Policia ka dalë me njoftim zyrtar në lidhje me zbulimin e rreth 500 mijë eurove në portin e Durrësit.
Sipas policisë, finalizimi i operacionit të koduar “Eurot”, është rezultat i një hetim njëmujor dhe se shuma e majme është gjetur në pjesën e sipërme të një autobusi e fshehur në 6 qese plastmasi.
“Nga Policia e DVP Durrës janë shoqëruar disa persona dhe vijon puna për numërimin e saktë të sasisë së eurove dhe për identifikimin e kapjen e personave të përfshirë.”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Njoftimi i plotë i policisë:
Në portin e Durrësit, si rezultat i një hetimi njëmujor të kryer nga Policia Kriminale e DVP Durrës, për mundësinë e futjes së një shume të madhe eurosh në vendin tonë, nëpërmjet portit të Durrësit, gjatë ditës së sotme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Eurot”, është ushtruar kontroll i imtësishëm nga Seksioni kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar i DVP Durrës.
Si rezultat i informacioneve dhe konrollit të imtësishëm, në pjesën e sipërme të një autobusi janë gjetur të fshehura 6 qese plastmasi, brenda të cilave kishte disa pako, me rreth 500 000 euro.
Nga Policia e DVP Durrës janë shoqëruar disa persona dhe vijon puna për numërimin e saktë të sasisë së eurove dhe për identifikimin e kapjen e personave të përfshirë.
Në përfundim të veprimeve do të japim informacion të plotë.





