“Jul Cezari ka qënë një nga personalitetet  historike që luajti një rol të madh në skenën e historisë botërore. I pajisur me cilësi të rralla ai mundi të kalisë jo vetëm botën e atëhershme por edhe shekujt e mëpastajmë deri në ditët tona. Strateg e gjeneral i madh ai dërmoi në një kohë të shkurtër armiqtë e tij personalë si edhe ata të popullit romak, pushtoi krahinat më kryesore të Evropës së sotme, lartësoi perandorinë romake, përhapi qytetërimin romak në shumë vende, rregulloi kalendarin dhe përgatiti  plane e projekte me një dobi të përbotshme. Ai shkëlqen në botë me mendjen e tij të hollë, me zgjuarësinë e jashtëzakonshme, me gjakftohtësinë dhe përkurmërinë, me fisnikërinë dhe shpirtmadhësinë, me zemërbardhësinë dhe butësinë, duke lënë gjurmë të veprave të tij, të cilat nuk mund t’i shuajë jo njeriu por as koha, e cila ka zakon të prishë e të shktërrojë çdo gjë në këtë botë.” shkruan Plutarku në veprën e tij për jetën e Cezarit.

          Edhe më i përcipti jetëshkrim i këtij njeriu të rrallë, do të mbushte faqe të tëra, por do të përpiqemi që kjo paraqitje kronologjike e jetës së tij, të jetë sa më e shkurtër e sa më e plotë.

Gajus Julius Caesar lindi në Romë më 13 korrik të vitit 102 para e. r., në një familje shumë të vjetër dhe fisnike, që, nga ana e nënës, shkonte deri te mbreti Ank Marci dhe, nga ana e të jatit, deri tek Venera dhe Ankizi; ishte, pra, pinjoll i një familjeje fisnike, që mendonte se e kishte zanafillën tek Juli, i biri i Eneut. Për vitet e para të jetës së tij ka pak njoftime, por dihet që ka marrë një edukim të mirë dhe të kudesshëm, kryesisht, falë nënës së tij, Aurelia, që, Taciti e quante të ngjashme me Kornelien, nënën e Grekëve, për lartësinë e karakterit. Megjithatë, Jul Cezari e kaloi fëmijërinë dhe rininë ashtu si gjithë fëmijët e familjeve fisnike të kohës; por, i pajisur me karakter të fortë, i bëri ballë jetës së shthurur dhe të zbrazët. U njoh me të gjitha disiplinat në Romë nga mësues me emër dhe e plotësoi arsimimin e vet me studime të mbështetura në greqishten e vjetër.

          Në moshën 16 vjeçare, Cezari humbi të jatin, kurse, ende djalosh 17 vjeçar, në vitin 85 para e.r., u zgjodh prift i Jupiterit (flamen dialis). Pas vdekjes së Marit, kushëri i afërm i tij, dhe fitores së Sulës, Cezari nuk e mbajti për shumë kohë këtë detyrë.

          Svetoni, në veprën e tij për Cezarin, shkruan: “Në moshën 18-vjeçare (Cezari) u martua me Kornelien, vajzën e Cinës, katër herë konsull, e cila, pak më vonë, lindi vajzën Julia. Sula, diktatori, e urdhëroi ta linte, por Cezari nuk pranoi; atëhere ky (Sula) si e zhveshi nga detyra fetare, nga prika e së shoqes dhe nga trashëgimia atërore, e quajti kundërshtar të partisë së tij. Për t’i shpëtuar vdekjes, rioshi duhej t’i hiqej sysh dhe, megjithëse ishte keq nga ethet e malarjes, u detyrua të ndryshonte vendin e fshehtë, thuajse, çdo natë, dhe të shpëtonte me të holla nga vrastari, derisa, duke ndërhyrë murgeshat  vestale dhe Mamerk Emili e Aurel Kota, të afërm të tij, Cezari kërkoi falje. Dihet që Sula, pasi u kundërshtoi gjatë lutjeve të zjarrta dhe këmbëngulëse të këtyre njerëzve, që kishin shumë autoritet dhe ishin shumë miq me të, më në fund, u dorëzua; por, ose e hamendësoi, ose e frymëzoi një Hyjni. “Mirë, pra, fituat dhe mbajeni, – u tha, – por ky që kaq shumë e dëshironi shëndoshë e mirë, shpejt a vonë do të jetë shkatërimi i fisnikërisë, që ju e keni mbrojtur bashkë me mua. Te ky Cezar janë shumë Marë”.

          Megjithëse shumë i ri , Sula njohu te Cezari “brumin e shumë Marëve”. Kështu ishte shkruar nga fati. Sula, që e njohu dhe e parashikoi Cezarin, e kurseu. Pompeu, që nuk do ta kishte kursyer, nuk e kuptoi aspak ose e lexoi keq. Pompeu që mbante në duart e veta Fatin, trimëritë dhe bëmat, Pompeu që ishte përshëndetur nga vetë  Sula si imperator, pikërisht këtij, i ishte mbushur mendja se qe vërtet një gjeneral i fuqishëm dhe i mendonte të vetat fitoret që të tjerët kishin përgatitur, ndoshta, ky shpresoi se Cezari, gjithashtu, do të mund t’i shërbente në një farë mënyre, si fron për të arritur qëllimet e veta dhe do të përgatiste për të, fitore të reja dhe ngadhnjime të reja. Për këtë arsye jo vetëm e kurseu, por edhe e ndihmoi.

          Ende në moshë të re, Cezari pa terrorin e luftës sociale dhe tmerret e luftës civile mes Marit e Sulës, prandaj duke mos i besuar  fort faljes së Sulës, gjithashtu, për t’i shpëtuar zemërimit të fisnikërisë shkoi në Azi, ku filloi karierën ushtarake nën drejtimin e propretorit Minuc Termi, dhe kreu veprime që ranë në sy. Pastaj kaloi në Bitini, pranë mbretit Nikomedi III, ku mori pjesë në rrethimin e Metilenës, duke fituar kurorën qytetare, falë trimërisë së tij; së fundmi, luftoi kundër piratëve  në vitin 78 para e.r. bashkë me Pabël Servilin. Ndërkohë, i erdhi lajmi për vdekjen e Sulës, prandaj u kthye me nxitim në Romë, ku filloi karierën politike dhe atë të gojëtarisë, duke u futur menjëherë në radhët e partisë popullore.

          Cezari hyri në jetën politike në vitin 77 para e.r. dhe, ndër veprimet e tij të para politike, qe akuza për nëndore nga persona të partisë aristokrate, ku u shqua për padinë që bëri kundra Dolabelës për shpërdorimet e tij në Maqedoni.

