Në vitin 1997, ndërsa Shqipëria digjej në flakë dhe vendi rrezikonte nga Lufta Civile, ushtria shqiptare, ishte shpërbërë, por çfarë ndodhi me anijet e Flotës Detare? Çfarë ndodhi me ushtarakët ato vite? Robert Bali, sot 76 vjeç, sjell në kujtime shkatërrimin, mbytjen dhe djegien e anijeve shqiptare. Në një prononcim për “DurrësLajm”, Bali kujton se si u shkatërrua e si u ringrit Flota Detare, ndërsa “meritë të madhe për këtë kanë ushtritë e vendeve fqinje, por kontributi i Qeverisë turke, për ushtrinë shqiptare është i pakrahasueshëm”, nënvizon ish-ushtaraku i dalë në pension.

“Kanë qenë vite të trishta. Viti 97 ishte i dhimbshëm për ushtrinë shqiptare. Unë si komandant i Forcës Detare në vitet ‘97- 98, ndiej shumë trishtim brenda vetes për atë që ngjau. Ndodhën trazirat në vend, edhe Flota u përfshi. Anijet ushtarake u braktisën dhe si pasojë u mbytën dhe dolën jashtë përdorimit. U desh punë e gjatë që të gjitha anijet t’i nxirrnim nga deti të mbytura, me ndihmën e palës italiane dhe greke. Ne arritëm brenda një kohë të shkurtër që të ringrinim Flotën shqiptare, të kalonim në veprime luftarake, qitje thellësie me bomba dhe me silura. Përgatitja e ushtarakëve shqiptarë është bërë falë ndihmës së pakursyer nga Qeveria turke, në ndërtimin e shkollës së Marinës në specializimin e ushtarakëve të lartë në Turqi, në investimet miliona dollarëshe për infrastrukturën. Qeveria turke e ka ringritur mund të them me plot gojën ushtrinë shqiptare”, nënvizon ish-komandanti.

Ish-komandanti i Flotës, Fitim Halili

Fitim Halili, ish-komandant i Flotës në vitet 1990, për dekada me radhë ka drejtuar edhe ish-bazën detare të Pasha Limanit  në sektorin e nëndetëseve. Ish-Komandant nëndetëseje, shefi i shtabit të nëndetëseve dhe  komandant i nëndetëseve, për “DurrësLajm” thotë se tani kualifikimi i ushtarakëve bëhet sipas infrastrukturës që ka flota aktualisht.

“Për nëndetëset kam një nostalgji të madhe, sepse ajo ka qenë një armë e mençur dhe e zgjuar. Kualifikimi i ish-ushtarakëve kërkonte angazhime të mëdha intelektuale, fizike dhe shpirt. Tani për pozicionet e reja që kanë ardhur në flotë me anijet e reja, edhe kualifikimi i ushtarakëve u është përshtatur pozicioneve të tyre. Tani anijet janë të reja, u përshtaten detyrave të rojës bregdetare dhe kërkesave të ndryshme. Është ndryshe tani me anijet që kishim para se të futeshim në NATO.”

K.H.