4nëntor 2015 – Gjatë ditëve të fundtetorit studiuesi triestin Paulo Muner, mbas një pune 2-vjeçare prezantoi para studiuesve, historianëve, përfaqësuesve të medias dhe qytetarëve të shumtë, librin e tij të ri: “Jo vetëm “Hymni i Flamurit”. Mbas një pune kërkimore shkencore, hulumtimeve e intervistave të shumta, Muner u dhuroi shqiptarëve një libër tjetër me vlerë në fushën e muzikologjisë historike, që pasuron fondin e Albanologjisë shqiptare. Libri fillon me një strofë të hymnit tonë kombëtar,
“Se Zoti vet i tha me gojë
Që kombe shuhen përmbi dhe,
Po Shqipëria do të rrojë,
Për të, për të luftojmë ne”…
Më pas në studimin e tij Muner shkruan se, “Viti 2012, siç e dimë ishte tejet i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, për gjithë shqiptarët më mirë, se celebroi 100-vjetorin e parë të Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë kontekst spikatën veçanërisht dy elemente kombëtarë, simbole të mirëfillta, Flamuri dhe Hymni. Janë dy elemente që kanë një vlerë absolutisht krenare për çdo komb, por për gjithë shqiptarët mund të themi dhe më shumë. Pra, nuk është aspak rastësi që 28 nëntori, festa kombëtare, dita e Shpalljes së Pavarësisë, quhet dhe dita e Flamurit dhe Hymni Kombëtar. Hymni i Flamurit, është luajtur për herë të parë si i tillë, pikërisht më 1912”. Në vijim nëpërmjet fakteve e dokumenteve, shumica e të cilave publikohen për herë të parë, autori përshkruan ekzekutimin për herë të parë të hymnit aktual, autorin e tekstit dhe muzikës, reagimet dhe rolin e patriotëve jashtë territorit të Shqipërisë. Por e veçanta e këtij libri është sjellja në vëmendjen e studiuesve tanë dhe shqiptarëve kudo që janë e përpjekjeve shekullore të iliro-shqiptarëve për të pasur një hymn, marsh ose fanfarë, para çdo beteje, lufte, tubimi ose përpjekje shtetformuese.
Kështu hap pas hapi fillojmë me trumbetat ilire, daullen e Gjergj Kastriotit, derisa vijmë tek vitet e lavdishme të Lidhjes së Prizrenit. Me iniciativën e Pashko Vasos, njërit nga shpirtërat frymëzues të lidhjes, teksti i këtij autori i Majit 1880, “O moj Shqipni”, dhe muzikë të mjeshtrit Giovanni Canale nga Napoli, i cili ishte atje si dirigjent i orkestrës së parë frymore, u ekzekutua ky himn në katedralen e Shkodrës, nën titullin “Bashkimi i Shqipnisë”. Ky marsh u ekzekutua nga Banda e Ushtrisë më 10 qershorit 1978, me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, gjithashtu u interpretua ne variantin orkestral nga orkestra simfonike e Teatrit të Operas dhe Baletit më 28 nëntor 2012, në 100 vjetorin e pavarësisë.
Nisur nga titulli i librit “Jo vetëm Hymni i Flamurit”, autori nëpërmjet faqeve të librit na sjell dokumente shtesë për punën e shqiptarëve jashtë trojeve etnike në pasjen e një hymni kombëtar nga shqiptarët e diasporës. Kështu ka dhe një himn të vitit 1913, të shqiptarëve të Borgo Erizo, Arbanas të Zarës, {Kroaci}, themeluar në mes të shekullit XVIII-të, prej emigrantëve të Shkodrës dhe Tivarit. Pikërisht nga ky vend e ka origjinën dhe familja e autorit, të cilën për hir të së vërtetës ai nuk e fsheh, por e pranon me kënaqësi këtë fakt, pra, që e ka origjinën e vet shqiptare.
