Në Spanjë prokuroria ka lëshuar një urdhër-arresti për ish-presidentin e Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales.

Ndërkohë, që ish-kreu i futbollit në Spanjë ndodhet në Republikën Dominikane.

Televizioni spanjoll “Telecinco” ka mundur të zbulojë vendndodhjen e fshehur të Rubialesit.

Në faqen zyrtare të emisionit “TardeAR”, raportohet se Rubiales, ndodhet në Karaibe me mikun e tij ishfutbollistin, Nene, në “Cap Cana”.

Kjo e fundit është një zonë luksoze në Republikën Dominikane, ku ata të dy janë duke shijuar restorante ekskluzive dhe plazhe idilike.

Zyrtarisht, udhëtimi i Rubialesit në “Cap Cana” do të ishte për biznes që lidhet me turizmin.

Por, sakaq gazeta “El Mundo” ka bërë me dije se ish-presidenti i ka kërkuar një favor miqve të tij në Republikën Dominikane ta ndihmojnë të sigurojë një pasaportë të këtij vendi, kështu për të shmangur ekstradimin në Spanjë.

Por persona të afërm me Rubialesin e kanë hedhur poshtë një gjë të tillë, duke e cilësuar si spekulim mediatik.