          Në vitin 75 para e.r. u drejtua në Rodi për të plotësuar studimet në fushën e gojëtarisë, ku ndoqi leksionet e gojëtarit të famshëm, Apolo Milonit, që kishte qënë edhe mësuesi i Ciceronit. Gjatë udhëtimit, u zu rob nga piratët, por, i liruar me të holla, organizoi një goditje të fortë kundër tyre dhe, si i kapi po ata piratë që e kishin zënë, i kryqëzoi në Pergam. Pas një qëndrimi të shkurtër në Rodi, kaloi përsëri në Azi, ku mori pjesë në luftën e tretë kundër Mitridatit, derisa, më në fund, i zgjedhur në një detyrë të lartë priftërore, u kthye në Romë. Si mori këtë detyrë, priti disa vjet, sa të bënte për vete partinë popullore dhe të lidhej më fort me Pompeun.

          Në vitin 71 para e.r., Pompeu kthehej nga Spanja, pasi kishte përfunduar luftën kundër Sertorit dhe përktahësve sertorianë. Një vit më pas, Pompeu qe konsull bashkë me Krasin. Cezari u bë një nga përkrahësit më të zjarrtë të politikës së dy konsujve.

          Në vitin 68 para e.r., ai qe kuestor në Spanjë dhe, duke u kthyer, përkrahu kërkesën e banorëve të përtej lumit Po, për të fituar të drejtën e qytetarisë romake, gjë që përkonte me idealet dhe mendimet e tij.

          Një vit më pas, përkrahu  në Senat ligjin  Gabinia, i cili kërkonte  të formohej një forcë e vetme nën drejtimin e Gnej Pompeut në luftën kundër piratëve, kurse pak më vonë, përmes ligjit Manilia, ndoqi Lukulin në luftën kundër Mitridatit. “Mbështetës i zjarrtë i këtyre dy ligjeve qe edhe Cezari, sepse, na thotë  Dion Kasi, Cezari dëshironte me shpirt të fitonte dashamirësinë e popullit, që e mendonte shumë më të fuqishëm se senatorët dhe, në të njejtën kohë, i hapte rrugë vetes për të  miratuar në të ardhmen dekrete të tilla të ngjashme, në dobi të vetes së tij; me këto ndere, që shkonin në të mirë të Pompeut, dëshironte ta vinte përballë një zilie më të madhe dhe përpiqej ta bënte të bezdisshëm , me qëllim që, sa më shpejt, populli të mërzitej prej tij”.

          Cezari largpamës, dhe i pajisur me një ambicje të jashtëzakonshme, deshironte që ta zgjeronte e ta forconte autoritetin e vet në popull; por, njëherësh punonte që Pompeu të mbetej jashtë Romës pa iu hijëzuar figura, me qëllim që, më pas, kur të vlerësonte se kishte ardhur ora, ta përdorte në dobi të vet. Cezari i lexoi qartë dhe diti të përfitojë shumë mirë nga rrethanat dhe ngjarjet.

          Ndërsa Pompeu fitonte në Azi dafina jo fort të vështira, por jo pak brohoritëse, në Romë ndodhnin turbullira. Ishte viti 65 para e.r., kur Cezari u zgjodh nëpunës edil, bashkë me Bibulin, njeri i pasur por i mefshët dhe i plogësht. Gjatë kësaj detyre, Cezari organizoi dhe zhvilloi lojëra  të mrekullueshme  me një numër aq të madh gladiatorësh, sa Senati ia pati frikën e ndonjë rrëmuje; gjithashtu, bëri shpenzime  shumë të mëdha për të zbukuruar ndërtesat publike dhe për të rregulluar rrugën Apia.

Në vitin 64 para e.re. Cezari qe kryegjykatës dhe duhej të gjykonte ata që, në kohën e tmerreve të Sulës, ishin caktuar për të vrarë personat e shpallur jashtë ligjit: Dënoi dy vetë, por jo Katilinën, i cili ishte më i egri ndër të egrit. Një vit më pas, përmes Tit Labienit që më vonë qe pëfaqësuesi i tij në Gali, paditi një senator, sepse 36 vjet më parë kishte vrarë ose kishte marrë pjesë në vrasjen e Apulej Saturninit, i cili, sipas Ciceronit, ishte më gojëtari i të gjithë turbulluesve, pas Grakëve. Mbrojtës ishin Ciceroni dhe Hortensi; senatori i shpëtoi vdekjes  për rrethanat e krijuara, por Cezari arriti atë që kërkonte: Siguroi besimin dhe mbështetjen e popullit. Dhe provë shumë e qartë e shumë e rëndësishme e kësaj përkrahjeje qe zgjedhja e tij, si Pontifex Maximus, përballë dy kundërshtarëve  fisnikë dhe me ndikim në Senat, Lutac Katulit dhe Pubël Servil Izaurikut. Ndërkohë, Katilina, më i korruptuari dhe më i shfrenuari ndër të rinjtë romakë, hartonte përbetimin e famshëm, që njihet në histori me emrin “Komploti i Katilinës” të zbuluar dhe të dënuar nga Ciceroni. Cezari me gojëtarinë e tij, me kulturën e gjerë, me mendimet e larta, fisnike e njerëzore, mbajti një fjalim të rreptë në Senat për t’ia arritur që drejtuesit e komplotit të Katilinës, të arrestuar në Romë dhe të pohuar fajtorë, të mos ndëshkoheshin me vdekje, po të mërgoheshin përjetësisht jashtë Romës, në qytetet më të forta të Italisë, dhe t’u konfiskoheshin pasuritë, por propozimi i tij nuk u pranua. Mbi qëndrimn e Cezarit ndaj komplotit të Katilinës, dëshmitë e lashta janë të ndryshme. Tani, thuajse të gjithë pranojnë që Cezari, i lidhur ngushtë me Krasin në këtë kohë, vetëm e ka mbështetur, Katilinën në grushtshtetin e parë të dështuar të vitit 66 para e.r., ku fitoi Ciceroni, por që është ndarë prej tij në zgjedhjet e vitit 63 para e.r., veçanërisht kur pa të kompromentuar çështjen e komplotistëve dhe të dështuar planin e tij për të shtënë në dorë këtë përbetim, me qëllim që të rrëzonte klasën sunduese, të përfaqësuar nga Ciceroni dhe nga Pompeu. Gjithsesi, Cezari u përpoq t’u ndihmonte Katilinës dhe drejtuesve kryesorë të komplotit, por fitoi mendimi i Katonit, që kërkonte dënimin e tyre me vdekje. Me këtë rast, Cezari e Krasi humbën diçka nga prestigji i tyre, por, nga fuqia që kishin  arritur, i shpëtuan veprimit ciceronian.

          Në vitin 62 para e.r., Cezari fitoi detyrën e pretorit; jo shumë pas kësaj detyre, ai drejtoi Spanjën Ulteriore si propretor. Në Spanjë, Cezari u dallua si administrator i aftë dhe gjeneral i zoti, duke nënshtruar fise e kombe deri në Atlantik.

