Çmimet e arit kanë arritur nivele të papara në vitin 2025, me tregtimin e arit në një nivel rekord mbi 3932 dollarë për ons (31 pikë një gramë) që nga shtatë maji, një rritje prej mbi 83 për qind nga viti i kaluar.

Rritja, e nxitur nga tensionet në rritje gjeopolitike dhe pasiguria ekonomike globale, e ka shtyrë vlerën e një shufre standarde ari ( 400 ons ose 12 kilogramë e 400 gramë, mbi një milion dollarë për herë të parë.

BestBrokers shqyrtoi kërkesën e bankave qendrore për ar gjatë vitit të kaluar dhe fillimit të këtij viti duke përdorur të dhëna nga Këshilli Botëror i Arit për të identifikuar blerësit dhe mbajtësit më të mëdhenj.

Raporti thekson një divergjencë në rritje në strategjitë e rezervave të bankave qendrore: ekonomitë më të vogla po i përqendrojnë rezervat e tyre në ar si një mbrojtje kundër paqëndrueshmërisë së valutës, ndërsa ekonomitë më të mëdha vazhdojnë të dominojnë në vëllimin absolut.

Çmimet e arit filluan të rriten vitin e kaluar, pasi si bankat qendrore ashtu edhe investitorët kërkuan asete më të sigurta mes tensioneve gjeopolitike në rritje dhe pasigurisë ekonomike”, vuri në dukje BestBrokers.

Rritja ndihmoi që çmimi i arit të tejkalonte tre mijë e katërqind dollarë për ons deri në qershor, duke e bërë atë asetin e dytë më të madh rezervë në botë, duke tejkaluar euron.

Ndër vendet me pjesën më të madhe të arit në rezervat qeveritare, Bolivia kryeson listën. Që nga dhjetori 2024, ajo mbante 22 tonë e gjysmë ose 96.5 për qind të rezervave të saj totale, me vlerë 2 miliardë e 370 milionë euro.

“Vlen të përmendet se Bolivia nuk ka blerë dhe as shitur ar që nga viti 2002”, thuhet në raport.

Venezuela është e dyta, me 161 ton, që përfaqëson rreth 90 për qind të rezervave të saj ose 16 miliardë e 950 milionë euro. Portugalia, me rreth 383 ton, mban rreth 85 për qind të rezervave të saj në ar – të vlerësuara në 40 miliardë e 224 milionë euro në prill të vitit 2025. Kjo pasqyron një preferencë të gjatë për arin si një ruajtës të qëndrueshëm të vlerës.

Në terma absolutë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet mbajtësi dominues global me 8133 tonë e gjysmë me vlerë 985 miliardë e 600 milionë dollarë ose 855 miliardë e 200 milionë euro.

Ari përbën rreth 79 për qind të rezervave totale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pason Gjermania me 3351 ton me vlerë 405 miliardë e 100 milionë euro dollarë ose 352 miliardë e 400 milionë euro – që përfaqëson 78 për qind të rezervave të saj. Kina, pavarësisht se mban 2294 ton e gjysmë, ajo mban vetëm 6.8 për qind të rezervave të saj në ar. Këto vlerësohen në 241 miliardë euro, duke reflektuar një strategji që i jep përparësi diversifikimit në monedha të huaja dhe asete të tjera.

Vendet e eurozonës, përfshirë Bankën Qendrore Evropiane, mbajtën 10765 ton e gjysmë në prill ose 67.1 për qind të rezervave të tyre.

Rezervat zyrtare globale të arit ishin 36 mijë e 274 ton, duke përbërë 22.2 për qind të rezervave globale. Në Evropë, Polonia udhëhoqi blerjet e arit në tremujorin e parë të vitit 2025, duke blerë 48 ton, tashmë më shumë se gjysma e totalit prej 89 tonësh në vitin 2024.

Mbretëria e Bashkuar, në të kundërt, mban 310 ton ose vetëm 17.3 për qind të rezervave të saj në ar. Renditet e 42 në botë për sa i përket zotërimeve të arit, duke nënvizuar një strategji të përqendruar më shumë në asetet financiare dhe monedhat e huaja sesa në ar.