*Memorie
-2 shkurti 1957 lindja e idhullit të topit të koshit në vitet 70-80-të
-2 dhjetor 1997 vdekja tragjike e Hotovës
– Në moshën 11-vjeçare ndahet nga jeta vajza e vetme Lorena
-Drama e kësaj familje thellohet me vdekjen edhe të gruas Meritës
-Kristiani i traumatizuar i vetmi i familjes Hotova
-Kujtimi i Spiro Hotovës detyrë qytetare
Nga BUJAR QESJA
Fletët e kalendarit fluturojnë dhe largohen, sikur të ishin gjethet e zverdhura të vjeshtës. Çdo ditë sjell një ngjarje të veçantë, që lidhet me histori të qytetit, individit, të familjes dhe të afërmëve, të miqve dhe shokëve. Por në mes dhimbjesh, marr lapsin për të shkruar rradhë për një djalë të shkëlqyer të Durrësit, i dhënë që në vegjëli pas topit tërheqës të basketbollit. Lindur në zonën e pusit të famshëm të Topanasë, përfshirë në lagjen e njohur sportive të Sefer Efendiut, por transferuar më pas në zonën e parkut sportiv Nako Spiru, pikërisht në zonën, ku mbetet historikisht vullkani i basketbollit spikatës të Durrësit. Dhe ky djalosh që pa jetën me 2 shkurt të vitit 1957, me prindër durrsakë të njohur e të fisëm Asti dhe Ollga Hotova, ishte Spiro ynë i mirë, i ëmbël dhe shumë i mbarë.
Një karrierë brilante
Spiro Hotova, veshi fanelen e Teutës 18 vjeçar. Shtatlartësia, shpejtësia, thithja dhe manovrimi me topin, përpjekjet aktive në tabelë dhe sidomos preçizioni dhe saktësia e lartë në gjuajtje, detyroi trajnerin Niko Hercek, të famshmin e topkoshit durrsak, ta përfshijë Spiro Hotovën në pesëshen kryesore. Spiro pati edhe një shans tjetër, që mbrujti talentin dhe e shtyu më tutje, duke u përfshirë në një ekip më basketbollistë më mjekërr dhe virtuozë të topit si Niko Profkola, Nysret Reka, Vladimir Agaraj, Qemal Kërtushën, Pavël Jorgonin etj.
Ja se si shprehet për Spiro Hotovën, mitiku i basketbollit Niko Hercek:
-Hotova dominoi në basketbollin durrsak, në periudhën 1978-88. Zotëronte të gjitha cilësitë që nevojiten, për një basketbollist klasi. Kishte gjatësinë gati 2 metra, saktësinë në gjuajtje, luftën sportive në të dyja tabelat. Ai ishte i veshur me stofin e një talenti të rrallë. Nuk hezitoj të shprehem, nëse Spiro Hotova do të kishte përkrahje më të madhe, basketbolli shqiptar do të fitonte një lojtar të një karriere të veçantë.”
Hotova ynë, luajti përkrah emrave të tjerë të njohur të brezit të tij si Noti, Gashi, Belba, Veliu, Hyseni, Çumashi, Ballanca, Veshi, duke ndikuar në vazhdimin dhe mbajtjen gjallë të traditës së këtij sporti të preferuar për durrsakët. Akoma më aktiv është në mendimet e tij, basketbollisti spikatës Besnik Çela. Ai i jep të gjitha avantazhet Spiros, si një nga kapitujt e artë të basketbollit në vendlindjen e tij.
Shokët linin kokën për të
Një brez i artë edhe i qytetarisë durrsake, ky i Spiro Hotovës. Vëllezërit Ngresi, Sotiri dhe Iliri, Besnik Lizi, Mond Hysi, Goni dhe Yll Islamaj, e mjaft të tjerë, flasin për Spiron si më të mirin shok të tyre. Sa i shkathët dhe energjik në lojë, aq i qetë jashtë fushës. Nënë Ollga, nuk kishte vetëm Spiron fëmi, por të gjithë shokët e tij. Mblidheshin pasdite në shtëpinë e saj dhe ajo i qeraste me çfarë të kishte. Humor, biseda të këndshme, luanin lojra të ndryshme dhe më pas dilnin të gjithë grup duke shëtitur rrugëve të drejtë të Durrësit. Fundi i viteve 80-të. Kishte filluar të ndjehej era e ndryshimeve. Spiro sapo i kishte kaluar të 30-tat dhe basketbolli ende vazhdonte, të ishte pjesë kryesore e jetës së tij. Nënë Ollgës dhe motrat e dashura Belinës dhe Dianës, ia çfaqte shqetësimin se si do të vazhdonte më tej jeta e tij. Dashuronte një vajzë simpatike, violinisten Merita. Thuhet që arti dhe sporti janë binjakë, pasi kanë natyra dhe emocione të njëjta. Ishte tërë shend e verë, kur me 23 qershor 1984, martoi të motrën Belinën, me një burrë zotni, një ekonomist me emër – Arqilenë.
