Dora e hekurt e përdorur nga Qeveria e Turqisë pas grushtit të shtetit është shtrirë deri në instancat më të larta të futbollit. Pak javë më parë, i ati i ish-sulmuesit Hakan Sukur që konsiderohet një nga emrat më të lavdishëm të futbollit turk, u arrestua me akuzën e pjesëmarrjes në organizimin e grushtit të shtetit.

Këtu nisën edhe problemet për ish-sulmuesin e Kombëtares së Turqisë dhe Galatasarayt. Në Stamboll gjuetia e shtrigave vazhdon dhe as ish-sulmuesit Hakan Sukur nuk i bën punë emri që mban mbi supe. Mekanizmat e qeverisë i kanë shtrirë tentakulat edhe në futboll pasi Sukur është përjashtuar nga bordi drejtues i Galatasaray bashkë me tre persona të tjerë.

Përveç Sukur, bëhet fjalë edhe për Arif Erdem e Ismail Demiriz. Informacionet nuk janë ende të qarta, por vendimi i marrë nga drejtuesit e klubit është nxitur nga qeveria pasi ata dyshohen për përfshirje në organizimin e grushtit të shtetit pak javë më parë.

Aktualisht, Sukur ka preferuar të largohet nga Turqia. Ish-sulmuesi i trembet një arrestimi të mundshëm dhe ka zgjedhur të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Situata është më e rëndë për ish-lojtarin e Galatasaray dhe Kombëtares, Ismail Demiriz, i cili është burgosur në Stamboll. Një tjetër emër i shënjestruar nga organet hetuese është edhe basketbollisti Enes Kanter, i cili konsiderohet si një nga të rinjtë më premtues të koshit turk. Aktualisht ai është pjesë e NBA në radhët e Utah Jazz, por familja e tij akuzohet nga autoritetet turke duke u arratisur drejt SHBA-së.