DURRËS – Gjykata e Durrësit vendosi masën e sigurisë arrest me burg për Ismail Xhindin, i akuzuar se në bashkëpunim me të fejuarën 18-vjeçare Fatma Buziu, vodhi 88 mijë franga zvicerane dhe 4 milionë lekëve të reja në banesën e vjehrrit, Shkëlqim Buziu. 

Masa është kundërshtuar nga i pandehuri, me pretendimin se nuk ka dijeni për paratë e vjedhura, teksa ka mbrojtur edhe të fejuarën e tij. 

“Nuk kam patur dijeni që e fejuara po i vidhte lekë të atit, unë vetë kam qenë në shtëpinë e vjehrrit vetëm ditën që u fejova, edhe nëse e fejuara mund të ketë marrë lekë ato kanë qenë në shuma tepër të vogla nga sa pretendohet”,- ka thënë para trupës gjykuese Xhindi. 

Ai ka mohuar që automjetin benz “Regina” ta ketë blerë me lekët e të fejuarës, ndërsa është mbrojtur duke thënë se ia kishte blerë të vëllait biznesmen.

Ashtu si e fejuara e tij 18 vjeçare edhe 25 vjeçarit Ismail Xhindi do t’i duhet të kalojë në qelinë kohën deri në nisjen e procesit gjyqësor ndaj tyre.

Arrestimi i çiftit të ri erdhi pas denoncimit të babait të vajzës, Shkëlqim Buziut për grabitjen e së sasie të madhe parash që ndodheshin në kasafortën e shtëpisë së tij. Mendohet se sasia e parave është grabitur në periudhën kohore korrik-dhjetor 2012.

Sipas hetuesve të çështjes, 18-vjeçarja Fatma Buziu akuzohet se në bashkëpunim me të fejuarin i ka vjedhur të atit paratë që e motra e këtij të fundit, rezidente prej vitesh në Zvicër ia kishte dërguar për t’i ruajtur.