Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, është inauguar këtë të hënë, 29 qershor, nga kryeministri, Edi Rama, si dhe nga Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala.

Rama u shpreh se transformimi për këtë maternitet ka qenë i domosdoshëm, pasi hapësirat e reja lehtësojnë shërbimin dhe e bëjnë më cilësor.

Hapësirat e reja në këtë maternitet, padyshim e bëjnë më të lehtë shërbimin, e bëjnë shumë më cilësor dhe qëndrimin e nënave dhe fëmijëve që hyjnë e dalin nga ky maternitet. Transformimi i shëndetësisë është në sytë e tyre që duan të shohin, por shëndetësia është në të njëjtën kohë edhe në gojët e të gjithë atyre që nuk duan të shohin.

Unë dua të bëj atë që bëj gjithmonë, kur më jepet mundësia, të shpreh respektin tim për të gjithë mjekët, infermieret, infermierët, të gjithë punonjësit e shëndetësisë, të cilët bëjnë një punë të jashtëzakonshme dhe që përballen me një furi të jashtëzakonshme fjalësh që nuk i meritojnë. Por kjo është jeta. Kështu i kemi ndarë detyrat. Disa duhet të bëjnë detyrën, disa nuk u mbetet gjë tjetër veçse t’i lehin karvanit që shkon përpara“, tha Rama.

Kryeministri u ndal dhe tek ndryshimet në sektorin e shëndetësisë, duke theksuar se kushtet janë më dinjitoze, e se të paktën 100 mijë ndërhyrje kirurgjikale kryhen nga spitalet e vendit tonë. Gjithashtu, ai theksoi se po luftohet për zhdukjen e fenomenit të ryshfetit nga shëndetësia.

“Dua vetëm të kujtoj që sot në sistemin tonë shëndetësor kemi shumëçka për të numëruar, por nuk kemi shumë nga ato problemet që kishim jo larg, por një dekadë më parë. Nuk kemi numrin marramendës të infeksioneve postoperatore që mbanin njerëzit me ditë të tëra në spital pas operacionit, si rezultat i kushteve jashtëzakonisht të vështira higjienike dhe si rezultat i instrumenteve mjekësore tërësisht të dala boje.

Në sistemin tonë shëndetësor kryhen afro 100 mijë ndërhyrje kirurgjikale, nga të cilat mesatarisht 65–70 mijë janë ndërhyrje në sallën e operacionit dhe 25–30 mijë të tjera janë ndërhyrje mikro-kirurgjikale. Është një volum i jashtëzakonshëm shërbimi, i cili flet për faktin që mjekët dhe infermierët në Shqipëri i shërbejnë publikut, qytetarëve, njerëzve që kanë nevojë për ta me dinjitet. Çdo gjë tjetër që ndodh fatkeqësisht në sistem dhe që i bie ndesh gjithë shumicës dërrmuese të bluzave të bardha, nuk e njollos dot pastërtinë e këtyre bluzave. Natyrisht, është pjesë për ta bërë më të mirë sistemin, për ta pastruar tërësisht nga çdo lloj kanali ku vjen dhe llumi i ryshfetit“, tha ai.

Në mbyllje të fjalës së tij, Rama u shpreh se është bërë rritje e konsiderueshme e pagave të bluzeve të bardha, dhe premtoi se kjo rritje do të vijojë më tej.

Në mbyllje dua të shtoj që ne kemi bërë çmos që pagat tuaja të rriten në mënyrë të vazhdueshme, i kemi rritur shumë ndjeshëm, por dua që të jeni të bindura se këtu shumica janë gra për fat të mirë, por edhe burrat mundësisht të jeni të bindur, por edhe po nuk u bindët rëndësi ka të binden gratë, e dini formulën time se po u bindën gratë edhe burrat nuk kanë nga shkojnë pastaj, që ne do të vazhdojmë të rrisim pagat. Ne do të vazhdojmë të kujdesemi për mirëqenien e familjeve tuaja, të cilat sakrifikojnë shumë, pasi ndryshe nga shumë profesione të tjera, ju keni një profesion ku familja është e detyruar t’ju ndajë me shumë të tjerë. Nuk ju ka dot vetëm për vete e kam fjalën”, tha ai.