DURRËS, 26 janar 2014 – Pasditen e së premtes, më 14 janar 2014, brenda zonës së sigurisë së lartë në portin italian të Barit u vodh një kamion me këpucë, që sapo kishte mbërritur me tragetin e radhës të linjës Durrës-Bari.
Këpucët e vjedhura kishin vlerën e 86 000 eurove.
Policia private e firmës “Porti Levante Security” si edhe punonjësit e Rojës së Financës as që i vunë re hajdutët, të cilët e nxorën kamionin jashtë portit me dokumente false.
Fatkeqësisht firma shqiptare, që eksportonte këpucët në Itali, e kishte mallin të pasiguruar, kështu që dëmi dotë paguhet nga shtatë vëllezërit Sarçinella, pronarë të firmës transportuese nga Kazarano, një qytezë e vogël në Pulje.
Po kësaj firme në 5 korrik 2013 i është vjedhur një tjetër kamion me këpucë prodhim shqiptar me vlerë 110 000 euro.
Xhuzepe Sarçinela, pronari i firmës transportuese, është i shokuar, sepse autoritetet portuale të Barit e kishin siguruar që kamioni nuk kishte rrezik vjedhjeje, sepse gjendej në një zonë super të sigurt, të mbikëqyrur njëzet e katër orë rresht nga roja të armatosura.
/gj. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