          Ndërkaq Pompeu kthehej nga Azia në Romë me fitore, i duartrokitur dhe i admiruar për t’u pasur zili. Qarkullonte fjala se do të hynte në qytet me të gjitha forcat për t’u bërë tiran, por, si zbarkoi në Brundis, e shpërndau ushtrinë, sepse besoi se, një vit pas komplotit të Katilinës, kur Senati ishte ngritur kundër një lidhjeje ushtarake, ishte më mirë të shfaqej i vetëm në Romë. Por gaboi rëndë. I ardhur në Romë, ngarkuar me lavdi dhe pasuri, ngadhënjeu, në tetor të vitit 61 para e.r., një nga triumfet më të shkëlqyera që qenë parë ndonjëherë. U kthye i rënduar jo vetëm nga thesare, por edhe nga një krenari e pamend.

Senati e pati frikë fuqinë e Pompeut, prandaj  për t’ia ulur hovin e fitoreve dhe të ngadhnjimit, nuk miratoi kërkesën e tij për emërimet e konsujve të rinj, për leshimet që kishte bërë ndaj princërve, monarkëve dhe qyteteve të huaja. Mbi të gjithë, e kundërshtoi Luc Lukuli, të cilit i dhimbte shumë që e kishin detyruar të largohej nga drejtimi i luftës në Azi, kur fitorja ishte e sigurt dhe e afërt; e kundërshtoi Krasi, i cili, si kishte thyer e vrarë Spartakun, shkatërruar e vënë në arrati ushtrinë e frikësuar të skllevërve, kishte parë t’i rrëmbehej lavdia nga Pompeu. Vështirësitë dhe kundërshtitë dukeshin të pakapërcyeshme për Pompeun.

          Por, ja tek ia behu edhe Cezari, duke u kthyer nga Spanja e vënë në rregull, e frenuar, e paqëtuar, i pasur me ar dhe lavdi ushtarake, me mendjen e ngulitur ndaj një qëllimi bukur të qartë dhe të pandryshuar asnjëherë. Drejtimi i provincës spanjolle e kishte fuqizuar ekonomikisht, i kishte dhënë lavdi ushtarake dhe e kishte pajisur me një kuptim të thellë të përgjegjësisë së pushtetit. Këtë çast qe mbi 40 vjeç; ishte në kulmin e fuqive fizike dhe intelektuale e, tanimë mund të synonte të arrinte atë çfarë kishte formëzuar që në të ri: të mbështetej te populli, për të rrëzuar fuqinë e Senatit dhe për ta zëvendësuar me një qeverisje të fortë.

          Të gjitha personazhet politike të kohës i gjeti në Romë, ashtu si i kishte lënë kur ishte nisur, me shpirtra të ndezur, por të pafuqishëm; lakmues, por të plogësht; pak njerëz të ndershëm mes tyre, por bosh e pa ide, shumë të korruptuar, që shitbliheshin për gjithçka; të gjithë të pasigurt e të frikësuar: Ciceroni, plot ndershmëri e padjallëzi, herë-herë i guximshëm, po më shpesh i flashkët, njohës njerëzish e gjërash, por gjithmonë dyshues, për mashtrim, përkujtues i lavdisë së vet dhe i të tjerëve. Klodi, bukuroshi, guximtari, i gojës, i shfrenuari, tinzari, i bërë bishë nga urrejtja, veçanërisht kundër Ciceronit, që kishte dëshmuar kundër tij, lakmues i detyrës së tribunit për të risjellë kallëzimin e paligjshmërisë ndaj veprimit të Ciceronit. Krasi, shumë i pasur, shumë ambicioz, urrejtës i Pompeut dhe shpëtimtar i Klodit. Katoni i rreptë, fshikullues i çdo prapësie, mbrojtës i virtuteve dhe i moralit. Pompeu, mbi të tjerët, jo për lartësinë e mendjes apo për forcën e shpirtit, por, për pazotësinë e të tjerëve dhe për fatin e vet, i urryer si nga populli dhe Senati, por Senat e popull të frikësuar përpara tij, ai qe përmbledhja e gjërave në dorë të tij, që, nga dobësitë e të tjerëve, përbënte forcën e vet. Ky bashkë me Krasin ishin dy personazhet më në zë në romën e atëhershme: Krasi për pasuritë e tij, dhe Pompeu, për lavdinë ushtarake. Me këta, që kishin arsye të forta për të mos qënë të kënaqur nga Senati, kërkoi të bashkohej Cezari, për t’i bërë mjete të madhështisë së tij. I pajtoi të dy, duke u treguar se, të bashkuar mund të bënin gjithçka, të ndarë, asgjë. Bashkimi i forcës së tij me atë të të tjerëve i pëlqeu dhe i shkoi për shtat  edhe Pompeut atë çast. Kështu, me aftësinë e tij të negociatorit, Cezari formoi me ta një treshe që pati një rëndësi të madhe politike. Edhe ky i ashtuquajturi triumvirati i parë, të cilit Krasi i shërbeu me fuqinë e vet financiare, Pompeu me prestigjin ushtarak dhe Cezari me fuqinë politike. Të tre burrat kishin si qëllim kryesor të vijës politike të kësaj lidhjeje zgjerimin dhe forcimin e ndikimit romak në Lindje, ashtu si në Perëndim, shtrirjen e emrit romak në kufijtë më skajorë të botës së njohur deri në atë kohë. Gjithashtu, të tre  i premtuan ndihmë njeri-tjetrit dhe u zotuan që në republikë të mos bëhej asgjë që të mos i pëlqente ndonjerit prej tyre, sepse, në planin personal, kjo ishte një lidhje e thjeshtë interesash dhe, me kalimin e kohës, secili priste rastin të çlirohej nga rivalët, për të dalë si drejtuesi kryesor i republikës.

