Davide Pecorelli, biznesmeni italian që inskenoi vdekjen në Pukë, është ekstraduar sot nga Italia drejt Shqipërisë. Pecorelli u mor në dorëzim sot në Rinas nga Forcat Operacionale të DPB-së dhe po dërgohet në Institucionet e Ekzekutimeve të Veprave Penale.

Sipas vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, ndaj tij është caktuar masa “arrest në burg”, si i dyshuar për veprat penale “Mashtrimi”, “Dhunimi i varreve”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Biznesmeni italian do të duhet të vuajë 4 vite burg për mashtrim, përdhosje varresh dhe pengim të drejtësisë.

Më parë ai ka deklaruar se shqetësimi i tij i vetëm janë familja e tij.

Për vendimin e dorëzimit të tij në duart e drejtësisë shqiptare, ai ka thënë se po i bëhet një padrejtësi e madhe dhe se po trajtohet si një qytetar i dorës së dytë.

“Një vendim i vështirë për të pranuar më bën të mendoj për një plan përndjekjeje. Nuk e kam mohuar kurrë të kem kryer krime në Shqipëri dhe kam kompensuar dëmet përtej vlerës së tyre, si në rastin e makinës që i kisha vënë flakën. Nuk kam precedentë penalë dhe jam ish-oficer ushtrie, një sipërmarrës që u kam dhënë punë qindra njerëzve të tjerë”.

Ai ka njoftuar se do të nisë procesin për marrjen e nënshtetësisë shqiptare. Gruaja e tij është shqiptare, ata u martuan në dhjetor 2023. Ashtu si djali i tij, sapo të marrë nënshtetësinë, ai do të heqë dorë nga shtetësia italiane sepse ndihet i “tradhtuar” nga vendi i tij, sipas mediave italiane.