Kompania kryesore e basteve në Angli është në telashe. Ajo është gjobitur nga Komisioni i Lojërave të Fatit me 1 milion paund për shkak se ka bombarduar me reklamë klientë, të cilët kishin vendosur që të hiqnin dorë nga bastet, të paktën përkohësisht.

Komisioni shtetëror ka zbuluar se 50 mijë klientë, që kishin mbyllur llogaritë e tyre online, janë bombarduar nga kompania e basteve me materiale reklame në email-et e tyre, telefona dhe aplikacione, duke i joshur sërish 736 prej tyre që të rihapin llogaritë dhe hyjnë sërish në vallen bixhozit.

Kjo është antiligjore në Britani, pasi klientët kishin vendosur me vullnetin e tyre për të mbyllur llogaritë dhe kompania duhet të respektonte zgjedhjen e tyre dhe jo t’i joshte për t’iu rikthyer lojës, çka rrezikon statusin e tyre financiar, por edhe social.