Pompeu nuk qe në gjendje të kuptonte atëherë se Cezari mund ta shfrytëzonte për të dalë vetë mbi të më pas. Rezultati i parë i kësaj lidhjeje u pa shpejt, Cezari u zgjodh  konsull për vitin 59 para e.r. me votat e partisë popullore, me ato të senatorëve, përkrahës të Pompeut, dhe me ato të kalorësve, që mbanin Krasin për kryetar. Bibuli, i dashur nga klasa fisnike, por shumë i mefshët, qe koleg me të. Me shumë forcë dhe shpejtësi, Cezari plotësoi dhe shpërbleu Krasin dhe Pompeun për mbështetjen ndaj tij në zgjedhje, u shërbeu kalorësve duke ulur shumën e taksës, parashtroi dhe miratoi me shumë vështirësi e probleme një ligj në dobi të popullit, përmes të cilit u shpërndau toka shtetërore fshatarëve me tre e në shumë fëmijë, duke i kufizuar që të mos e shitnin, të paktën për njëzet vjet. Ky ligj i vlente më shumë Pompeut dhe, të tre, ia dolën ta miratonin, me gjithë kundërshtimin e rreptë që hasën në Senat. Më pas, Cezari mendoi për vetveten, pasi të kryente detyrën si konsull, afati i së cilës po mbaronte. I sigurt në mbështetjen e popullit dhe për verbërinë e Krasit dhe të Pompeut, përmes tribunit Pubël Vatini, Cezari paraqiti dhe arrti të miratojë, për pesë vjet, detyrën e prokonsullit në Galinë Cizalpine dhe në Iliri; iu dhanë tre legjione. Më vonë, Senati, nga trysnia e miqve të tij, ose, ndoshta, edhe për të mbajtur sa më larg rrezikun që shihte te forca e tij e armatosur, me një legjion më tepër, i shtoi edhe drejtimin e Galisë Transalpine, që u bë arsyja kryesore e lavdisë së tij. Këtu, Cezari pati rastin të çfaqte cilësitë e shquara ushtarake dhe aftësine e vet në qeverisje. Në lidhje me fushatat e tij, Plutarku e lavdëron  me fjalët më të bukura talentin ushtarak të Cezarit: “Sidomos fushatat kundër Galisë, thotë biografi i madh, shënuan një pikë të shkëlqyer në jetën e Cezarit dhe e treguan këtë gjeneral më të madh nga tërë ata që u shquan më parë dhe që u admiruan së tepërmi. Krahasojeni Cezarin me cilindo nga romakët e famshëm, krahasojeni me Fabin, me Scipionin, me Metelin, me Marin, me Sulën, e me dy Lukulët, madje me Pompeun vetë, emri i të cilit u ngrit gjer në qiell; krahasojeni, pra, me tërë këta dhe kini për të parë se veprat e Cezarit janë shumë më të larta e më të shkëlqyera nga ato që kanë bërë burrat që u përmendën këtu. E me të vërtetë, asnjë vepër e këtyre nuk barazohet me ato të Cezarit, sepse luftërat e këtij shquhen e lëvdohen shumë, ose për vështirësinë e jashtëzakonshme të vendeve ku janë zhvilluar, ose për gjerësinë e krahinave që pushtoi, ose për fuqinë e sasinë e armiqve që mundi, ose për butësinë e mëshirën që tregoi kundrejt robërve, ose për dhuratat e për shpërblimet që u bënte herë pas here bashkëluftëtarëve  të tij, ose, më në fund, për numrin e madh të betejave  që bëri, dhe të armiqve që dërrmoi. Sepse, në një kohë prej më pak se dhjetë vjet që luftoi në Gali pushtoi më tepër se tetëqind qytete, vuri nën sundimin roman treqind popuj të ndryshëm dhe, nga të tre milion  armiqtë, me të cilët luftoi në beteja të ndryshme, një milion nga këta i vrau në luftim e sipër e një milion të tjerë izuri rob”.

Me veprimet e tij ushtarake, me shpejtësinë e lëvizjeve dhe të veprimeve që kreu, me diplomacinë e hollë që përdori, me zgjuarësinë që e karakterizonte, me intuitën për të kuptuar dhe për t’u futur thellë në shpirtin e luftëtarëve , me veçorinë për të lexuar qartë, si në dritën e diellit, lëvizjet dhe shenjat më të vogla të armiqve, me aftësinë për të nxjerrë çdo përparësi nga fitorja, duke sulmuar e risulmuar gjermanët me Ariovistin në krye. Cezari i theu e i detyroi të tërhiqeshin përtej lumit Rin. Galia mori frymë e lehtësuar nga rreziku i pushtimeve gjermane, por galët e panë qartë se, për t’u mbrojtur nga rreziqe të tilla, kishin nevojë për ndihmën e Romës; kjo i dha rast Cezarit të kapërcente kufijtë e Provincës, madje të hartonte një fushatë në Britani.

          Me pushtimet e Cezarit në këto vite, Roma i rriti kufijtë e perandorisë së vet me një territor pjellor, të pasur dhe të madh sa dy herë Italinë; vetë qendra e kësaj perandorie u zhvendos përfundimisht nga pellgu i Mesdheut kah Veriu. Duke romanizuar Galinë, Cezari krijoi një pritë të fuqishme kundër kërcënimeve barbare.

          Para se të nisej për në Gali, Cezari i siguroi krahët e vet në Romë, me qëllim që, gjatë mungesës, të mos i vogëlohej autoriteti i fituar. Edhe pse larg, ai nuk e humbi kurrë Romën nga shikimi; madje çdo vit, në vjeshtë, si rehatonte legjionet në vendqëndrimet dimërore, zbriste në Galinë Cizalpine, pos të tjerash, edhe për të ndjekur më nga afër ngjarjet në kryeqytet, ku, luftërat e brendshme të këtyre viteve, kishin treguar qartë se asnjë nga triumvirët nuk mund të merrte përparësinë mbi dy të tjerët. Cezari ishte në ankth për ta plotësuar e përfunduar sipërmarrjen e tij të madhe në Gali. Prandaj, në vitin 56 para e.r., në një takim në Luka, ripërsëriti me Krasin dhe Pompeun lidhjen e mëparshme: me popullaritetin e tij, Cezari do t’i përkrahte përsëri kandidaturat e tyre për konsuj dhe për ndarjen e provincave si prokonsuj, më pas, kur ata do ta ndihmonin Cezarin të zgjaste edhe pesë vjet të tjera pushtetin ushtarak në Gali, duke kërkuar prej tyre që të mos merrej asnjë vendim i ri, lidhur me këtë pushtet të tij atje, përgjatë gjithë vitit 49 para e.r.. Deri në atë çast, rivaliteti dhe armiqësitë mes tij dhe Pompeut nuk ishin shfaqur hapur ende, madje Pompeu shkoi në Luka si një njeri i pafuqishëm, që po i kërkonte ndihmë kundërshtarit te vet. Premtimet u mbajtën nga të dy palët: Cezarit iu zgjat pushteti ushtarak në Gali, Pompeu e Krasi u bënë konsuj e, më pas ndanë provincat për qeverisje. Pompeu zgjodhi Spanjën ku dërgoi mëkëmbës e vetë ndenji në afërsi të Romës, kurse Krasi Sirinë. I nisur për në Lindje, duke lakmuar të luftonte kundër popullsisë parte e të arrinte një fitore të njejtë me atë që kishte siguruar Pompeu. Krasi pësoi një humbje të rëndë në Karre, në Mesopotaminë  veriperëndimore; vetë humbi jetën, legjione të tëra u shkatërruan ose u zunë rob e u burgosën. Kjo ngjarje e rëndë i kushtoi shumë Romës, si për nga dëmi ashtu dhe për nga prestigji.

