Aventura e Simone Inzaghit në stolin e Interit nisi me një barazim 2-2 në transfertën zvicerane ndaj Luganos në një sfidë të cilën zikaltrit përmbysën dy gola disavantazh për të fituar trofeun “Lugano Region Cup”, pas goditjes së penalltive. Është bërë traditë tashmë për Interin që sezonin e ri ta nisë me një miqësore ndaj Luganos. Pa shumicën titullarëve të cilët vazhdojnë të jenë me pushime por edhe pa turkun Hakan Calhanoglu që po stërvitet prej disa ditësh por nuk u grumbullua në këtë ndeshje të parë nga Inzaghi pasi nuk ishte në kondicionin e duhur fizik te kampionët e Italisë spikatën disa elementë, si Federico Dimarco i rikthyer pas huazimit te Verona dhe pritet të jetë një vlerë e shtuar në krahun e majtë të mesfushës por edhe portieri rumun Radu i cili u aktivizua në pjesë të dytë duke bërë disa pritje fantastike dhe duke ndalur edhe dy penallti, si dhe sulmuesi i Primaveras autori i golit të barazimit uruguiani Martin Satriano. Në pritje të rikthimeve në skuadër të emrave me peshë dhe afrimeve që mund të vinë nga merkato Inzaghi mund t’u gëzohet pikërisht emrave si Dimarco, Radu apo Satriano të cilët mund të jenë një vlerë e shtuar për Interin në këtë sezon të ri, ku objektivi do të jetë mbrojtja e titullit siç deklaroi edhe adminstratori i deleguar Beppe Marotta para ndeshjes.

“Nuk e kemi nisur sezonin të plotë, mungojnë lojtarët që luajtën me kombëtaret. Është momenti t’i japim hapësira të rinjve ose atyre që do të transferohen në javët e ardhshme. Kjo është një fazë pune, duam të konfirmohemi si skuadra më e mirë në Serie A”.

Marotta foli edhe për merkaton e zikaltërve duke përmendur edhe dy emra të përveçëm që po fliten gjithnjë më shumë për t’u transferuar te Interi, siç janë Hektor Bellerin i Arsenalit dhe Nahitan Nandez i Cagliarit.

Bellerin? Duam të fillojmë nga grupi që kemi, që ka treguar se formon një skuadër të madhe dhe na kanë dhuruar shumë kënaqësi. Bellerin e ka vëmendjen tone. Nandez? është një lojtar shumë i respektuar, por nuk kemi nisur negociatat me Cagliarin. Për momentin nuk shoh në horizont bisedime dhe negociata shumë të shpejta. Po vlerësojmë gjithçka, por nuk duam të nxitohemi”.