodhi në një sebep miq, shokë, familjarë dhe të afërm. 70 vite në jetën e njeriut nuk janë pak, për të bërë një bilanc, apo për ta parë jetën në ato që dha e mori në këtë vargmal muajsh. Kam parë njerëz me thinja duke lotuar, duke rënë viktimë e plotë e emocioneve dhe befasisë që ofroi ky eveniment i një basketbollisti të njohur veteran. Për të mos rënë pre i një thjeshtëzimi kronologjik të festimit të kësaj ngjarje, gjykoj ta trajtoj këtë në disa këndvështrime.
I pari
Elvisi një nga dy djemtë e Ilias, teksa rrëmonte një ditë në disa “vjetërsira” të shtëpisë, i tërhoqën vëmëndjen disa foto dhe letra të trasha si format. Menjëherë pyeti të atin: çfarë janë këto babi?! Krejt papritur, tregon Ilia, mu desh të ulesha me djalin për ti rrëfyer ato që nuk kisha patur rast t’ia thonja ndonjëherë. Dhe Ilia Xhako i tregoi të birit, që kishte luajtur basketboll me ekipin e Lokomotivës së Durrësit. Talenti dhe pasioni, detyruan specialistët me mjekërr të basketbollit durrsak Bashkim Taga dhe Dhimitraq Goga, ti “shtrinin” dorën dhe për ta ftuar në ekipin e të rinjve. Dhe Xhako e pronësoi topin e rëndë të koshit, kur ishte vetëm 13 vjeç. Ishte viti 1959, kur harlemat e Shqipërisë, siç e quajtën brezin e artë të djemve durrsakë të koshit (kampionë absolut kombëtar 1958-1968), filluan të shkruajnë faqen e parë të lavdisë së tyre. Dhe Xhako ishte aty prezent, duke qëndruar deri në dhjetor të 65-sës. Pastaj i tregoi të birit, që babai i tyre e zhvilloi karrierën në Tiranë, me ekipin e famshëm të Partizanit, duke fituar tituj kampionë, kupa Republike e trofe të tjerë. Durrsaku Ilia Xhako e pasuroi biografinë e tij sportive, duke luajtur krahas kolosit të basketbollist shqiptar Agim Fagu, Pëllumbit, Boshnjakut, Mojës dhe Bekteshit etj. Dhe rikthehet në Durrës për tiu bërë krah emrave legjendë të topkoshit durrsak si Niko Profkola, Lad Agaraj, Luigj Kalebota dhe me Xhoxh Nushin, Gjon Lulin, Spartak Jahon etj. Lojtar i ekipit kombëtar në vitet 1965, 1967, 1968 me të rinj e të rritur, duke luajtur me përfaqësuesen e Kubës, të Kinës dhe të ekipeve kosovare. Por basketbolli mbeti oksigjeni i Ilia Xhakos. Nga lojtar në trajner, duke “prodhuar” nga profesionalizmi i tij basketbollistë titullarë të Lokomotivës si Spiro Hotova, Orion Garo, Alqi Dhroso etj. Dhe si trajner i moshave arrin kulmin, kur në vitin 1996 në Spanjë në një turne eurobasketi, e vendos Teutën në vendin e tretë. Dhe më pas Ilia Xhako i thotë të birit “Në këto letra format janë shkruar: titulli mjeshtër Sporti, diploma e akademisë së lartë të edukimit fizik dhe sportiv, Mirnjohja e Federatës Shqiptare të Basketbollit dhe e qytetit të Durrësit. Dhe mësimi i parë i këtij portreti është ky: “Po ta lë si amanet biri im, ti ruash këto relike si pjesë e mirë e jetës së babait tënd, por edhe e traditës sportive dhe kontributore të familjes Xhako për basketbollin e Durrësit”.
