Pasditen e sotme, rreth orës 17.00, në lagjen nr.5 në Durrës u regjistrua një incident në punë, nga i cili mbeti i lënduar një punëtor 49-vjeçar, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.

Shkëputja e krahut të vinçit të betonierës për ngjitjen e betonit shkaktoi edhe vështirësi në trafik, pasi u bllokua një krah i lëvizjes.

DurrësLajm mëson se shkak për incidentin në punë ka qenë cedimi i trotuarit në rrugën “Mujo Ulqinaku”. Duket se trotuari nuk e ka mbajtur peshën e mjetit të tonaxhit të rëndë gjë që shkaktoi më pas rënien e pjesës së përparme të mjetit dhe shkëputjen e krahut.

Rruga “Mujo Ulqinaku” iu nënshtrua një rikonstruksioni të pjesshëm (skarpim dhe rikonstruksion trotuaresh) në muajin prill të këtij viti, në kuadër të ndërhyrjeve që bashkia e Durrësit realizoi në insfrastrukturën rrugore pak para zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Incidenti në punë në Durrës pason 3 incidente tragjike të regjistruara në Tiranë, në javët e fundit, të cilat u shoqëruan me vdekjen e 4 punëtorëve të ndërtimit.

Lidhur me incidentin e sotëm, ku mbeti i lënduar shtetasi P.D., policia është duke kryer hetimet e nevojshme për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes.