Intervistoi: Erion Habilaj

Durrës, 2 tetor 2014 – Deputeti i Partisë Republikane, Agron Duka, shprehet se parimi bazë i funksionimit të së djathtës bazohet mbi fraksionin. Në një intervistë për “Dita”, hartuesi i programit të mazhorancës aktuale dhe tashmë një prej deputetëve të opozitës në Kuvend, analizon mënyrën e funksionimit të PS-së dhe të PD-së. Sipas Dukës, Berisha është fraksion, por një pol i fuqishëm, ndërsa shton se ish-kryetari i PD-së, bashkë me zëra të tjerë, janë premisë për një opozitë të strukturuar. I pyetur nëse do të kandidojë për Bashkinë e Durrësit, Agron Duka lë të hapur mundësinë, duke sqaruar se është i gatshëm të kontribuojë në betejën e ardhshme elektorale për pushtetin vendor në Durrës, duke mbështetur kandidaturën e djathtë, cilado qoftë ajo.

 Zoti Duka, si do ta vlerësonit punën e Qeverisë këto 12 muajt e parë?

Vlerësoj që premtimi i “Rilindjes” nuk është mbajtur. Është një xhaketë e kthyer e formës klasike të qeverisjeve të tranzicionit. Vlerësoj që si niveli, ashtu edhe standardet e demokracisë, janë dobësuar. Po ashtu edhe gjendja ekonomike e biznesit dhe familjeve të thjeshta. Madje, shoh një irritim të qytetarëve edhe në Durrës për mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Ne jemi një vend që burimet ujore nuk na mungojnë, edhe nuk ka pse populli ynë të haset me këtë papërgjegjshmëri apo kapriçio të qeverisë. Jemi popull i varfër për të paguar fatura të shtrenjta.

Ju jeni një ndër hartuesit e programit për bujqësinë, edhe pse tashmë ndodheni në opozitë. Si ju duket puna në këtë sektor?