I dyti
Jo pa qëllim, Ilia Xhako thërriti inventarin  e jetës së tij miqësore dhe shoqërore, në lokalin me emrin Holiday, që në anglisht do të thotë festë. 70-të vjetori i tij, takonte miqtë e vjetër të sportit. Eh ç’u bë aty!? Agim Fagu, Vaso Shaka, Ilir Trebicka, Agim Janku, Astrit Hutka, Dodan Përmeti, Arben Fagu, vlonjati Edmond Luzi që errdhi enkas nga Bari në Durrës atë ditë, u takuam me durrsakët Gjon Luli, Jorgji Nushi, Mitrush Çumashi, Vladimir Agaraj, Sabri Rustemi, Zhani Noti, Ad Veliu, por edhe promotori i tanishëm i basketbollit durrsak Igli Goga, por edhe futbollistët e “lashtë” miq të Ilias, si Lad Ajazi, Naim Dollaku, Agim Çela, Mir Hima, Ed Zalla etj. u takuam me lot në sy njëri me tjetrin. Pra në këtë përvjetor Ilia Xhako, takoi “gardën” e vjetër të sportistëve. Kujtime, mall, shoqëri e pastër dhe e paharrueshme. Agim Fagu njofton edhe për një përshëndetje të arbitrit historik të basketbollit Virgjil Karaja, që kujton çaste të bukura dhe jetësore të kohës kur luanin. Vërtet kundërshtarë, por mbi të gjithë miq dhe shokë të respektuar. Fagu në kuptimin figurativ, basketbollin e të rinjve durrsakë, e konsideroi si lokomotivë, ku të tjerët mbeteshin vagona të saj. Për brezin e tanishëm të basketbollit, ky lloj takimi, në formën e këtij përvjetori jep mesazhin e bashkëpunimit, mirëkuptimit, e njohjes dhe prekjes së miqësive të vjetra, që aq bukur kanalizoheshin në të mirë të progresit të basketbollit shqiptar. Edhe ky është tregues i ecurisë, ku një moral i lartë dhe respekt për rivalin, përkthehej në më shumë arritje, në më shumë cilësi dhe nivel.
I treti                
Të ftuar të Ilias tek Holiday atë ditë, ishin edhe miq por që kanë qenë gjithnjë në rolin e shikuesit, të sportëdashësit. Për Vasil Cicin, Kostandin Gajdën (drejtues i hershëm i sportit durrsak), Dhimitër Lulo, Gëzim Metalia, Ilir e Kujtim Gjuzi, vëllezërit Kokomani, novatorin e njohur Petraq Kazanxhi, Tan Ceka, etj. prezenca e këtyre mjeshtrave të mëdhenj të koshit durrsak dhe atij shqiptarë, u trajtua si një eveniment jetësor. Nuk mungonin falënderimet për Ilia Xhakon, që në një ditë ndonëse të ftohtë janari, arriti të krijonte këto temperatura të larta të miqësisë, të nostalgjisë, të kënaqësisë jo vetëm të mjedisit të ngrohtë, por edhe komunikimit njerëzor. 
-Nuk mund ta besoja, flet shumë i mallëngjyer 82 vjeçari Petraq Kazanxhiu, se do të takoja dhe të ulesha ja kështu si sot me të madhin Agim Fagu dhe aq më shumë të bëja edhe një foto si kujtim. Po kështu të flet i copëtuar nga emocionet dhe mbresat edhe mësuesi veteran Gëzim Metalia. Çfarë emrash! Agim Fagu, Vaso Shaka, Ilir Trebicka. Por edhe Niko Profkola, Vladimir Agaraj. Trajnerët e tyre të famshëm Bashkim Taga, Dhimitraq Goga, Astrit Greva, Qemal Shalsi, Njazi Lleshi etj. Histori, ngjarje, data. U kujtuan të gjithë. Nderi më i madh krahas kësaj, tregon Ilia Xhako, është aktivizimi i nipërve të mi, duke fotografuar këto pamje kaq të veçanta. Janë 70 vite jetë dhe secili vit është një gur kilometrik në maratonën e jetës. Ato janë të rinj dhe rriten me këtë frymë të miqësisë dhe shoqërisë së vërtetë. Dhe Ilia kujton edhe faktin tjetër njërëzor, kur i biri Elvisi i hidhet në krah dhe i pëshpërit në vesh:
– Më fal babi, duke kujtuar ditën që hapi sirtarin e një tavoline e pa tërë ato fotografi e vlerësime që nuk ia dinte vlerën. Ti paske miq dhe shokë shumë të mirë. Ti paske qenë vërtet një basketbollist i zoti! Unë këtë nuk e dija.
Bukur, shumë bukur kur Edmond Zalla në emër të Bashkisë dhe Kreshnik Leka me tagrin e klubit shumësportesh Teuta, dhanë vlerësime për Ilia Xhakon. Bashkia e Durrësit, në emër të kryetarit të saj Vangjush Dako i jep titullin Nderi i Qytetit të Durrësit dhe klubi Mirnjohje.
Jetë të gjatë Ilia Xhako! Gjithnjë pranë familjes, miqve dhe shokëve.