TIRANË – Adriatik Llalla nisi sot zyrtarisht detyrën si Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë. Paraardhësja e tij në detyrë, Ina Rama i dorëzoi në mënyrë simbolike detyrën Llallës.

Ceremonia zyrtare u zhvillua rreth orës 11:00 në Prokurorinë e Përgjithshme.

Gjatë fjalës së mbajtur para dorëzimit të postit Ina Rama shprehu emocionet që ka ndjerë në drejtimin e këtij institucioni për 5 vite. Në të njëjtën kohë, gjatë fjalës së saj Rama uroi që Prokuroria e Përgjithshme të ruajë pavarësinë institucionale. “Besoj se puna e prokurorëve ka treguar përgjegjshmëri , besoj se kemi arritur disa standarde. Uroj që prokuroria shqiptare të mbetet e pavarur me integritet profesional. Uroj të dëgjoj vetëm punë të mira nga ju”,- tha Ina Rama.  

Ndërkohë Kryeprokurori i ri Adriatik Llalla e ka quajtur përgjegjësi dhe sfidë të madhe, detyrën që i është besuar, duke deklaruar se do të jetë garant i ligjit. 

“Do përmbushim detyrat e parashikuara në ligj. Gjatë mandatit tim prioritet e mia do të jenë të motivoj prokurorët që përballen pa kompromis me krimin dhe korrupsionin, por edhe më tej duke marrë vendime të drejta, të pandikuara nga interesa të caktuara përfshi edhe ato politike, do jem garant i motivimit të atyre që do punojnë me përkushtim detyrën dhe do të përfaqësojnë në mënyrë dinjitoze akuzën në emër të shtetit. Uroj punë të mbarë dhe besoj se së bashku do të vijojmë që prokuroria të ketë standardet e kërkuara në ligj”,- tha Llalla.