Para një muaji ndërroi jete i fundmi i "dinastisë" së mirënjohur durrsake Çinari, Muhamedi. I lindur në Durrës, me prindër Dautin dhe Alemen, Medi u rrit në një familje tradicionale shqiptare, e ardhur në qytet nga Ulqini në fillim të shekullit të kaluar, ku virtytet më të mira njerëzore edukoheshin bashkë me dhënien e ushqimit te përditshëm. Në këtë mjedis te shëndetshëm qytetar u rritën të pesë djemtë e familjes Çinari, të respektuar dhe të përmendur të gjithë vetëm për mirë: Hysniu, Idrizi, Aliu, Qemali dhe, më i vogli prej tyre, Muhamedi.,,,

Muhamedi u lind ne vitin 1939 dhe përfundoi ciklin e arsimit parauniversitar me rezultate shumë të mira në gjimnazin shtetëror "16 Shtatori" të qytetit. Më pas studioi dhe u diplomua ne degën e Gjuhë-Letërsisë Shqipe të Institutit Pedagogjik të Shkodrës, në vitin 1959. Në vjeshtën e atij viti, Muhamedi nisi detyrën e nderuar te mësuesit në fshatin Romanat. Që ditët e para te karrierës pedagogjike ranë në sy aftësitë e tij për të kryer më së miri detyrat mësimore, ashtu si edhe për ndërtimin e marrëdhënieve te ndërsjella miqësore me familjet e nxënësve të tij. Shumë shpejt, me emërimin si drejtor i shkollës,  Muhamedi u bë një figurë e dashur për kolegët dhe banorët e zonës. Thjeshtësia e tij dhe mënyra e drejtpërdrejtë e komunikimit me këdo ishin tipare të karakterit të mësuesit dhe drejtuesit të ri që binin në sy menjëherë përgjatë gjithë rrugëtimit të tij si edukator.

Pas disa vitesh në Romanat dhe një periudhe 2-vjeçare si mësues i Gjuhë-Letërsisë në shkollën e mesme (jetëshkurtër) Pedagogjike të Plepave, në Durrës, në vitin 1965 Muhamedi emërohet drejtor i shkollës 8-vjeçare të Gërmejit (Lekaj) në Malësinë e Kavajës. Drejtorin e ri të shkollës të një prej zonave më të thella të rrethit e prisnin sfida te reja. Terreni i vështirë, me shtëpitë e nxënësve të shpërndara larg njëra-tjetrës në shpatet e kodrave te larta, nuk e penguan atë dhe mësuesit e tij që të njihnin dhe të ndihmonin nga afër për mirëedukimin e nxënësve të tyre edhe jashtë mureve të shkollës. Kështu vit pas viti, për një periudhë 6-vjeçare, shkolla e Gërmejit, nën drejtimin e Muhamed Çinarit, u shndërrua në një nga shkollat më të mira të rrethit te Durrësit për bazën e pasur materiale dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor-edukativ.

Me këtë përvoje "mbi supe", në vitin 1971, Muhamedi fillon detyrën e re të drejtor-inspektorit të zonës së Rrashbullit që përmblidhte 5 shkollat 8-vjeçare të kunorës së kodrave Shënavlash-Arapaj-Shkallnuer që rrethojnë qytetin e Durrësit. Përsëri puna e tij shquhet për disiplinën pedagogjike në këto shkolla dhe rezultatet në rritje të nxënësve të tyre. Është periudha kur si rezultat i punës së përkushtuar të tij dhe të mësuesve te zonës, nis dhe rritet nga viti ne vit numri i nxënësve që, me të mbaruar shkollën 8-vjeçare, regjistrohen dhe ndjekin shkollat e mesme te qytetit të Durrësit.

Viti 1975 e gjen Muhamedin mësues në shkollën e mesme "Naim Frashëri" të Durrësit dhe në vazhdim, me fillimin e vitit te ri shkollor 1981-82, të emëruar si punonjës i Kabinetit Pedagogjik të rrethit. Kudo ai sjell energji dhe optimizëm, por sidomos përvojën e mire te punës në shkollat e fshatrave ku kishte punuar. Për herë të parë, falë angazhimit të plotë të metodistit Muhamed Cinari, institucioni i kualifikimit të mësuesve dhe drejtorëve të rrethit e përqendroi punën e tij në fshat, aty ku është edhe numri më i madh i shkollave, nxënësve dhe mësuesve të rrethit. Gjatë kësaj periudhe shumicën e ditëve të javës ai e kalon në shkollat e largëta dhe me probleme të rrethit, ku edhe nevoja për ndihmë të specializuar në organizimin dhe drejtimin efikas të tyre ishte më e madhe.

