Trupi i aktorit brazilian Jefferson Machado i cili qe zhdukur prej janarit, është gjetur në një valixhe druri të varrosur gati 2 metra nën dhe.

Aktori i telenovelave, i njohur per rolet e tij në serialin Reis, ishte parë për herë të fundit gjallë më 27 janar.

Dy ditë më vonë, nëna e tij Maria das Dores tregonte se Jefferson i kishte folur per një punë të re për të cilën kishte dhënë intervistë, por kjo kishte qenë hera e fundit që dëgjonte zërin e tij.

Maria nisi të shqetësohej kur nisi të merrte mesazhe teksti nga numri i të birit me gabime drejtshkrimore, dhe më pas kontaktet ndaluan krejtësisht.

Më 9 shkurt Machado u shpall zyrtarisht i zhdukur kur gjashte qentë e tij u gjetën vetëm në shtëpinë e tij në Rio de Janeiro.

Të hënën më 22 maj mbetjet e tij trupore u gjetën nga policia braziliane në një kuti të veshur me çimento, të varrosura në kopshtin e një shtëpie në zonën Campo Grande.

Rrjeti vendas mediatik R7, shkruante se shtëpia ku u gjet trupi i  Jefferson ishte marrë me qera nga një mik i tij, emri i të cilit nuk është publikuar.

Autoritetet thanë se identifikuan trupin nga shenjat e gishtërinjve.