Në kapitullin IV, autori na sjell një ngjarje historike për shqiptarët, Kongresin e Triestes, të 4 Marsit 1913. Në këtë kongres, që u drejtua nga i madhi Faik Konica, morën pjesë shqiptarë nga gjithë bota, përfshirë figura të njohura të Rilindjes. Kështu mund të përmendim: Fan Nolin, Dervish Himën, Fazil Toptanin, Pandeli Evangjelin, Nikoll Ivanajn, Princin Alberto Gjika, Sotir Kolean, Stefan Kaculinin, përfaqsëues me zë të kolonisë arbëreshe të Italisë: Giuseppe Schiro, Anselmo Lorechio, Terenzio Toçi, Giovanni Castriota Skanaderbeg, {markezi i Auletës, si dhe përfaqësues të Triestes dhe Borgo Erizo}. Në këtë tubim të rëndësishëm direkt mbas ngjarjeve të turbullta në Shqipërinë e asaj kohe u diskutua për të ardhmen e Shqipërisë, pavarësia e të cilës ishte shpallur disa muaj më parë. {Foton origjinale të këtij tubimi e gjeni jo vetëm tek ky libër, por dhe tek “Antologjia e Detarisë shqiptare”, vëllimi i Dytë dhe i Tretë}. Kujtojmë lexuesit se dhe protagonisti i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemali erdhi në Durrës më 26 nëntor nga Triestja me tragetin “Taurus”.
Gjatë katër ditëve të takimit u përdorën gjerësisht simbolet kombëtare, u tundën flamuj, u brohorit “Rroftë Shqipëria”, madje u luajt dhe një hymn shqiptar. Lidhur me këtë fakt “L’osservatore Triestino”, e 6 marsit 1913 shkruante, “pasi fotografi shkrepi në sallë, nën dritën e magnezit një fotografi të kongresistëve, u këndua hymni shqiptar”, (me vargjet e Asdrenit).
Por kërkimet vazhdojnë, bashkë me të dhe hymnet. Në vitin 1913, Shkodra, mbas një pushtimi të stërgjatur serbo-malazez ishte nën regjimin ndërkombëtar. Midis të tjerave asokohe gazeta e Firences “Diari e lettere” shkruante: “30 gusht 1913…zbavitje artistike të detashmenteve të ndryshme {300 burrave anglezë, një batalioni të Austrisë dhe Italisë, nja njëqind gjermanëve e 200 francezëve} i shtohen dhe tre banda. Shkodranët s’kanë dëgjuar kaq shumë muzikë. Tashmë kanë dhe hymnin e tyre shkruar prej maestros sonë…”
Duke vijuar në rrëfimin e vet dokumentar, autori po në këtë kapitull na sjell një rrëfim tjetër: ishte mbrëmja e festës së Shën Antonios, 12 qershor 1913; prej thuajse një muaji fuqitë ndërkombëtare kishin pushtuar qytetin, duke evakurar malazezët që kishin pushtuar këtë qytet mbas një rrethimi 7 mujor, e duke ngritur mbi kështjellën e Rozafatit flamujt e tyre, por jo atë shqiptar. At Gjergj Fishta, duke u këshilluar me disa bashkëvëllezër, u përpoq të valëviste flamurin shqiptar; ndërkohë i përfshirë nga entuziazmi për mbarimin e rrethimit, kompozoi dhe një himn, i cili iu mësua fëmijëve të shkollave franceskane.
Muzika e hymnit ishte kompozuar prej Lec Kurtit, kompozitor e më pas diplomat, i cili mërgoi në Itali, ku dhe ndërroi jetë, pasi ishte pjesë e Ballit Kombëtar. Mbas kongresit të Triestes u gjet një zgjidhje shqiptare, ky ishte princi gjerman Vilhelm Vid, i cili erdhi në Durrës me anijen perandorake austro-hungareze “Taurus”. Në kronikat e asaj kohe shkruhet se “kur treni mbretëror hyri në stacionin e Triestes, pak çaste pasi madhëria e tij, Princ Vid I zbriti prej veturës-vagon, i ndjekur prej bashkëshortes, princeshës Sofia dhe damave të saj të nderit, muzika luajti hymnin shqiptar”. Dy ditë më pas, më 7 mars, kur mbërriti në Durrës, princi u prit prej autoriteteve shqiptare dhe të huaja, teksa banda luante hymnin kombëtar, kompozuar prej maestros Italian Nardella. Pra kemi një himn të vecantë për këtë princ, të shkruar nga Lonith Logory, {në shqip Loni}, kompozitor shqiptar i këngëve të ndryshme në vitet ’20-30, njëkohësisht dhe drejtor i bandës bashkiake të Barit. Shtëpia botuese “La Canzonetta” e Francesko Fedele, Napoli, shkruan se “botimi i këtij hymni u kurua prej shtëpisë sonë botuese dhe qysh prej kësaj jave gjendet në shitje në gjithë botën”. Këtë e saktëson dhe fakti që shtëpia më e madhe diskografike e SHBA, Victor, Nju jork, në katalogët e saj rezulton se më 28 mars 1918, kur princ Vid kishte katër vite që ishte larguar nga Shqipëria, mbi diskun 10 polsh, nr.72187, publikohet hymni mbretëror me autor Loni Logori. (Lonith Logory) dhe interpretuar nga tenori Giusepe Mauro.