Kësaj pyetje më lejoni t’i përgjigjem pak më gjatë, meqenëse ka të bëjë me profesionin tim. Po, është e vërtetë që unë së bashku me një grup specialistësh, që të paktën në dijeninë time janë nga specialistët e bujqësisë më të mirë të vendit, kemi bërë programin e PS-së për zhvillimin rural. Dua të theksoj se është punuar si asnjëherë tjetër për hartimin e këtij programi. Është punuar 17 muaj pa ndërprerje, duke bërë me dhjetëra takime me banorët e zonave rurale, me pushtetin lokal. Është grumbulluar një informacion voluminoz mbi problematikën e këtyre zonave, janë bërë me qindra anketime direkt me fermerët, janë bërë takime me specialistë të bujqësisë, pyjeve, të peshkimit etj. Dhe jo vetëm kaq. Për kolaudimin e programit janë aktivizuar profesorët e Universitetit Bujqësor të Tiranës, madje dhe ato të IAM –Barit. Janë marrë dhe studiuar eksperienca të vendeve me bujqësi të përparuar etj. Gjendja aktuale e fermerëve më bën që të jap një vlerësim negativ dhe të jem skeptik për realizimin e programit të PS-së për zhvillimin rural. Mendoj kështu, sepse duke filluar që nga burimet njerëzore për të cilat programi shprehej qartë, realiteti është krejt ndryshe. Megjithëse ka një institucion të veçantë që merret me këtë punë (administrata publike) në Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave janë marrë në punë dhe në funksione drejtuese madje, specialistë me profesione nga të gjitha llojet, vetëm specialistë të bujqësisë, blegtorisë, peshkimit nuk janë. Paradoksi më i madh është që njerëzit që punuan për programin me të cilin PS-ja bëri fushatën elektorale në zonat rurale, jo vetëm që nuk u vlerësuan për kontributin që dhanë, por as nuk morën të paktën një falënderim. Ky veprim është një mosmirënjohje dhe mungesë respekti për ta dhe tregon që qëllimi i vërtetë ishte fitimi i zgjedhjeve dhe jo realizimi i programit rural. Ministria drejton zhvillimin e sektorit nëpërmjet politikave dhe politikat bëhen me akte ligjore e nënligjore. Me sa e njoh gjendjen, të paktën sot, duhet të ishin miratuar 10 paketa ligjore në mënyrë që vitin e dytë të bëhej efektiv zbatimi i tyre. E trajtova gjatë këtë problem, se në vizionin tim, janë burimet njerëzore që sjellin zhvillimin. Siç e përmenda dhe në fillim, programi nuk mund të zbatohet, nëse nuk do të shoqërohet me strategji të veçanta afat-shkurtra dhe afat-mesme të problematikave që trajtohen, siç po ndodh sot. Është kollaj të kopjosh një strategji të zhvillimit rural, por është shumë e vështirë të bësh një strategji të konsolidimit të tokës, është shumë e vështirë të bësh një strategji të rehabilitimit të sistemit të kullim-ujitjes, të zhvillim të sektorit pyjor e kullosor, të zhvillimit të artizanatit në zonat rurale, të shfrytëzimit të resurseve që jep eko-sistemi i zonave rurale, të peshkimit, të rajonizimit etj. Këto që përmenda nuk janë çështje që i takojnë vetëm kësaj ministrie. Janë çështje që i takojnë Këshillit të Ministrave, prandaj mendoj që këto duhet patjetër të miratohen nga parlamenti, pra të marrin fuqi ligjore në mënyrë që ministri i radhës të mos i ndryshojë, por të jetë i detyruar sigurojë vazhdimësinë. Duke qene se u zgjata shumë në këtë pikë, në fund duhet të theksoj që në funksion të programit u bënë shumë premtime të cilat do të kishin efekt të menjëhershëm në lehtësimin e situatës ekonomike të popullsisë që jeton në zonat rurale. Mendoj që zhgënjimi nga programi tek realizimi, është shumë i madh.

Opozita prej disa muajsh ka bojkotuar Kuvendin. Si e shikoni këtë aksion të saj?

Jam pjesë e këtij veprimi politik dhe duke qenë pjesë e tij e gjykoj si të drejtë. Prepotenca e këtij kryeministri, e përcjellë dhe e amplifikuar pastaj tek e gjithë hierarkia, detyrimisht kërkojnë përgjigje. Njëra prej tyre është edhe mospjesëmarrja në seancë. Siç e dini dhe siç e keni parë edhe në video, dy deputetë kanë goditur një kolegun e tyre. Kjo nuk mund të kalonte pa përgjigje.

Opozita aktuale duke se ka një ngërç në drejtimin e saj. Nga një anë kemi Bashën që po përpiqet të vendosë autoritetin e kryetarit dhe nga ana tjetër Sali Berishën me pushtet absolut. Shikoni një kontradiktë në drejtimin e PD-së? Është Berisha duke eklipsuar Bashën?

Opozita nuk është vetëm Partia Demokratike, por një koalicion shumë më i gjerë. Natyrisht PD-ja është forca kryesore, me strukturat dhe personalitetet e saj. Atje ka mjaftueshëm figura që i përgjigjen me shumë seriozitet e përgjegjësi pyetjes suaj. Megjithatë, si politikan e qytetar mund të komentoj nga jashtë kësaj strukture e të them se për mua prania e Berishës është vlerë e jo pengesë. Aq më tepër që pak ditë më parë e deklaroi copë se nuk do të marrë kurrë më kreun e PD. Por përvoja e zotit Berisha është një aset i rëndësishëm në partinë e tij. Dua t’ju kujtoj se ndryshe nga e majta që ka unitet. Parim bazë, e djathta funksionon me fraksione. Me këtë nuk dua të them se Berishën e shoh si fraksion, por një pol i fuqishëm si ai bashkë me zëra të tjerë, janë premisë për një opozitë të strukturuar si dhe për rimarrjen e pushtetit në një kohë sa më të shpejtë.