          Veç kësaj në Romë vritet Klodi, tribun i popullit, nga dora e Milonit, duke bërë që të rëndohej gjendja në vend. Atëhere, për të shpëtuar vendin nga trazirat dhe për të ruajtur rendin publik, me propozim të Katonit dhe me miratim të shumicës aristokrate në Senat, kundër rregullave e ligjeve, Pompeu u zgjodh konsull pa koleg për vitin 52 para e.r.

          Këto ngjarje dhe trazirat në Romë u dhanë përshtypjen galëve se fuqia romake ishte lëkundur. Prandaj, një riosh fisnik, i quajtur Vencingetoriks, nxiti për krengritje mjaft fise dhe zjarri i ndezur u përhap me shumë shpejtësi anekënd nëpër Gali. Fati edhe një herë po punonte për Pompeun, sepse kishte vdekur Julia gruaja e Pompeut dhe vajza e Cezarit, në vitin 54 para e.r., duke shkëputur lidhjen fisnore mes këtyre të dyve; në vitin 53 para e.r., kishte vdekur Krasi, i cili, në krye të një ushtrie, shërbente si kundërpeshë ndaj Pompeut. Vdekja e tij bëri të pushonin së punuari marrëvesjet e triumviratit. Galia ishte e gjitha në zjarr dhe Cezari përsëri në luftë. Përleshjet dhe luftimet qenë mjaft të vështira dhe të përgjakshme, por ai arriti fitore të plotë dhe Vercingetoriksi u zu rob e u dërgua në Romë.

          I shpallur konsull dhe i pajisur me pushtet ushtarak, Pompeu e ndjeu veten më të fortë se Cezari, fuqia e të cilit rritej kërcënueshëm, falë autoritetit që gëzonte në popull, dhe sukseseve ushtarake. Pompeu ishte padron i Senatit dhe zot i Romës. Prandaj si e braktisi përfundimisht Czarin dhe partinë popullore, u vu në krye të partisë aristokrate. Pompeu, që anjëherë nuk diti që ta shfrytëzonte fatin që shpesh i trokiti në derë, e shpalli hapur prishjen e tij me Cezarin; por la t’i kalonin kot shumë muaj.

          Lufta civile ishte në derë. Dhe kësaj po i ndihte vetë Pompeu me veprimet dhe mosveprimet e tij, sepse në atë çast zë fill ajo që, me shpejtësi, çoi në shpërthimin e luftës civile, “fundi i së cilës, thotë studiuesi gjerman, Heuss , nuk u përcaktua nga aftësia diplomatike dhe nga përpjekjet e pandërprera të Cezarit për marrëveshje dhe bisedime, por nga gjeniu i tij si udhëheqës, nga shpejtësia drithëruese e marshimeve dhe e veprimeve, megjithëse forcat e tij ishin më të pakta se ato të kundërshtarit”.

          Nga janari i vitit 49 para e.r. deri në mars të vitit 45 para e.r. luftoi Cezari kundër Pompeut e mbetjeve të ushtrisë pompejane dhe, me betejën e Tapsës, i shpartalloi; luftoi dhe u hakmor ndaj të gjithë atyre që i ishin bërë pengesë dhe i kishin shkaktuar  dëm gjatë luftës me Pompeun. Kur u rikthye në Romë, Senati i bëri ndere të jashtëzakonshme, që barazoheshin me fitoret e tij.

          Mirëpo, ora e paqes së jashtme ende nuk i kishte ardhur dhe Cezari nuk mund të linte armët. Iu hapën telashe në Spanjë, sepse mbetjet e forcave pompejane, të strehuara këtu pas betejës në Afrikë, mundën ta marrin veten me ndihmën e banorëve vendas. Cezari u rikthye me shpejtësi në gadishullin iberik në dhjetor të vitit 45 para e.r., duke e habitur kundërshtarin dhe duke e detyruar t’i jepte luftë në terren të përshtatshëm për të. Në betejën e Mundës, të 17 marsit të vitit 45 para e.r. e shtrëngon Gnej Pompeun, të birin, të hynte në luftë, duke thyer edhe tepricën e forcave pompejane; gjatë arratisë për shpëtim, i biri i Pompeut gjeti vdekjen. Si siguroi, thuajse, gjithë përfshirjen e Spanjës nën pushtetin romak, Cezari la aty një përfaqësues të tij me urdhrin e prerë që të mbante rregullin edhe me armë, sepse në këtë provincë vazhdonte të mbijetonte kujtimi i Pompeut të Madh, nga prania e djalit tjetër të tij, Sestit, i cili, ndonëse me pak forca ia dilte të shqetësonte cezarianët.

          I sapokthyer në Itali, duke u shqetësuar për trashëgiminë e ardhshme, Cezari bëri bir për shpirt Oktavianin, atë që do të quhej më pas Gaj Jul Cezar Oktavian Augusti.

Tashmë Cezari ishte padroni i vërtetë i Romës. Si theu e përmbysi me armë oligarkinë aristokrate, ai hyri në Romë, jo si Sula apo si Katilina, për t’u haknarrë ndaj kundërshtarëve të tij politikë, por si një drejtues mendjendritur për të rimëkëmbur vendin dhe për të bashkuar të gjithë qytetarët pa dallim partish, në një shtet moralisht të shëndoshë dhe paqësor. Atë çast fillonte koha për të vënë në jetë reformimin e shtetit sipas mendimeve dhe idealeve të tij.

I kishte të gjitha virtutet e cilësitë për të qeverisur e drejtuar Romën, të cilën e bëri kryeqendrën e botës së atëhershme. Ai qe burri i shtetit, në kuptimin më të thellë të fjalës, i pajisur me forcë krijuese të madhërishme dhe me mendjemprehtësi të habitshme.

Brenda tre vjetëve, Cezari zhvilloi një veprimtari reformiste të mrekulueshme. Para së gjithash, shpalli falje të përgjithshme e dëshiroi deri aty, sa kërkoi të ripërtëriheshin statujat e Sulës dhe të Pompeut, duke dashur të tregonte vullnetin e tij për paqësim.

Cezari i dha fuqi popullit dhe magjistratëve, ai e rriti numrin e senatorëve në 900, duke përfshirë këtu shumë kalorës, veteranë, njerëz të ardhur nga provincat, veçanërisht nga Galia dhe Spanja, deri libertë, sepse mendonte se këto forca të reja duhej ta drejtonin republikën pranë përfaqësuesve të klasës Patrice me prejardhje agrare. Zgjeroi bazën politike të pushtetit, duke nxitur mirëkuptimin mes njerëzve të thjeshtë dhe klasës së kalorësve; nxiti ushtrimin e aktiviteteve industriale dhe të tregtisë, shpërbleu veteranët e tij me shpërndarje tokash në Itali dhe në provinca, krijoi koloni për të rindërtuar me elemente romake qytetet e mëdha të shkatërruara, si Kartagjenën dhe Korintin. Mendoi se Roma duhej të ishte qendër e denjë e perandorisë së tij dhe hartoi plane e filloi t’a zbukurojë e t’i japë shkëlqim, duke u dhënë qytetarinë romake edhe njerëzve të huaj të shkencës; mendoi ndërtimin e një rruge nga Roma deri në detin Adriatik dhe të shumë rrugëve të tjera, të rregulluara për të gjallëruar lëvizjen e brendshme.

