Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) duke marrë shkas nga transmetimi i emisionit investigativ “Stop” në TV Klan të një rasti abuzimi me pensionistët për njohjen e vjetërsisë në punë në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Durrës, pasi bëri verifikimet paraprake, vendosi që për punonjësin pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Durrës të marrë masën “Largim nga puna”.

Përmes një njoftimi për shtyp ISSH, bën të ditur se, në ditët në vijim do të kryhen të gjitha verifikimet dhe veprimet procedurale nëse ka persona të tjerë të implikuar në këtë rast.

“ISSH distancohet nga çdo veprim individual që cenon rëndë Kushtetutën, Kodin Penal, Civil, Administrativ, çdo ligj tjetër në fuqi dhe Kodin e Etikës, e mbi të gjitha që cenojnë integritetin dhe imazhin e institucioneve të administratës publike.

Gjithashtu, garantojmë qytetarët se nuk do të ketë asnjë tolerancë për asnjë punonjës që shkel ligjin, që cenon të drejtën e qytetarëve për të gëzuar të drejtat e tyre, marrjen e shërbimeve falas në përputhje me ligjet në fuqi”, thuhet në njoftimin e ISHSH-së.

ISHSH inkurajon çdo qytetar të denoncojë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore përmes kanaleve zyrtare, raste të tjera të ngjashme apo abuzime me të drejtat e tyre apo të afërmve tuaj.

“Çdo denoncim do të trajtohet me seriozitet maksimal dhe në përputhje të plotë me ligjet në fuqi. Transparenca dhe llogaridhënia janë parimet tona udhëheqëse, dhe së bashku do të garantojmë mbrojtjen e të drejtave tuaja”, thekson ISHSH.