Këtë kantautor e ftoi Spiridon Ilo (firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë më 1912), i cili e bindi këngëtarin të transferohej nga Bukureshti në NYT, ku u realizuan disa incizime të këngëve patriotike shqiptare, mes të cilëve dhe hymnin në fjalë. Burime shqiptare, gjatë viteve ’20 të shekulli të kaluar, i citojnë incizimet e himneve shqiptare nën logon “Kolumbia”. Gjatë viteve 1914-1920, në Vlorë ka pasur një hymn italo-shqiptar, shkruar për fëmijët e shkollave fillore të Vlorës, i cili tani për tani ka ngelur vetëm në një tekst italisht.
Në vitin 1926 gjejmë një himn tjetër “Marshi i Ahmet Zogut”, me vargje të Kristo Floqit dhe muzikë të Thoma Nasit, të dy shqiptaro-amerikanë.
Shtysa për librin
Në fund të librit studiuesi triestin na shpjegon dhe ngjarjen që shërbeu si indicie për të shkruar këtë libër interesant në fushën e vet. “Ishte 19 nëntor 2014. Në stadiumin “Ferraris” të Xhenovës luhej ndeshja miqësore midis ekipeve kombëtare të futbollit Itali-Shqipëri. Dukej sikur dy kombëtaret takoheshin për herë të parë, pavarësisht historisë së marrëdhënieve qindra vjeçare mes dy popujve e shteteve tanë. Pas ekzekutimit të hymnit kombëtar shqiptar, kënduar në kor nga një popull i tërë, rreth 20 mijë vetë, u këndua dhe hymni italian, po nga këta njerëz. Kuptohet që për ta Italia është bërë atdheu i dytë këto 20 vite. E pranoj këtë fakt dhe i jap të drejtë shqiptaro-italianëve”, tha Paulo Muner.
Fjala e ish-ambasadorit Paolo Foresti
“Falenderojmë Paolo Muner, që ka shkuar të kërkojë sërish, si një i pasionuar vërtet pas bibliotekave, gjithëshka që dokumenton vokacionin e vërtetë europian të Shqipërisë, edhe përmes origjinës së himneve kombëtare. Në një kohë kur argumentohet kaq shumë mbi pjesëmarrjen e plotë të Tiranës në procesin e integrimit europian, në gjirin e Bashkimit, s’mund të linim në heshtje këtë kontribut të kufizuar, por të cmuar, mbi origjinën plotësisht europiane të himneve kombëtare, nga pavarësia deri më sot. Është në traditën e këtij populli ruajtja e vlerave historike të një Evrope, të cilës qysh më 1400-ën, ju mbrojt pavarësia dhe parimet themelore nga një Hero Shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili, në shenjë mirënjohje, universal, është kthyer në ikonë të Evropës sonë. Kjo është pra, Shqipëria që zbulohet edhe prej kësaj pune të re të Paulo Muner-it, së cilës duam t’i japim meritën që i takon.
Fjala nga Shefqet Kërcelli
“E quaj fat që para 15 vjetësh kam njohur Kapitenin e Rangut të III-të Paulo Muner, si pjesë e Delegacionit Ushtarak të Ekspertëve në Shqipëri, DIE,{Delegazione Italiana Esperti in Albania}. Një oficer i thjeshtë, serioz, korrekt tepër bashkëpunues me kolegët shqiptarë. Gjatë kohës së shërbimit në Shqipëri shfaqi interes për studimin e historisë shqiptare, veçmas traditën e detarisë. Pas 3 vitesh, më 2009, Paulo nxori në dritë librin e tij të parë për historinë e Shqipërisë, “Një histori shkodrane”, një libër që nëpërmjet dokumenteve të Arkivës së Kapitanerisë Austriake Triestrine na tregon historinë dhe flamujt e parë të përdorur nga anijet tregtare shqiptare në vitet 1913-1914. Në maj të 2015, mbas një pune të shumtë kërkimore-shkencore solli në dritë librin “Shqiptarët e Triestes”, një nga librat më të kompletuar për historinë e shqiptarëve të Triestes, që do futet në fondin e artë të Albanologjisë Shqiptare. Dhe së fundi “Jo vetëm Hymni i Flamurit. Duke parë këmbënguljen e këtij njeriu fisnik në botimin e librave për Shqipërinë, me bindje them se zoti Paulo është 100% shqiptar dhe tashmë ai ka krijuar fizionominë e tij si studiues i historisë së shqiptarëve”.
/portali DurresLajm/