Dukej sikur imperatori donte të lëvizte male e lumenj, sikur donte të garonte me natyrën.

E madhërishme është vepra legjislative e Cezarit, të cilën ai e hartoi si në ndërmjetësinë kohore mes lufëtrave, ashtu edhe pas fitores përfundimtare. Me këtë vepër, ai vizatoi rrugët treguese mbi të cilat duhej të ecte Roma në shekujt e ardhshëm dhe hapi rrugën e atij procesi shndërrimi që duhej të bënte bota e zotëruar nga Roma, një Urbs e vetme me barazi të drejtash dhe detyrash.

Cezari vuri rregull në Romë dhe zhduku shkaqet që sillnin parregullsitë dhe rrëmujën, korrigjoi shpërdorimet dhe diktoi norma të reja në fushën morale, politike dhe ekonomike; nxori deri një ligj kundër luksit, ku, mes të tjerash, detyroi zvogëlimin e shpenzimeve të kota, veçanërisht, në monumente sepolkrale, ndaloi një numër pijesh të shtrenjta, u dha shpërblime të jashtëzakonshme prindërve me shumë fëmijë, nxori ligje shumë të rrepta kundër ndarjes dhe tradhtisë bashkëshortore, u dha qytetarinë romake shumë njerëzve të shquar në pika të ndryshme të perandorisë dhe të gjithë banorëve cizalpinë, duke plotësuar kështu unitetin juridik të Italisë, shtriu ligjet e Romës në gjithë Italinë dhe jashtë saj, riformoi kalendarin, duke e bërë atë të vetëm, të bazuar në ciklin diellor, kalendar që mori emrin e tij dhe që, me pak përmirësime, vazdon ede në ditët tona. Edhe në fushën e gjuhës, Cezari është mjeshtër i kohës së tij për pastërtinë e gjuhës; ai kërkoi të shmangeshin në të folur e në të shkruar fjalët dhe shprehjet e huaja, sidomos ato greke, duke rikthyer në jetë fjalë të përdorura në poezi apo, dikur, në letërsinë më të vjetër.

Bëri shumë punë, që të habisin për rrethanat dhe shkurtësinë e kohës në të cilën u kryen, punë, që ishin vetëm një pjesë e vogël e asaj që ai, me mendjen e tij krijuese e të palodhur, kishte përgatitur për të realizuar. “Veprat e tij të mëdha, thotë përsëri Plutarku, në vend që t’i ngjallnin dëshirën për të shijuar pemët e mundimeve, e shtynin, përkundrazi, në plane e dëshira edhe më të mëdha, ia errësonin shkëlqimin e atyre që kishte bërë deri atë çast, për t’i paraqitur me ngjyra më të forta lavdinë e atyre që do të bënte më pas. Duket se ky njeri ishte pushtuar prej një lloj zilie e smire; i kishte zili e smirë vetes, sikundër ne u kemi zili të tjerëve dhe mundohej si e si t’i bënte vetes një lloj konkurrence, duke dashur gjithnjë të rrëzonte vlerën e punës së tij të kaluar me anë veprash të reja”.

Gjatë luftërave që zhvilloi, Cezari krijoi një ushtri shumë të disiplinuar dhe të përkushtuar ndaj tij deri në vdekje, një ushtri që ishte më e forta, që bota e lashtë kishte njohur, një ushtri që nuk e pati shoqen, një ushtri që e pati si mjet për të vënë në jetë programin e fitores vetjake për pushtet, një ushtri, mbi të cilën ai kishte një ndikim të habitshëm. Ai krijoi një ushtri të lehtë dhe të gatshme në çdo kohë për marshime; ushtarët e Cezarit arritën përkryerjen, rralle e arritur nga të tjerë, por asnjëherë e tejkaluar. “Cezari u shqua si gjeneral, sepse ishte i pajisur me talent ushtarak të jashtëzakonshëm e me takt luftarak të rrallë. Planet e betejave dhe rreshtimet e ushtrisë i bënte aty për aty, nuk ndjente nevojën për studime dhe parapërgatitje të mëdha; në çast gjente mënyrën se si t’i binte armikut ose, se si të ruhej e të mbrohej prej tij, sa herë ky, shpesh e papandehur, vërsulej kundra  legjioneve romake; shpikte aty për aty se si t’i radhiste trupat e tij, cilin legjion të dërgonte këtu e cilin atje, çfarë mjetesh të përdorte për pushtimin e fortesave, çfarë mënyrash për ta ndjekur e për ta shkatërruar. Përveç kësaj dinte të ndizte e të ngacmonte trimërinë e zemrën e ushtarëve të tij duke gjetur fare lehtë e shpejt fjalët e përshtatshme, fjalët që kërkonte rasti e nevoja. Por nuk ishte vetëm gjenia ushtarake, ai kishte fuqi magjike, me anën e së cilës dinte të tërhiqte dashurinë dhe adhurimin e ushtarëve që nga oficeri më i madh deri tek ushtari më i thjeshtë. E adhuronte ushtria dhe ishte gati të bënte çdo therori për ta kënaqur e për ta gëzuar Cezarin…“ shkruan Plutarku. Madje, ndonjë prej ngjarjeve që tregojnë se sa adhurohej Cezari, prej ushtarëve, ju, lexuues, do ta gjeni edhe në përshkrimin e ngjarjeve që po u jepen ndër duar.

Cezari zotëronte në shkallë shumë të lartë artin e të garuarit, duke rritur guximin e ushtarëve. Jo rrallë herë, ai vetë nxori shpatën nga milli dhe e përdori si çdo uhtar i thjeshtë. Ushtria e tij ishte si një makinë e madhe ushtarake, e aftë për të arritur qëllimet, me vullnetin për t’i arritur, e vënë në duart e një mjeshtri, i cili i komunikonte zhdërvjelltësinë e vet. Është fakt i pashembullt në histori, që, kur Cezari u kërkoi ushtarëve ta ndiqnin në luftën civile, përveç një gjenerali, asnjë nuk u nda prej tij. Me këtë ushtri, Cezari mendonte një luftë tjetër kundër partëve për të siguruar kufijtë e perandorisë dhe një tjetër kundër dakëve; për këtë arsye dërgoi në Iliri, një pjesë të ushtrisë bashkë me nipin dhe djalin e bërë bir në shpirt, Oktavianin, si u tha më lart, të cilin e kishte caktuar për të qenë trashëgimtarin e fuqisë dhe vazhdimësin e politikës së tij.