Keni ndonjë këshillë për zotin Berisha?

Nëse do të ketë nevojë për njohjet dhe dituritë e mia, në ato fusha që njoh, jam shumë i gatshëm. Por ata që më njohin, e dinë që nuk e kam zakon të jap mend aty ku nuk më takon.

Zoti Duka, keni pasur ndonjë ofertë për të kaluar sërish në partinë që ishit deri pak muaj para zgjedhjeve, nëse po pse nuk e ndërmerrni një hap të tillë për t’i shërbyer elektoratit edhe më mirë?

Unë kam zgjedhur të jem konsekuent ndaj elektoratit tim. Besoj ju e dini se unë në zgjedhjet e kaluara pikërisht për këtë arsye kalova me Partinë Republikane, pasi aty ku isha më kërkuan të kandidoja në një zonë që nuk është ajo ku unë kam një jetë që kontribuoj.

Si i parashikoni zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm?

Të vështira dhe me standarde të dobëta demokratike. Kaq mund të them sot për sot, duke parë mënyrën si u realizua reforma territoriale, sjelljen e pushtetit me opozitën dhe kapjen e mediave nga pushteti. Ju kujtoj zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë së Korçës vjet. Ishin zgjedhje të fituara pa diskutim nga PS, por në mënyrë të çuditshme pamë se edhe aty vota u ble.

Mendoni se opozita do të bojkotojë këto zgjedhje, dhe nëse hidhet si opsion, cili do të jetë qëndrimi juaj?

Ju vet po thoni “nëse hidhet si opsion”. Kjo do të thotë se as që është diskutuar. Ne kemi përgjegjësi ndaj zgjedhësve dhe këtë e kemi treguar edhe me vepra. Besoj që pushteti të mos synojë këtë skenar, pasi gjykoj se dëmin më të madh do ta ketë stabiliteti i vendit, ekonomia e shqiptarëve dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët.

Si një deputet i Durrësit, si e shikoni punën e bashkiakut aktual, Vangjush Dako?

Po pres të shoh te Currilat ata gadishujt që do t’i bënte si “ishulli në formë palme i Dubait”. E premtoi në fushatë, po nuk kam parë, të paktën deri mbrëmë, ndonjë gur të ketë hedhur Gjushi aty. U ankua që për vite me radhë se nuk i jepte fonde qeveria demokrate dhe se pas fitores së Ramës edhe Durrësi do rilindte. U bë plot një vit dhe vepra e tij më e bujshme ka qenë nisja e prishjes së shatërvanit para Bashkisë, vepër që ia ndërprenë autoritetet në mes, sepse qe me shkelje. Përfundimisht do të thosha se e votuam dhe e përkrahëm të gjithë si një njëri që vinte nga biznesi me aftësi menaxheriale, por me kalimin e viteve ai u largua nga ky rol dhe ndërtoi struktura brenda PS-së për t’i shërbyer rritjes së pushtetit vetjak, punë që për hir të së vërtetës e ka bërë shumë mirë. Mendoj se Dakos i ka skaduar afati, një kandidim i mundshëm i tij do e dërgonte Durrësin, jo më në një vend turistik, por në një fshat të braktisur nga turizmi.

Në media të ndryshme është lakuar edhe emri juaj si një kandidat për Bashkinë e Durrësit, jeni i gatshëm për një sfidë të re elektorale, apo e përgënjeshtroni?

Kësaj pyetje i jam përgjigjur shpesh dhe përgjigja ime do jetë e njëjtë: Unë jam i gatshëm të kontribuoj në betejën e ardhshme elektorale për pushtetin vendor në Durrës, duke mbështetur kandidaturën e djathtë, cilado qoftë ajo.

Gazeta Dita