Italia dhe fundi tragjik dhe shumë i dhimbshëm i familjes Hotova
Eksodi i jashtëzakonshëm i vitit 1991, e gjeti Spiro Hotovën në kulmin e jetës aktive – 34 vjeçar. E kishte ndarë mëndjen, për të jetuar së bashku me Meritën, në fqinjën e vjetër Italinë. Lajme të mira vinin për jetën e tij dhe të gjithë shokët e rinisë dhe ato të sportit, gëzoheshin që idhulli i tyre shpirtëror i basketbollit të viteve 70-të -80-të Spiro Hotova, po gjente kënaqësinë aq shumë të dëshëruar në Itali. E cili e dinte, që kjo tokë e favorshme për familjen dhe ekonominë e tij, krej papritur do të kthehej në një ferr të vërtetë. Në vitin 1991 familja Hotova u shtua me një djalë, Kristianin dhe pas katër vitesh me një vajzë Lorenën. Lumturia ishte çelur tek ta, ashtu sikundër natyrës i bie një nur i praruar në pranverë, ku moti zgjohet e vesh “kostumin” e bukurisë së stinës.
2 dhjetor 1997! Spiro Hotova në këtë ditë ishte, 40 vjeç e 10 muaj. Po shkonte si zakonisht në punë me makinën e tij, të blerë me kursimet e punës. Mëngjes. Krejt papritur çfaqet një mjet gjigand, i një shtetasi italian që zuri dhe vetë diellin. Si një çast ogurzi, ky korb i zi ndjellakeq, teksa ecte me shpejtësinë e djallit në korsi të kundërt, krijon momentin fatal, që e detyroi nënë Ollgën, 91 vjeçare dhe motrën Belinën, të mos kenë më lot, pasi ky moment zbehu jetën e të gjithëve. Makina e vogël e Spiros, si një zog që dridhej në të ftohtë, thithet plotësisht nga gjigandi i vdekjes. Lajmi u përhap me shpejtësi dhe preku thellë zemrat e durrsakëve. Mbreti i tyre i koshit, që nga mëngjesi i 2 dhjetorit 1997 nuk jeton. Në një varrezë memoriali, ku arka mortore është futur në mur, shkruhet:
Spiro Hotova, 2 shkurt 1957 – 2 dhjetor 1997. Hajde gjej forcë të përshkruash një dramë të tillë. Poshtë saj një dedikim i familjes: “Pranë nesh gjithmonë Spiro”.
Por këtu nuk do të ishte fundi i së keqes. Ç’është gjithë mallkim! Si retë e zeza të një kohe që kurrë nuk do shihte diell, shkarkojnë me përmasat e tragjedisë në familjen e Spiro Hotovës. Në vitin 2006, pas një sëmundje, në moshën 11 vjeçare, jep shpirt në krahët e mëmës Meritë, Lorena, “ylli i nënës”. Hajde po deshe gjej forcë ngushëlluese. Dhe plot pas një viti, “strehohet” në varreza dhe murroset edhe Merita, shtylla e shtëpisë pas Spiros. Dhe tash i vetëm Kristiani 28 vjeçar, natyrisht në një traumë të plotë.
Kujtimet dhe memoria nuk murrosen kurrë
Igli Goga, ky njeri ndjellamirë për basketbollin dhe qytetarinë durrsake, në vitin 2015 organizoi një veprimtari të shkëlqyer, në nder të figurës spiktaëse të basketbollistit Spiro Hotova. Ardhja enkas nga Italia e të shquarit të basketbollit Pjerin Bushati, duke lënë drejtimin e ekipit të minibasketit Collefero Roma e inkuadruar në akademinë “Stella Azura” të kryeqytetit italian, shërbeu si një ogur i mirë për rigjallërimin e basketbollit në Durrës. Igli Goga i dha një suport të jashtëzakonshëm, punës në rizgjim të basketbollit durrsak nëpërmjet akademisë tashmë të afirmuar Goga Basket. U “çel” nënë Ollga, motër Belina, e të gjithë ne të tjerët.
2 shkurt 2019. Nëse Spiro Hotova do të jetonte, do të ishte plot 62 vjeç. Dhe mesazhet për të, për shendet dhe jetëgjatësi nuk do të pushonin. Veçanërisht nga Durrësi i tij, vendlindja e tij e shenjtë, që aq shumë e do dhe e nderon djalin e tij, por që edhe Spiro betohej dhe përbetohej për të.
Ky talent i basketbollit durrsak, sigurisht pret edhe sot urime. I pret në përjetësinë e tij, në atë që Zoti e bekoi me urtësinë dhe madhështinë e një njeri të thjeshtë, por të domosdoshëm në shoqërinë shqiptare.
I veçova këto rradhë për të, pikërisht sot në ditëlindjen e tij, si një terapi për të zbutur disi shpirtërat e trazuara të nënë Ollgës, të motrave Belinës dhe Dianës, por veçanërisht të djalit, të Kristianit, të të gjithëve ne.
Jetë të gjatë Spiro Hotova, në kujtesën dhe memorien tonë!
Bujar Qesja
Mjeshtër i Madh
Durrës, më 2 shkurt 2019





