Emisioni prestigjioz “Special Investigation” i televizionit francez “Canal +”, i ka kushtuar një hetim të gjatë rrugës nëpër të cilën kalon kallashnikovi për të mbërritur deri në Francë.
Në reportazhin e transmetuar të hënën në mbrëmje, gazetarja Vanina Kanban, një njohëse e mirë e Ballkanit që ka bërë edhe një dokumentar për trafikun e organeve në Kosovë, ka zbarkuar në Rinas, është takuar me trafikantët dhe ka ndjekur një pjesë të udhëtimit të tyre nëpër 5 shtete (2500 km) deri në Strazburg të Francës.
Ajo ka intervistuar trafikantët dhe ndërmjetësit e tyre, me premtimin për t'u mbuluar fytyrat dhe për t'u ndryshuar zërin. “Po u ndeshëm me policinë do të themi se po bëjmë një reportazh për plazhet dhe turizmin e Shqipërisë, nëse na marrin kamerën kartën grafike do e fshihni në brekë dhe nëse zbulohemi e keni kokën në rrezik”, i thotë trafikanti gazetares.
Kanban interviston një shqiptar që është mbledhës armësh, i cili i thotë se fiton deri në 25 mijë euro në vit me shitjen e tyre jashtë. Ai i thotë se është i frikësuar që e bën këtë punë, por nuk ka shumë mundësi të tjera jetese.
Pastaj dokumentari shpjegon se përse, pas krizës së piramidave në vitin 1997 Shqipëria u mbush me kallashnikovë, pistoleta dhe bomba.
Sipas investigimit të gazetares, që ka zgjatur për muaj me radhë, një pjesë e arsenalit që mbërrin në duart e terroristëve në Francë, rrjedh edhe nga Shqipëria. Madje, kallashnikovët që shkaktuan viktimat e gazetës “Charlie Hebdo” apo të teatrit “Bataclan” mund të jenë me origjinë nga Shqipëria.