Një oficer i lartë i ushtrisë iraniane ka deklaruar se nuk përjashtohet mundësia e një përshkallëzimi të ri ushtarak me Shtetet e Bashkuara, në një kohë kur tensionet mes dy vendeve vijojnë të mbeten të larta pas dështimit të negociatave të reja diplomatike.

Mohammad Jafar Assadi, zëvendësinspektor i Shtabit Qendror të Operacioneve të Forcave të Armatosura të Iranit “Khatam al-Anbiya”, tha për agjencinë iraniane Fars se “rifillimi i konfliktit mes Iranit dhe SHBA-ve është i mundshëm”, duke akuzuar Uashingtonin se nuk ka respektuar asnjë marrëveshje apo premtim të mëparshëm.

Sipas tij, forcat iraniane ndodhen në gatishmëri të plotë për çdo zhvillim të mundshëm.

“Forcat e armatosura janë të përgatitura për çdo veprim të pamatur apo aventurier nga amerikanët”, u shpreh ai.

Deklaratat vijnë në një moment kur raportet mes dy vendeve mbeten të tensionuara, pavarësisht një armëpushimi të arritur më 8 prill dhe të zgjatur më pas. Mosmarrëveshjet kryesore lidhen me programin bërthamor të Iranit dhe kontrollin e ngushticës strategjike të Hormuzit.

Ndërkohë, përpjekjet për dialog vijojnë të mbeten të brishta. Sipas burimeve, Irani i ka paraqitur SHBA-ve një propozim të ri për bisedime përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, por detajet e tij nuk janë bërë publike.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur pakënaqësi për këtë ofertë, duke deklaruar se “nuk është i kënaqur” dhe duke akuzuar udhëheqjen iraniane se është e përçarë dhe e paorganizuar. Ai theksoi gjithashtu se disa kërkesa të Teheranit janë të papranueshme.

Trump, i cili më herët ka mbajtur qëndrime të ashpra ndaj Iranit, ka shtuar se megjithëse preferon të shmangë përshkallëzimin ushtarak, “opsioni i ndërhyrjes mbetet gjithmonë në tryezë”.