Ka reaguar Ministria e Mirëqënies Sociale për problemin e ish të përndjekurve që po flenë në qiell të hapur prej disa ditësh. Një grup i kësaj ministrie, në përbërje të të cilit ishin drejtorja për Integrimin e ish të përndjekurve politikë, Ermira Shtino dhe kreu i Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë, Bilal Kola, kanë qënë sot me banorët e mbetur të pastrehë në plazhin e Golemit në Durrës.

“Na kanë lënë me keq se skllevërit në këto barrake me fëmijët dhe neve. Bashkia e Kavajës kërkon 80 mijë lekë qira mujore për këto barake, rreth një milionë lekë në vit. Tani çatia ra, ne mbetëm në mes të katër rrugëve pa asnjë zgjidhje”, thonë banorët.  

Banorët i bënë me dije përfaqësuesit të ministrisë se godinat e amortizura janë të pabanueshme dhe për këtë kërkojnë zgjidhje urgjente. 

Zonja Shtino tha se të gjithë problematikën do ta përcjellë tek ministri Klosi, dhe ministritë e tjera për të gjetur zgjidhje të shpejtë.

“Të gjitha ankesat e kërkesat tuaja do t’i kalojnë ministrive për zgjidhje” tha Shtino, e cila nënvizoi se Bashkia Kavajë deri tani nuk ka dhënë asnjë informacion në ministri për problemin e banorëve të mbetur të pastrehë.  

Bilal Kola deklaroi se “situata është katastrofike, ndërsa banesat janë të pabanueshme për njerëzit, ndërsa ligjërisht familjeve të ish-të përndjekura u takonte të strehoheshin falas nga shteti”.

Pak ditë më parë alarmin e dhanë 25 familje në këtë zone, të cilat në orën 08.00 të mëngjesit panë sesi ju shemb çatia e ish kabinave të plazhit, ku ishin strehuar 25 vjet më parë me statusin e ish-të përndjekurit politikë.