ITALI– 21-vjeçari Shahin Tusha ka humbur jetën në Itali, pasi u godit në kokë me një shufër hekuri, pas një sherri mes të rinjve në dalje të një lokali nate në Sesto Fiorentiono. 

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes, kur një grup të rinjsh, që dyshohet se ishin të gjithë emigrantë, janë përfshirë në një sherr masiv për motive banale. 

Fillimisht 15 të rinj kanë bërë fjalë në lokal, por më pas kur 21-vjeçari Tusha dhe shokët e tij kanë dalë nga lokali kanë gjetur një grup tjetër që i priste jashtë me shufra hekuri e shishe të thyera në duar. 

Për pasojë, nga plagët e marra ka gjetur vdekjen në spital 21-vjeçari Shahin Tusha emigrant shqiptar me leje të rregullt qëndrimi dhe punësimi në Itali. 

Policia italiane ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorëve. Paraprakisht dyshohet se shkak i përleshjes mes dy grupeve që ndodheshin në diskotekë, është bërë një femër.