Në pritje të një sulmuesi, Inter blindon Simone Inzaghi-n. Corriere dello Sport konfirmon se klubi zikaltër dhe trajneri kanë gjetur akordin total ndërmjet tyre për zgjatjen e kontratës deri në vitin 2025. Inzaghi futej në vitin që i përfundonte kontrata, në 2024-n, por Marotta nuk dëshironte të niste sezonin me një trajner në skadencë, për këtë arsye palët kanë përshpejtuar negociatat për të mbyllur marrëveshjen.
Tullio Tinti, agjenti i Inzaghi-t, pas daljes nga zyrat e klubit konfirmoi “tymin e bardhë”, arritjen e akordit. Në fakt, palët kishin gjetur akordin prej kohësh, por vetëm gjatë turneut në Japoni e formalizuan. Në këtë mënyrë, Inzaghi dhe Inter zgjasin bashkëpunimin ndërmjet tyre deri në 2025-n, ndërsa në kontratën e re është parashikuar edhe një rritje e lehtë e pagës. Hapi i radhës i klubit është gjetja e sulmuesi, ndërsa një ditë më parë prezantuan edhe Sommer, portierin e ri.