17 maj 2015 – Ndonëse ka kaluar një çerek shekulli nga rrëzimi i komunizmit dhe eksodet biblike të shqiptarëve, përsëri shqiptarët përbëjnë lajm për mediat, me valë emigrantësh. Humbja e shpresës edhe në mrekullinë e Rilindjes, heqja e ndihmës ekonomike për familjet në mjerim ka shërbyer si shkak kryesor për mijëra e mijëra shqiptar, që të kërkojnë azil në vendet e BE-së, kryesisht Gjermani. Mijëra të tjerë sorrollaten në Francën veriore, Belgjikë e Holandë duke u përpjekur të hyjnë ilegalisht në Angli.
Shqiptarët emigrantë, klandestinë dhe azilkërkues janë njëra anë e medaljes. Ana tjetër është vërshimi i italianëve në Shqipëri si emigrantë ekonomikë, duke u punësuar në bizneset e bosëve të rinj shqiptarë apo duke hapur mikro- bizneset e veta. Trend tjetër është edhe vërshimi në Shqipëri i kompanive italiane të tipit ‘call center”. Njëlloj si në fillim të viteve 90-të vërshuan rrobaqepsitë dhe fabrikat e qepjeve të faqeve të këpucve, tashmë “call center-at” janë “rrobaqepsitë” e shekullit XXI. Për sa i përket “call center-ave” në Shqipëri po transferohen jo vetëm kompani private italiane, por edhe kompani shtetërore. E para ishte ACI (Automobil Club Italia), që po mbyll qindra vende pune në Itali për tu transferuar gradualisht në Tiranë dhe Durrës. Pas ACI-it një tjetër kompani publike italiane po transferon aktivitetin e saj nga Sicilia në Tiranë. Filiali 4U i Palermos i kompanisë shtëtërore italiane të basteve SISAL Matchpoint do të shkurtojë 175 vende pune nga 370 të punësuar gjithsejt në Palermo, sepse do ta transferojë pjesërisht aktivitetin në Tiranë. Në Palermo kanë plasur protestat e të punësuarve të kompanisë, që dalin në asistencë. Këto protesta janë përkrahur nga 4 sindikata italiane.
Individë italianë, që e kanë gjithnjë e më të vështirë të bëjnë biznes në Itali për shkak të taksave të rënda, burokracisë mbytëse apo edhe shpenzimeve të larta fillestare për të hapur biznesin (Start-up costs) po transferohen në Tiranë e Durrës. Ky transferim bëhet edhe më i lehtë për shkak të një rënie relative të kostos së transportit të mallrave e të pasagjerëve nga Italia në Shqipëri. Teknologjitë e reja të informacionit kanë mundësuar shumë procese pune të kryhen në distancë e me kosto shumë të ulët. Në këtë konteks theksojmë se në disa media italiane ka zënë vend të dukshëm historia e tre të rinjve barezë (Rajoni i Puljes), që të mbytur nga taksta, të lodhur nga burokracia e kostot në rritje në Itali i kanë kthyer sytë drejt Tiranës. Stefano Carlone, 28 nga Bari dhe dy miqtë e tij pak a shumë në të njejtën moshë, Mirko dhe Gianmarco kanë hapur në Tiranë, që nga tetori 2014 një dyqan “design-i” të quajtur 3+1 Studio. Biznesi i këtyre “tre musketierve është kombinim i dyqanit me studion e projektimit. Stefano pasi u diplomua në Universitetin Politeknik të Barit duke parë se në Itali nuk ekzisteonte asnjë mundësi për të iu drejtua Tiranës. Stefano thekson se ai e regjistroi kompaninë e vet në Tiranë për vetëm 2 ditë dicka e jashtëzakonshme, nëse do krahasohet me burokracinë italiane. Kostoja fillestare e biznesit në Tiranë ishte shumë fish më pak se në Bari. Mirko dhe Gianmarco dy miqtë e tij njëri arkitekt dhe tjetri “designer” iu bashkëngjitën sipërmarrjes së Stefanos. Për italianët, Shqipëria mbetet një treg i etur për prodhimet tipike italiane si psh poduktet e famshme të xhamit të Muranos, “mollët” e Grottaglie-s, llampadarët tipikë italianë etj. Në Shqipëri thuajse të gjithë flasin apo kuptojnë italisht, kështu që nuk është e nevojshme të kesh përkthyes. Për italianët mungesa e sindikatave dhe ligjet liberale për mbrojtjen e punës nga kapitali janë një tjetër shtysë për të bërë biznes në Tiranë. Treshes së të rinjve italianë biznesmenë në Trianë i është bashkuar duke punuar në distancë edhe një arkitekt i ri, që studion e ka në provincën bareze dhe on-line bashkëpunon me Stefanon në Tiranë.
Këto dy histori na japin të kuptojmë se ende Shqipëria eksporton krahë pune dhe importon kapital dhe tru, brain-gain, siç thonë amerikanët.
Agjencia e lajmeve “Dyrrah”





