Nga Bujar Qesja
3 mars 2020. Këngëtari i njohur Zija Saraçi, mbush 70 vjeç. Ndonësi i lindur në Vlorë, ai shumë i dashur për durrsakët, të cilët e konsiderojnë si djalin e tyre, si këngëtarin që përfaqëson vlerat më të mira të interpretimit.
Pse të bëra kapiten? Për herë të parë e kam përmëndur këtë fjalë, me 17 gusht 2019, në resortin turistin “Bleart”. Miku ynë i çmuar Namik Sadiku, mbështeti fuqishëm një aksion artistik të antologjisë së këngës durrsake dhe ne u takuam së bashku aty. Ti ke bërë boll punë të mira me këngën në Durrës. Ke interpretuar mjaft prej tyre, por tek njëra jo vetëm unë, na ka mbetur xhani, na ka mbetur shpirti. Është kënga e jonë dhe sikur përfaqësohemi më mirë me të.
Një muzikë brilante e Isuf Xhumrit, mikut tonë të shtrenjtë që u nda nga jeta para pak, me një tekst mahnitës të një tjetër miku tonin Moikom Zeqon. Por e kthyer pas këtyre përpjekjeve në piedestal, nga interpretimi yt. Ti sikur kishe lindur për këtë këngë Zija Saraçi dhe ajo këngë sikur ishte bërë, vetëm për ta kënduar ti. Dhe në prezantimin që të bëra para atij publiku aq të magjishëm të 17 gushtit 2019, guxova ta krahasojë këtë këngë si anije gjigande, që ecën e qetë në një det të trazuar dhe që e këndon “kapiten” Zija Sraçi. Dhe asnjë nuk më kundërshtoi për këtë.
Dy këngë janë himn për Durrësin tonë, o vlonjat i ditëve të para të jetës dhe durrsak i ditëve të mëvonshme. “Të falem i bukuri Durrës” kënduar nga Qemal Kërtusha dhe “Kënga e Marinarit” tënd, e destinuar të na shkaktoj mornica sa herë e dëgjojmë. Kjo është vlera e artit Zija dhe ky është mesazhi, që përcjell në të një artist kalibri siç je ti.
Të kam fiksuar që në vogëli dhe në rininë tonë të parë. Me një kitare akustike, mblidheshin rreth teje të “urtët” dëgjues, që kënga e dalë nga shpirti dhe e përcjell tek ne po me një dimension të tillë, e kalonte “kufirin” që kishte vendosur koha e para 90-tës. Dhe ti rrezikove, por ngroheshe në shpirt nga pritja e jonë e pa masë, nga ajo pritje, që kur e kujojmë na ngjall mall dhe dashuri.
Gjithnjë e kam mbështetur pozitivitetin e punës tënde. Unë e ndjej, madje e kuptoj më shumë se çfarë mund të mendohet, se ti Zija Saraçi je një lloj idealisti, që kërkon veçse mrekullinë, më të arrirën, më të përsosurën në atë që quhet këngë, në atë që konsiderohet krijim, në atë që trajtohet si arti i interpretimit. Dhe e tejkalon kohën në atë oreks që kurrë nuk shuhet, në këtë idealizëm që shyqyr që e ke dhe shyqyr që e ndjejmë dhe e prekim tek ty.
Antologjia e këngës durrsake! Kemi takuar së bashku dhe kemi shkëmbyer mendime. Ti je i veçantë këtu. Ti e don dhe e dashuron këngës deri në qelizë. Por ti më së pari më duket dhe e kam bindje këtë, don durrsakët e t’u të interepretimit, që gëzohesh pa masë kur i mbledh dhe ndan me ta hallet dhe gëzimet e këngës. Dhe ky 70 vjetor të gjen me këto shqetësime, prandaj dhe mendoj se ke një arsyje për të mos u plakur. Njeriu me plane, njeriu me synime, njeriu që sakrifikon dhe është i ngacmuar maksimalisht emocionalisht, ia del në atë që kërkon të bëjë.
Ti po lodhesh dhe po përpiqesh shumë dhe në kushte shëndetësore disi të kufizuara. Të është dobësuar paksa shikimi, por kurrë shikimi për të parë ardhmërinë e antologjinë së këngës durrsake dhe interpretimin historik të saj. Dhe punon e punon vazhdimisht. Dhe pa interes. Dhe pa shpërblim. Veçse djersa dhe mundi yt, nuk të lejnë në baltë.
Mund të flas dhe shkruaj shumë gjatë për ty. Dhe teksa hedh këto rradhë në nder të 70-të viteve të tua jete dhe përjetimesh nga më të ndryshmet, nuk më le të qetë një ngacimim shpirtëror. Mëndjen ma ka pushtuar, zemrën ma ka mbledhur, një melodi e njohur. Ajo vjen si një fllad pranvere, e lyer me erën e kripur dhe shoqëruar me piskamat e njohura të pulëbardhave.
Jam pushtuar i tëri me këtë krijim të magjishëm, që është pasuri e pandrruar veçanërisht për ne durrsakët. Është kënga e Marinarit tënd Zija. Është kënga e marinarëve tonë Zija, pjesë jetësore dhe nostalgjike i Durrësit tonë, i durrsakëve të mi dhe të tutë. Dhe ti si kapiten i anijes tonë, ku brenda më duket sikur është strehuar një qytet i tërë, ke ende rrugë për të bërë. Kjo anije magjike e jotja, me atë zë, (oh çfarë zëri!) që të rrënqeth mishtë, do të ankorohet në shumë mole shpirtërore të tuat. Dhe më pas do të niset, për të vazhduar rrugëtimin në dekada të tjera të jetës tëndë.
Gëzuar 70-të vjetorin e lindjes kapiten!
Durrës: 3 mars 2020