Aftësitë organizative të Muhamedit shkëlqyen edhe në aksionin kombëtar te njëjtësimit dhe grumbullimit të fjalëve e shprehjeve të rralla popullore, të drejtuar nga Akademia e Shkencave gjatë viteve 80-të të shekullit të kaluar. Në sajë te punës së tij të kualifikuar dhe bërthamës së mësuesve më të mirë të gjuhës shqipe të rrethit që ai drejtonte, Instituti i Gjuhësisë pranë Akademisë së Shkencave  dhe vetë drejtori i tij, Akademik Androkli Kostallari, ndoqën nga afër dhe vlerësuan lart për rezultatet e arritura seminaret dhe sesionet shkencore përgjithësuese të grup-shkollave në të gjitha zonat e rrethit të Durrësit nga Ishmi e Manza deri në Kryevidh e Rrogozhinë. Kjo punë e palodhur dhe e papaguar e dhjetëra mësuesve aktiv dhe në pension të gjuhës shqipe të rrethit tonë kontribuoi drejtpërdrejt në pasurimin e veprës madhore shkencore të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Fjalorit të Shqipes së Sotme, të botuar më 1984-n.

Për punën e tij shembullore Muhamed Çinari është nderuar me medaljen dhe urdhrin "Naim Frashëri", si edhe me certifikatën e lëshuar nga Akademia e Shkencave për ndihmesën profesionale në organizimin dhe drejtimin e aksionit shkencor kombëtar për hulumtimin e fjalës dhe shprehjeve të rralla të gjuhës shqipe.

Përtej jetës profesionale, Muhamedi do të kujtohet përgjithmonë si një shok e mik i pazëvendësueshëm. Ai i ruajti dhe i kultivoi me ndershmëri, absolutisht pa asnjë interes në mes, lidhjet miqësore të krijuara që në rininë e hershme e deri vonë në shkollat dhe mjediset ku punoi. Ishte një shok i mirë për të gjithë. Pasditeve, oborri i shtëpisë së Zanës dhe Medit mbushej plot me miq e shokë. Dhe për çdonjërin do të shërbehej rakia e pjergullës së oborrit dhe kafja e mikpritjes që, edhe në ditët e krizës së tollonave, kurrë nuk mungoi në tavolinën e vendosur në verandën e shtëpise së tyre. Mblidheshin aty Ahmeti, Selamiu, Halimi, Reshati, Tahiri, Xhemali, Dini, Ylberi, etj. Dukej sikur një force tërheqese i nxiste të gjithë të kryqëzonin rrugët e tyre me shtëpinë me oborr, të strukur në fund te rrugicës, mbas mureve të larta të Fabrikës se Cigareve. Shpesh vinin edhe nga fshatrat dhe shkollat ku ai kishte punuar. Për një këshillë lidhur me shkollimin e fëmijëve apo "ashtu kot, sa për të përshëndetur me që erdha në qytet për një punë." E vërteta është se, edhe pse punoi gjithë ato vite në qytet, Medin më shumë e njihnin në fshatrat ku kishte qenë vitet e para. Prandaj, nuk linte rast pa u shprehur me shumë kënaqësi dhe jo pa krenari, se "gjithmonë jam ndjerë një mësues katundi".

Në vitin 1971 Muhamedi lidhi jetën me mësuesen e shkollës së Gërmejit Zana Vreto. Ishte një dashuri e pastër, e lindur dhe e rritur në mjedisin e punës së përbashkët në shkollën që ai drejtonte ato vite. Mësuesit e shkollës, si edhe të shkollave për rreth, tregonin me dashamirësi, vite me vonë, se dashuria e tyre u vulos një ditë vjeshte. Atë ditë përroi i fshatit ishte rrëmbyer së tepërmi nga shirat dhe me vështirësi e rrezik mund të kalohej. Ishte dita e parë e javës. Mësuesit ktheheshin nga qyteti. Ndërsa të gjithë përveshën pantallonat dhe hynë në ujë, Zana, e vetmja mësuese e shkollës, hezitonte e trembur nga valët e egërsuara të përroit. Nuk zgjati shumë dhe drejtor Medi e mori hopa mbi shpinë mësuesen e shkollës se tij, qe e prisnin nxënësit ne klasë, duke e nxjerre në anën tjetër. Ata qe e tregojnë ngjarjen thonë se, nga ajo ditë, zemrat e të dyve nisën të rrihnin më fort për njëri tjetrin. Jeta provoi se Zana u bë gruaja ideale e tij. Bashkë rritën dhe edukuan dy fëmijë të mrekullueshëm, Ledin dhe Daninin. Bashkë kaluan plot vështirësi të jetës, por edhe iu gëzuan asaj dhe arritjeve të fëmijëve të tyre. Ashtu siç edhe u lumturuan nga mbesat dhe nipërit që ata sollën në jetë.

Zana, bashkë me fëmijët, i qëndruan mbi krye Muhamedit dhe u kujdesën për t' ia lehtësuar sëmundjen e vështirë deri në çastet e fundit. Mjekët dhe specialistët e Spitalit Rajonal te Durrësit, që i shërbyen me përkushtim, bënë më të mirën që mundeshin për ta mbajtur në jetë dhe, megjithatë, sëmundja e pashërueshme bëri të vetën …

Muhamedi do t'u mungojë dhe do të  kujtohet me respekt e dashuri prej të gjithëve, shokëve, miqve, kolegëve te arsimit, prindërve dhe ish nxënësve te panumërt. Veçanërisht prej të afërmve dhe farefisit, prej familjes, shoqes së tij të jetës, Zanës dhe fëmijëve, Ledit dhe Daninit, ashtu si edhe mbesave e nipërve të tij të dashur.

Nga Kujtim Kabashi

Toronto, Kanada