ITALI – Karabinierët e qytetit të Modenës kanë shkatërruar një organizatë kriminale që importonte heroinë nga Shqipëria dhe më pas e shpërndante në qytete të ndryshme të veriut të vendit fqinj. 

Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave në pranga kanë përfunduar 9 persona, shumica e të cilëve shqiptarë, ndërsa janë sekuestruar 7 kg lëndë narkotike. 

Sipas burimeve, nga hetimet ka rezultuar se droga fshihej në dysheme dopio të makinave dhe kamionëve që niseshin nga Shqipëria përmes trageteve. 

Baza organizative e shpërndarjes, sipas burimeve, ishte një bar në një zonë periferike dhe korrierëve të drogës u ndërroheshin shpesh herë telefonat celularë për t’u shpëtuar përgjimeve. 

Më herët gjatë muajit, dy operacione të anti-drogës në Itali, një në Ankona dhe tjetri në Aosta, çuan në prangosjen e dy korrierëve shqiptarë.