Nga natyra, Cezari  qe shëndetlig dhe shpesh herë sëmurej; megjithatë, ai kurrë nuk e përdori këtë si arsye për t’u larguar nga mundimet e për të kaluar jetë të qetë e të lehtë. Përkundrazi, besonte se jeta ushtarake  do të ishte mjet fuqizimi dhe shërimi i trupit të tij të sëmurë. Askush nuk do ta besonte që Cezari flinte në qerre e në shtretër portativë, duke punuar vazhdimisht. Dy shokë kishte të pandarë; një djalë të ri, që bënte detyrën e sekretarit e që mbante shënime, dhe një ushtar besnik, që i qëndronte mbrapa karrocës, me shpatën në dorë. Duke qënë mbi kalë, kishte zakon t’i diktonte letra sekretarit, gjë që e filloi për herë të parë në fushatën e tij në Gali; madje, ishte i zoti t’i diktonte jo vetëm një sekretari, por dy sekretarëve ose më shumë. Thuhet se Cezari ka qënë i pari që përdori shënimet me shkrim si mjet marrëveshjeje me miqtë e me shokët, sa here që marrëveshja me gojë ishte e pamundur, nga se ishte i zënë me shumë punë ose pse ndodhej shumë larg atyre me të cilët duhej të merrej vesh.

Ndërtimi i regjimit të ri ishte në kulmin e zhvillimit të tij dhe Cezari ndjehej i domosdoshëm për jetën dhe për të mirën e shtetit, kur një grup djemsh nga fisnikëria Romake kryesuar nga Bruti, Kasi dhe Treboni, të lidhur nga urrejtja e pëbashkët për Cezarin, ose të zhgënjyer, ose, sepse, vërtet, ishin kundërshtarë të mendimeve të tij për shtetin dhe drejtimin e tij, vendosën ta vrasin. Kur ra nga 23 goditjet e thikave të përbetuesve, më 15 mars të vitit 44 para e.r., pak përpara se të fillonte një seancë e Senatit, Cezari e la Romën nën peshën e një trashëgimie, që askush nuk ishte në gjendje ta mblidhte. Ato çaste, ai ishte duke menduar, pos të tjerash, për planin e ri ndërtimtar të Romës, ishte duke menduar e hartuar planin e tharjes së kënetave pontine, tharjen e liqenit Fuçini, për të krijuar një fushë të gjerë, e cila të ushqente shumë njerëz, ndërtimin e një porti të gjerë në Ostra për të siguruar lëvizjen e anijeve  dhe tregtinë me botën e atëhershme, hapjen e istmit të Korintit, rindërtimin e qytetit të Kartagjenës dhe Korintit, ndërtimin e një rruge që, nga Adriatiku, të mbërrinte në luginën e lumit Tevere përmes Apenineve, ndërtimin e tempullit më të madh të botës  në fushën e Martit dhe të një teatri madhështor në një pikë tjetër të qytetit; ishte duke menduar edhe për një bibliotekë të madhe, që të vazhdonte lavdinë kulturore të bibliotekës së Aleksandrisë, shkatërruar gjatë luftës civile.

Kështu mbaronte në historinë e Romës episodi i madh cezarian me prestigjin e një emri, të një lavdie ushtarake të pakrahasueshme dhe të një popullariteti shumë të madh. Të gjithë imperatorët e ardhshëm, Oktavian Augusti ndër të parët, i cili, në çastin e vrasjes së Cezarit ndodhej për studime në akademinë ushtarake të Apolonisë, nga më të përmendurat e kohës, do të thirreshin me emrin Cezar dhe do të gjenin tek ai përligjjen e pushtetit të tyre.

Cezari qe një gjeni i gjithësishëm. Ai e zhvilloi të gjithë veprmtarinë e vet dhe fuqinë e jashtëzakonshme të shpirtit dhe të mendjes së vet, kryesisht, në lëmin politik e ushtarak, por edhe studimeve letrare u ruajti atë pakicë kohe që i lejuan veprimet ushtarake dhe lufta civile. Gjithashtu, kudo që vuri dorë, ai la gjurmën e mendjes së vet të kthjellët e të shpejtë, dhe çdo send që doli prej mendjes së tij të gjallë e të sigurt, mban shenjën e gjenialitetit të madh.

Taciti e quan “mendje hyjnore” (divinum, ingenium).

Beteja e Dyrrahut

Bust i Cezarit                                                                 Pompeo:  Bust Mermeri

Beteja e Dyrrhachium (në Latinisht) u zhvillua më 10 korrik të vitit 18 p.e.s. në Dyrrah, i cili ishte emri antik i qytetit të Durrësit. Në këtë betejë gjenerali Gnaeus Pompeius Magnus (Pompeo) mundi rivalin e tij gjeneralin Gaius Julius Ceaser (Jul Cezari).

Cezari më parë e kishte mundur Pompeun në Spanjë, i cili më pas ishte transferuar me ushtrinë e tij në Shqipëri duke pushtuar qytetin Apollonia dhe zonën e Orikumit.

Cezari ishte i kthyer në Itali dhe më pas u nis nga Brindisi për në Shqipëri.

Ushtria e Pompeut ishte në së shumti e përbërë nga ushtarë pa ekspëriencë, dhe ai nuk ishte në gjendje të luftonte kundër ushtrisë të Cezarit. Nga ana tjetër Cezari vinte nga një fushatë ushtarake të gjatë, De Bello Civili, dhe nuk kishte shumë ushtarë në dispozicion, ushtarët nën urdhrat e Pompeos ishin rreth 30,000 kurse ushtria e Cezarit ishte e formuar prej 10,000 ushtarësh. Cezari ishte në avantazh nga ana e kalorësve në dispozicion por kjo nuk ishte në favor të tij sepse bënte të vështirë gjetjen e ushqimit.

Zhvillimi i Betejës

Pompeo ishte pozicionuar në një pozicion të favorshëm gjatë gjithë bregdetit të Epirit, aty filloi të ndërtonte fortifikime dhe të mblidhte të gjitha forcat e mbetura në parashikim të dyluftimit.

Duke vështruar vendndodhjen e favorshme të kundërshtarit të tij, Cezari nuk vendosi ta sulmonte por priti përforcime. Përforcimet erdhën bashkë me shokun e tij Marco Antonio, i cili kishte ardhur në Epir për të ndihmuar Cezarin. Të dy filluan të pushtonin qytete të Epirit gjatë rrugës së tyre për në Dyrrah. Cezari filloi të mendonte fortifikime rrotull pozicioneve të marra nga Pompeu në Dyrrah. Pas disa luftimesh Pompeo doli fitimtar, sepse kishte në dispozicion një ushtri të madhe, në këtë mënyrë mundi të mposhte rrethimet e Cezarit.

