Imunologu amerikan Anthony Fauci, tha në një intervistë me MSNBC, se varianti Delta i koronavirusit mund të infektojë edhe personat që janë vaksinuar dhe këta të fundit mund ta transmetojnë virusin te të tjerët”.

Fauci u pyet për udhëzimet e reja të Qendrës Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve e cila, dy ditë më parë, rivendosi detyrimin për të mbajtur një maskë në ambiente të mbyllura edhe për njerëzit e vaksinuar.

“Asnjë vaksinë nuk është 100% efektive, sepse virusi ka ndryshuar”, shpjegon shkencëtari amerikan, duke përsëritur se “varianti Delta ka ndryshuar plotësisht skenarin”.

“Të dhënat e mutacionit që kemi në dispozicion sot tregojnë se niveli i infeksionit në mukozat te një person i vaksinuar është i njëjtë me atë te një person i pavaksinuar”, vazhdon Fauci, duke shtuar megjithatë se tek ata që vaksinohen, është më i ulët rreziku që sëmundja të shfaqet në formë të rëndë. “Eshtë jashtëzakonisht e rrallë që një person i vaksinuar, edhe nëse është i infektuar, të përfundojë në spital”, u shpreh ai.

“Është e nevojshme që shumica e njerëzve në këtë vend të vaksinohen. Ka 100 milion njerëz në Shtetet e Bashkuara që ende nuk janë vaksinuar. Varianti Delta është këtu. Nëse arrijmë në 85-90% të popullsisë së vaksinuar, varianti Delta nuk do të kishte shumë vend për të shkuar dhe përfundimisht do të zhdukej,” shpjegoi përsëri Fauci në një intervistë tjetër me të njëjtin rrjet.

“Njerëzit nuk e kuptojnë një gjë: për sa kohë që ka qarkullim të lartë të virusit midis njerëzve të pavaksinuar, ne i japim virusit mundësinë të ndryshojë edhe më shumë dhe të rrezikojmë një variant më të keq se Delta, një variant që as të vaksinuarit nuk mund ta përballojnë”, tha ai.