• Militantët e ISIS-it i kanë prerë kokën dy personave në veri të Sirisë pasi akuzoheshin për blasfemi, ndërsa një tjetër e hodhën nga çatia e një ndërtese se ishte homoseksual.

12 dhjetor 2014 –   Personi i parë i akuzuar për blasfemi u vra të hënën në sheshin qendror të qytetit Sulouk, para një turme të madhe njerëzish, ku kishte edhe fëmijë. Lajmi u raportua nga observatori britanik për të drejtat e njeriut.

Në një deklaratë të xhihadistëve “jihadwatch.org”, thuhet se personi i dytë që pranoi blasfeminë iu pre koka në një fshat në provincën Raqqa.

Edhe ekzekutimi i një personi për orjentimin e tij seksual u njoftua nga vetë terroristët.

“Gjykata islamike në Wilayet el-Furat vendosi që një njeri që ka praktikuar homoseksualitetin të ndëshkohet duke u hedhur nga pika më e lartë e qytetit dhe pastaj të qëllohet me gurë për vdekje”, thuhej në deklaratën e tyre të fundit.

Kjo metodë mizore që sipas tyre bazohet në Sheriat, bëhet edhe ndaj grave që tradhtojnë bashkëshortët e tyre.

Më 25 nëntor të këtij viti, Organizata e të Drejtave të Njeriut në Siri, njoftoi se xhihadistët vranë për herë të parë një çift homoseksualësh.