Ditën e diel më 25 mars, në qytetin e Janinës në Greqi është përkujtuar 74-vjetori i transferimit të dhunshëm të Hebrenjve të Janinës për në kampin e përqendrimit Auschwitz.

Mbi 60000 hebrenj u transferuan në periudhën mars 1943 dhe korrik 1944 me dhunë drejt Polonisë dhe Gjermanisë si pjesë e “zgjidhjes përfundimtare”, siç e quajti regjimi shfarosjen e hebrenjve të Evropës. Vetëm një pjesë e vogël e tyre mbijetuan për t’u kthyer pas luftës në Greqi, Izrael ose gjetkë.

Pikërisht në Janinë, komuniteti i hebrenjve përkujton çdo 25 mars, një nga episodet më të dhimbshme të historisë së tyre.

Sipas Indrit Hamitit, një popull i vendosur e i organizuar di të imponojë respekt. Një nga veprimtarët e çështjes çame, si edhe një nga përfaqësuesit kryesorë të komunitetit çam në qytetin bregdetar të Durrësit, Indrit Hamiti, teksa ka qenë dje prezent në qytetin grek ku ka parë nga afër këtë lëvizje, i merr hebrenjtë si shembull për t’u ndjekur nga ana e çamëve.

Duke sjellë në kujtesë 27 qershorin, ditën e genocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, Hamiti thotë që ashtu si hebrenjtë, edhe shqiptarët duhet ta përkujtojnë këtë ditë pikërisht në Paramithi, popullsia e të cilit u kap në befasi gjatë të ashtuquajturës: ditën e genocidit grek. Ndërkohë çamët e kanë të ndaluar ta përkujtojnë atë datë në territoret greke, madje shumë prej tyre nuk lejohen të vizitojnë vendin ku u lindën. 

“Live nga Janina. Përkujtimi 25 marsit 1944, 74-vjetorit të nisjes së Hebrenjve të Janinës për në Aushwitz, prej nga nuk u kthyen më kurrë… Një popull i vendosur e i organizuar di të imponojë respekt. Ky është minimumi që çamët duhet të kërkojnë. 27 qershori duhet të përkujtohet në Paramithi…”, shkruan Hamiti, duke e shoqëruar statusin e tij edhe me pamjet e mëposhtme.

Si u shpall 27 qershori Dita e Genocidit grek

*27 qershori është caktuar si Dita e Genocidit të madh të bërë nga fashistët grekë me në krye Napolon Zervën ndaj popullsisë shqiptare çame.

Genocidi grek ndaj popullsisë çame nisi më 27 qershor të vitit 1944, nën udhëheqjen e gjeneralit Napoleon Zerva. Masakra më e egër ndaj shqiptarëve myslimanë u bë në rajonin e Paramithisë. Forcat e Lidhjes Kombëtare Republikane Greke hynë në qytet dhe vranë rreth 600 shqiptarë myslimanë. Popullsia e Parathimisë u kap në befasi. Si pasojë e këtij genocidi, një pjesë e popullsisë myslimane së Çamërisë u shpërngul dhe u vendos në qytetet shqiptare. Gjatë shpënguljes së tyre e ikjes së tyre drejt Shqipërisë, rreth 2400 njerëz kanë humbur jetën gjatë rrugës, për shkak të mungesës së ushqimit dhe vuajtjeve.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë më datë 30 qershor 1994 e shpalli 27 qershorin si “Dita e genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek”. Komuniteti çam, më 27 qershor të çdo viti, përkujton të afërmit e tyre që u masakruan nga shteti grek.