Busti i Isa Boletinit, pasi iu rikthye vendlindjes së tij, Isniqit, ditën e shtunë ka shtegtuar dhe tashmë është vendosur në piedestalin e vet në Mitrovicë. Heroi i ngritjes së Flamurit në Vlorë më 28 nëntor 1912, pasi ka zënë sheshet e disa qyteteve kryesore të Shqipërisë, tashmë i është drejtuar Kosovës së çliruar, e cila i ka ofruar birit të saj, një vend në zemrën e saj…
Në këtë shtegtim të tij, patjetër që kosovarët do t’i jenë mirënjohës birit të Çamërisë, Idriz Balanit, skulptorit i cili e konceptoi dhe e skulpturoi në studion e vet në qytetin e Durrësit. Pas shumë vitesh, kur të shkruhet historiku i veprave monumentale të artit që iu vendosën heronjve të Kosovës mbase ndonjëri do të marrë guximin ta emërtojë atë Idriz Balada, pasi ai i ka dhënë këtij vendi nëpërmjet risjelljes në sheshe, baladën poetike të një historie epike të derdhur në bronx.
Pak javë më parë ky monument është përuruar në fshatin e lindjes Isniq, përurim në të cilin kanë marrë pjesë Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe Kryeministri Hashim Thaçi. Takimi dhe pritja që i është bërë nga vendasit dhe qytetarët nga Shqipëria e Kosova ka qënë me dimensione madhështore.
Në fjalën e tij Balani, tepër i emocionuar, mbase dhe i pamësuar të flasë në sheshe publike të mbushura si kurrë ndonjëherë me popull, pasi është mësuar të komunikojë me heronjtë e tij në studio se më pas flet populli me ata, u tha pjesëmarrësve se i falenderonte shumë dhe se ndjehej i nderuar prej tyre që i dhanë shansin këtij biri të Çamërisë që t’u sillte atyre përmes veprës monumentale birin legjendar, Isë Boletinin. “Heroizmi i tij,- tha Balani,- është një diell që do t’iu ngrohë në shekuj”. Më pas shtoi se në punën e tij, në çdo detaj, ai ka qënë i shoqëruar prej zërit dhe figurës së tij legjendare.
Shtegtimi i Isës drejt Mitrovicës
Idrizi thotë se vendosja e monumentit në Mitrovicë, pati si pikënisje faktin se popullsia e Isniqit u ndje e plotësuar dhe e vlerësuar, pasi ai realizoi nëpërmjet një pune 2 vjeçare këtë monument.
Përurimi i tij u bë më 24 nëntor, por e vërteta është se kur shkoi si shtatore Isa u nderua me një pritje të veçantë nga banorët e Mitrovicës. “Ka qenë një festë e vërtetë. Kjo vepër është e njëjtë me atë të Isniqit. Pas Isniqit, të njëjtën kopje më kërkoi edhe krahina e Mitrovicës.Ata më dërguan një delegacion nga pushteti vendor. Megjithëse u dhashë edhe alternativa të tjera ata vendosën njëzëri që kjo zgjidhje kompozicionale që kisha bërë duke e paraqitur shtatoren e Isës me flamur në duar, do të ishte më e mira edhe për vendin ku do të vendosej në Mitrovicë,- thotë Idrizi.
Më tej skulptori durrsak thotë se ai është ndjerë shumë i privilegjuar si artist, që kjo vepër me të cilën është lidhur shumë shpirtërisht, të vendoset gati njëkohësisht në të dy qytete të Kosovës. Skulptura monumentale “Isa Boletini” ka lartësi rreth 3 m e 65 cm dhe një kosto prej 60 mijë eurosh. Një pritje madhështore është organizuar në Mitrovicë nga nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, të cilët me flamuj në duar kishin mbushur rrugët. Gjithashtu rrugët e qytetit ishin mbushur edhe me qytetarë të shumtë, të cilët kishin dalë të nderonin heroin e tyre. Shtatorja më pas u vendos në sheshin “Isa Boletini” në Mitrovicë, karshi urës së Ibrit.
Monumenti i Bedri Pejanit
Pas realizimit të monumentit të Isa Boletinit mu dha një tjetër porosi,- kujton Idrizi,- për të bërë bustin e njërit prej firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë, Bedri Pejanit. Edhe kjo vepër pati sukses. Ajo u zgjidh nga ana kompozicionale si tors me ¾ e figurës. Bedriu u paraqit në të me një veshje të lehtë verore, me këmishë dhe me dorën e djathtë ai mban të varur një triko të lehtë. Dora tjetër është e lirë dhe me një qëndrim duke parë drejt në largësi. Ky bust u vendos në oborrin e gjimnazit që mban edhe emrin e tij në qytetin e Pejës.
Monumenti u përurua ditën e mërkurë të javës që kaloi. Pas këtij monumenti, Idrizi ka filluar dhe po punon edhe një bust tjetër. Është busti i akademikut Ali Hadri. Aliun e ka paraqitur në një moment meditimi, i ulur në tavolinën e tijë të punës. Pjesa e karriges dhe e tavolinës mendohet që të jetë prej guri e alternuar artistikisht me duart dhe librin që ka para vetes te punuara në bronx.
Vepra të Idriz Balanit në Kosovë
Haxhi Zaka (Bashkëpunim me Q. Kërtushën) Bronx
Skenderbeu (Bashkëpunim me Q. Kërtushën) Bronx
Ibrahim Rugova Bronx
Enver Hadëri Bronx
Agim Ramadani Mermer
Jusuf Gervalla Bronx
Kërkesa: Isa të vijë në këmbë në Isniq
Kur Idriz Balani shtegtoi drejt Isniqit për të vendosur shtatoren e Isa Boletinit atë e shoqëroi përveç shumë miqve durrsakë të Balanit edhe poeti çam që banon në Durrës, Agim Bajrami. Agimi thotë se para nisjes në studion e Idrizit kishte shkuar një grup nga Isniqi, i kryesuar nga kryeplaku, Selim Hajdari, një burrë shumë i zgjuar, i kulturuar, që në rininë e tij kishte studiuar në Shkollën e Artit Figurativ në Pejë. Në momentin që grupi hyri në studion e skulptorit për të parë ecurinë e shtatores, dikush ka pyetur për kuriozitet që si do të bëhej derdhja në bronx. Kur Idrizi i thotë që do të vijë një grup i fonditorëve dhe do ta presë pjesë-pjesë, atëherë kryeplaku që e njihte shumë mirë teknologjinë e derdhjes, në mënyrë shumë serioze i thotë: “A me e pre aaa? S’ban! Ju veproni si të doni po na Isën e duam jo vetëm në bronx, por edhe të na vijë edhe në këmbë! Kur të na e sillni e duam që edhe në makinë ai të jetë në këmbë”! Disa nuk e kuptuan humorin e hollë dhe thanë: “Po po, Kryeplaku ka të drejtë “! Dhe historia, sipas Agimit vijon. Skulptori i drejtohet Kryeplakut dhe i thotë: Deri tek tuneli e sjell në këmbë, po aty dua që ti ta ngresh tunelin që Isa të kalojë në këmbë…