ROME, 23 shkurt 2013– Ndërsa skandali i mishit të kalit në Europë po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha, së fundmi mishi i kalit është gjetur edhe në disa kampione të lazanjave Bolonjeze të paketuara nga kompania Primia. Ky është testi i parë që del pozitiv në Itali. Përveç tërheqjes nga tregu të produktit është vendosur sekuestro për 6 ton mish të grirë dhe 2.400 paketime "Lasagne alla bolognese".

Ministria e Shëndetësisë së vendit fqinjë është njoftuar gjatë ditës së sotme për rezultatet e analizave nga Instituti zooprofilaktik i Lombardisë dhe Emilia Romagna-s. Ndërkohë kompania që e paketonte është mbrojtur duke thënë se ajo mishin e blen nga kompani të tjera dhe nuk e prodhon vetë.

“E kemi blerë si mish vishi, të shoqëruar bashkë me analizat përkatëse dhe çertifikatat e nevojshme”,- ka deklaruar administratori i deleguar i kompanisë në produktet e së cilës u gjet mish kali.  

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/