Në Durrës kërkojnë të nisin mbarë 2023-shin. Në një intervistë mbrojtësi i Teutës, Artan Jaxzhi, analizon situatën e skuadrës së tij, por edhe të Kastriotit, kundërshtarit të radhës së durrsakëve. Jazxhi është i bindur se do të japë maksimumin në këtë takim dhe këtë e thotë pa pikë mëdyshje.
Pauza e kampionatit erdhi si me porosi, pasi po ju krijon mundësi që ta përgatisni me qetësi sfidën me Kastriotin?
Jo se e presim me qetësi, por që na jep mundësi të stërvitemi mirë dhe të jemi agresivë në atë që ne kërkojmë. Këto na japin siguri që ekipi do të funksionojë. Vijmë pas një humbjeje që duhet të reflektojmë.
Çfarë prisni të përmirësoni nga ndeshja me Vllazninë?
Ekipi i ka mundësitë që nga ndeshja në ndeshje të rrisë performancën. Kemi lojtarë cilësorë dhe që duan me patjetër të bëjnë sukses, sidomos pas asaj humbjeje në Shkodër, duhet të bëjmë patjetër kthesën.
Pas dy javësh do të keni përballë Kastriotin. Si e prisni?
Është një ndeshje shumë e rëndësishme kjo. Emocionet sigurisht janë të pranishme, megjithatë ne do të japim maksimumin. Do të luajmë si me të tjerët. Kam besim se do të dalim me një rezultat të mirë.
Sa i fortë është ekipi juaj dhe sa i dobët është Kastrioti?
Ne të gjithë jemi optimistë për sfidën e radhës. Ndërsa për Kastriotin mund të them që janë një ekip i mirë, nuk kanë dallime me të tjerët, pavarësisht gjendjes që po kalojnë.
A jeni të përgatitur për t’u përballur me krutanët, pasi tashmë synimi i tyre janë vetëm 3 pikët?
Të gjithë lojtarët janë përgatitur dhe impenjuar maksimalisht për këtë takim. Megjithatë, çelësi ynë i suksesit nuk është te përgatitjet. Por, ne po punojmë gradualisht, hap pas hapi, në çdo sfidë, për të dhënë më të mirën.
Pas 16 javësh cili është kundërshtari që do ta quanit më të fortë?
Mendoj se të gjitha ekipet do të luftojnë me njëri-tjetrin. Është kampionat i balancuar dhe duhet të gjendet ende forma më e mirë.