Ministeriali Ukrainë-Evropa Juglindore që ishte planifikuar për tu mbajtur në Tiranë më 12 qershor 2026, është shtyrë për një tjetër datë. Lajmin e ka bërë me dije Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Shtyrja e këtij takimi në nivel të ministrave të punëve të jashtme vjen si pasojë e situatës së sigurisë në Ukrainë dhe e angazhimeve në këtë kuadër, të Ministrit të Punëve të Jashtme të Ukrainës, Sh.T. Andrii Sybiha, bashkëorganizator i Ministerialit të Tiranës.
Data e re e zhvillimit të Ministerialit do të bëhet e ditur në një moment të dytë.
Shqipëria vijon të qëndrojë krah Ukrainës dhe të dënojë hapur agresionin rus. Kujtojmë se më 28 shkurt 2024, kryeministri Edi Rama dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nënshkruan “Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës”.
Ky traktat i shërben konsolidimit të miqësinë mes dy vendeve dhe popujve, përmes zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë.





