Ish-producenti i filmave të Hollivudit, Harvey Weinstein, u dënua të mërkurën, më 11 qershor, për njërën nga akuzat kryesore në gjyqin e përsëritur për krime seksuale, ndërsa u shpall i pafajshëm për një tjetër akuzë dhe juria ende nuk ka arritur një vendim për akuzën e tretë.

Pas pesë ditësh diskutimesh, juria e përbërë nga shtatë gra dhe pesë burra, vendosi njëzëri ta shpallë fajtor për një nga tre akuzat e ngritura kundër tij, në një proces gjyqësor që zgjati gjashtë javë.

Weinstein u shpall fajtor për sulmin seksual ndaj ish-ndihmëses së prodhimit televiziv, Miriam Haley, por u shpall i pafajshëm për akuzën e sulmit ndaj modeles Kaja Sokola.

Juria nuk ka dalë ende me vendim për akuzën për përdhunim që lidhet me aktoren Jessica Mann, dhe pritet të vazhdojë diskutimet të enjten, më 12 qershor.

Ky vendim vjen ndërkohë që Weinstein ende nuk ka vuajtur dënimin prej 16 vitesh burg në Kaliforni për krime të ngjashme seksuale, një vendim i dhënë në vitin 2022. Kujtojmë se dënimi i mëparshëm i tij në Nju Jork u anulua vitin e kaluar, me arsyetimin se nuk kishte marrë një gjykim të drejtë.

Tri gra dëshmojnë kundër Weinstein

Procesi gjyqësor u bazua në dëshmitë e tre grave, Miriam Haley, aktorja Jessica Mann dhe modelja polake Kaja Sokola. Të gjitha e akuzuan Weinstein për përdorim të ndikimit të tij në industrinë e filmit për t’i abuzuar seksualisht.

Pas vendimit, Haley tha se e ndiente vendimin si një “shpresë që ndërgjegjësimi rreth dhunës seksuale po rritet dhe miti i viktimës së përsosur po zbehet”.

Sokola, pavarësisht se Weinstein u shpall i pafajshëm për akuzën ndaj saj, deklaroi: “Jam e lehtësuar që Weinstein po mbahet përgjegjës për disa nga krimet e tij. Të flas ishte akt force e detyrueshme për veten dhe për të gjitha gratë që i mbijetuan abuzimit të tij.”

Tension mes anëtarëve të jurisë

Atmosfera mes anëtarëve të jurisë u përshkrua si e tensionuar. Kryetari i jurisë denoncoi përplasje mes tyre, duke thënë se disa po përpiqeshin të impononin bindjet e tyre mbi të tjerët, bazuar në të kaluarën e Weinstein dhe jo vetëm mbi provat konkrete.

Madje, u raportua edhe një incident kërcënues mes dy prej anetareve të jurisë. Gjykatësi ndërhyri, duke u kujtuar atyre se duhet të marrin vendim vetëm mbi bazën e fakteve të paraqitura në sallën e gjyqit.

Gjendja shëndetësore e Weinstein dhe roli i tij në industrinë e filmit

Weinstein, i cili vuan nga kanceri dhe diabeti, ndodhej në spitalin Bellevue gjatë gjithë procesit, në vend që të ishte në burgun Riker’s Island. Ai qëndroi në karrocë me rrota gjatë seancave.

Më parë, Weinstein dhe vëllai i tij Bob ishin ndër figurat më të fuqishme në Holliwood. Ai ishte bashkëthemelues i studios Miramax, që prodhoi filma të suksesshëm si Pulp Fiction dhe Shakespeare in Love, i cili fitoi çmimin Oscar për filmin më të mirë.

Avokatët e tij argumentuan se marrëdhëniet me gratë ishin konsensuale dhe në kuadër të marrëdhënieve të natyrës “miq me përfitime”. Ata u përpoqën të diskreditojnë viktimat, duke publikuar mesazhe të ngrohta që disa prej tyre i kishin dërguar producentit edhe pas ngjarjeve të dyshuara.

Megjithatë, më shumë se 100 gra e kanë akuzuar Weinstein për ngacmime, sulme seksuale dhe përdhunime. Edhe pse jo të gjitha akuzat janë ndjekur penalisht, dënimi i tij në Kaliforni mund ta mbajë në burg për pjesën e mbetur të jetës.

Dëshmitë e grave dhe dënimi i Weinstein në Nju Jork kanë shërbyer si katalizator për lëvizjen globale #MeToo kundër abuzimeve seksuale nga burra me pushtet.

Në vitin 2020, një grup grash e paditi Weinstein në një proces civil, që përfundoi me një marrëveshje prej 19 milionë dollarësh për kompensim.