Partitë populiste 5 Yjet dhe Lega kanë më pak se dy muaj që kanë formuar qeverinë e re italiane, ndaj është ende herët për të kuptuar se si do ta kthejnë retorikën e fushatës në politika konkrete. Në fakt, mosmarrëveshjet e brendshme të koalicionit mund ta kufizojnë rrezen e veprimit të masave ligjore, ose edhe ta bëjnë qeverinë të bjerë që përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian, në Maj të vitit 2019.
Por nuk është herët për të parë se çfarë do të sjellë për Europën qëndrimin anti-europian i kësaj qeverie. Për udhëheqësit e BE-së, të cilët e ndjekin situatën nga Brukseli, dinamika politike e koalicionit mund të ketë pasoja edhe më të ndjeshme se nismat e tyre specifike.
Ky koalicion është rasti i parë që në një prej vendeve themeluese të bllokut e merr pushtetin një parti që e kundërshton haptazi BE-në. Edhe pse radikalizmi i tyre është kryesisht përgjigje ndaj zhvillimit të ulët ekonomik në Itali këto 20 vitet e fundit, lëvizje të ngjashme kundër sistemit janë fuqizuar edhe në vendet europiane, ku ekonomia është më e mirë. Italia mund të jetë duke treguar se çfarë pritet të ndodhë me shumë vende të tjera, sidomos pas zgjedhjeve të Parlamentit Europian.
Qeveria e re e Italisë nuk ka humbur kohë për të nisur masat kundër emigrantëve. Mateo Salvini, drejtues i Lega-s dhe ministër i brendshëm, e ka ndëshkuar BE-në për faktin që e ka lënë Italinë të përballet e vetme me azilkërkuesit. Retorika e Salvinit është shpesh raciste dhe trazuese, por ai ka të drejtë kur thotë që kriza e refugjatëve kërkon një zgjidhje kolektive. Dështimi i dukshëm i BE-së në këtë çështje ka çuar ujë te mulliri i atyre që i kritikojnë.
Deri tani, sfida e Italisë ndaj BE-së për emigrimin ka detyruar vendet më me peshë të bllokut, si Gjermania, që të nisin negociatat për një zgjidhje të problemit. Por nuk duket se po gjen një qasje bashkëpunuese.
Kjo do të thotë se qeveritë që simpatizojnë qëndrimet e Salvinit do të vazhdojnë të ndjekin politike të njëanshme, ndoshta duke vënë në rrezik edhe udhëtimin pa viza në zonën Shengen. Qëllimi i Salvinit mund të mos jetë shkatërrimi i këtij institucioni bazë të BE-së, por është e qartë që ai po i çon gjërat në atë drejtim.
Ndërsa në frontin politiko-ekonomik, qeveria e re italiane ka paraqitur “Ligjin për Dinjitetin”, që synon të zhbëjë disa nga reformat e tregut të punës, të vendosura nga paraardhësi, kryeministri Renci, që vinte nga qendra e majtë. Këto ndryshime nuk do t’i lejojnë firmat t’i heqin nga puna punonjësit me kontrata të përhershme dhe të punësojnë njerëz me kontrata të përkohshme.
Një studim teknik i kryer nga Institucioni Kombëtar i Sigurimeve, në Itali, parashikon se ligji i ri do të ulë numrin e punësimeve, dhe kjo ka për ta ndikuar buxhetin kombëtar për keq. Qeveria iu përgjigj studimit duke kërcënuar drejtorin e Sigurimeve Kombëtare me pushim nga puna.
Ky sulm i 5 Yjeve dhe Legas ndaj pavarësisë së institucioneve jep një shenjë të asaj që pritet të ndodhë. Dy partitë qeverisëse po hasin konflikte që tani, pasi kanë vështirësi të pajtojnë politikat ekonomike të së djathtës e të majtës brenda kufijve që kanë caktuar ligjet fiskale të BE-së, rregulla që ministri italian i financave thotë se do t’i ruajë. Ky konflikt mund të thellohet nëse koalicioni vazhdon të vërë në zbatim propozimin për skemën e të ardhurave të garantuara, që pritet të reformojë skemën e pensioneve dhe të ulë taksat.
Edhe pse qëllimet e deritanishme të qeverisë përqendrohen në çështje vendase, politikat e tyre mund të kenë nënkuptime të thella për BE-në në përgjithësi. Siç kemi parë në rastin e politikave për refugjatët, qëndrimet e qeverisë italiane do të jenë kundërshtuese me BE-në, sa herë që të munden. Fundja, përballja me BE-në është ajo që pritet nga baza he votuesve të secilës parti. Qeveritë e vendeve të tjera, si ato të Hungarisë e të Polonisë, e kanë vërtetuar tashmë se sa e dobishme është t’ia hedhësh fajin Brukselit për problemet në vend.
Por cili është qëllimi përfundimtar? Qëndrimi agresiv i qeverisë italiane mund të interpretohet si taktikë negocimi me BE-në, por mund të jetë edhe një strategji politike për zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Europian. Ashtu si partitë e tjera nacionaliste në vendet anëtare të BE-së, 5 Yjet dhe Lega mund të përpiqen ta shtyjnë BE-në drejt në federate me më pak rregulla, ku politikat bazë do të jetë kthimi te qeveritë e mëparshme kombëtare.
Por ky rezultat do të shkaktonte paqëndrueshmëri në vendet e Eurozonës. Në mungesë të konsensusit për politikat buxhetore, në mungesë të rregullave të përbashkëta, monedha e përbashkët nuk mund të jetë e qëndrueshme. Edhe pse 5 Yjet dhe Lega nuk kanë bërë thirrje të dalin nga Eurozona apo nga BE-ja, programet e tyre dëmtojnë rëndë themelet e bllokut.
BE-ja duhet ta mbledhë veten e të reagojë. Po shohim një dëm që bëhet vetëm kur një shtet i madh anëtar ndjek një program antagonizmi të BE-së. Italia po tregon se po të mos përparojmë e të krijojmë një union edhe më të lidhur, ajo që na pret në të ardhmen është një shpërbërje e heshtur.
Lucrezia Reichlin, Project Syndicate
Autorja është ish-drejtoreshë kërkimesh te Banka Qendrore e Europës, pedagoge ekonomie te Shkolla e Biznesit të Londrës. / Top Channel