Kështu Cezari mendoi se e vetmja mënyrë për të mundur Pompeon ishte ta përballonte në një terren të hapur, për të shfrytëzuar eksperiencën e ushtarëve të tij. Por ushtarët ishin të demoralizur nga rezultati dhe filluan të tërhiqeshin.

Fitorja e Pompeos nuk ishte përfundimtare sepse nuk e ndoqi ushtrinë e Cezarit, sepse kishte frikë nga një grackë e mundshme.

Cezari u tërhoq drejt Greqisë, më pas Pompeo vendosi ta ndjekë. Por u mund përfundimisht nga Cezari në atë që  kujtohet me emrin Beteja e Parsalus (Forsalës). Historia na mëson se në shumicën e rasteve miqtë bëhen armiq. Pompeua  i madh, si u mund prej Cezarit, në këtë betejë dhe humbi kësisoj tërë atë perandori të madhe, për të cilën hahej me të, u tërhoq në Egjipt. Ku zbriti në Peluzë, tutorët dhe miqtë e mbretit, që asokohe ishte ende i mitur, u këshilluan mes tyre si të vepronin. Mirëpo mendimet qenë të ndryshme. Një palë mendonin ta qasnin Pompeun, të tjerët ishin për dëbimin e tij nga Egjipti. Por një farë Teodoti nga Kioja, i cili i jepte mësime retorike princit të ri, për mungesë ministrash më të zot, qe pranuar në atë mbledhje, tha se të dyja palët e kishin njëlloj gabim. Sipas tij, në rrethanat ekzistuese, i vetmi mendim i dobishëm ishte ta qasnin Pompeun, pastaj ta vrisnin. Ai e mbylli fjalimin e vet me këto fjalë: “Të vdekurit nuk kafshojnë”! Mbledhja e pranoi këtë mendim, dhe Pompeu i madh u bë një shembull i përmendur i ngjarjeve më të jashtëzakonshme e të papritura. Vdekja e tij qe vepër e retorikës së zbrazët dhe e dredhisë së një farë Teodoti, sikundër krenohej për këtë vetë sofisti. Ca kohë më vonë Cezari arriti në Egjipt dhe i ndëshkoi këta njerëz të pabesë me një vdekje të denjë për mbrapshtinë e që kishin bërë karshi Pompeut.

Vdekja  Jul Cezarit

Cezari kishte autoritet të padiskutueshëm, ishte në kulmin e lavdisë dhe të pushtetit të tij.

Ndaj tij organizohet një komplot.

Një natë para vrasjes e shoqja e tij Kalifurnoja, e pa një ëndërr, atë që Cezarin do ta vrisnin pabesisht kur shkonte në Senat.

Iu lut të shoqit të mos shkonte në Senat atë mëngjes.

Cezari e dëgjoi me vemendje dhe në vend që të egërsohej, apo të merrte masa mbrojtëse. Befas u bë më i qetë dhe gati u këndell.

Qe një sjellje e panatyrshme.

U nis për në Senat i shoqëruar nga rojet e gardës.

Duke ngjitur shkallët e mermerta i paraqitet një njeri i panjohur. Bie në gjunjë para tij dhe i jep një letër duke thënë se aty ishin shkruar tërë emrat e komplotistëve, që kishin vendosur t’a vrisnin atë ditë.

Cezari e mori letrën por nuk e lexoi. Mos shko në Senat. – iu lut i panjohuri, gati i ngashëruar!

Cezari nuk iu përgjigj dhe eci me këmbëngulje përpara.  Hyri në aulën e Senatit dhe u ul në fronin e tij.

Njeri nga senatorët iu afrua dhe i kërkoi, duke iu lutur, që të kishte mirësinë dhe të anulonte internimin e të vëllait të tij me urdhër të Cezarit.

Cezari tundi kokën në mënyrë mohuese.

Pastaj ndenji duke u menduar gjatë, duke vënë pëllëmbët e duarve në fytyrë.

Kur u përmend urdhëroi rojet që të largoheshin “Në mënyrën më të pabesueshme u tha rojeve t’a linin vetëm”.

Pse vallë?

Dihet se ç’ndodhi më pas.

Senatorët rrebelë nxorrën thikat dhe e goditën!

Ai i pa po nuk u ngrit nga froni.

I priste goditjet në heshtje.

Por kur pa Brutin, që e konsideronte si birin e vet, që ngriti thikën kundër tij, tha fjalët e pashlyeshme: “Et tua Brutus”? Dhe vazhdon e thotë: “Tu Quo Que Brute Fili Mi”. Nëna e Brutit, servilies, kishte pasur marrëdhënie dashurie me Cezarin, e donte marrëzisht Cezarin, dhe me që kishte lindur në një kohë kur kjo dashuri ishte në kulmin e vet, Cezari qe bindur se Bruti ishte djali i vet.

Cezari shkoi me bindje të plotë drejt vdekjes së tij.

Ai kishte tërë inteligjencën dhe mjetet t’a shmangte atë.

Ai mund t’i kapte dhe t’i vriste komplotistët, apo më e pakta të mos i largonte rojet, që lehtësisht do t’a mbronin  atë nga tërë senatorët hakmarrës.

Pse veproi kështu Cezari?

Këtu nis një nga enigmat më të pabesueshme në histori, se vrasja e Cezarit nuk qe më tepër dëshirë e vrasësve, se sa dëshirë e të vrarit.

Cezari e kishte menduar gjatë dhe me detaje të realizueshme skenën fatale të fundit të vet.

Cezari kishte një popullaritet të madh.

Legjionet e donin, por dhe dijetarët e çmonin.

Ai kishte fituar beteja të pabesueshme.

Ai e donte lavdinë.

Por ai e dinte shumë mirë që i duhej një tjetër lloj fundi, një tjetër lloj, mbarimi të jetës.

Jo madhështia, – por krejt e kundërta.

Vulgariteti dhe pabesia duhej t’a  kurorëzonin jetën e tij.

Nga informatorët ai e dinte që më parë që Bruti i tij i dashur qe bashkuar me komplotin.

Ai jo vetëm që nuk e ndaloi Brutin, por gati ngazëllohej dhe e miratonte tradhtinë e tij.

Sepse kështu plotësohej plani i fshehtë por dhe afatgjatë i Cezarit për vdekjen e tij.

Cezari qe velur me lavdinë.

Po ndiente rrënimin e pleqërisë.

Dihet që e sulmonin shpesh dhe sulmet e epilepsisë, që e bënin qesharak, në sytë e të afërmve.

Jeta ishte bërë një barrë.

Shtetasit romakë dhe popujt që kishte pushtuar nuk i interesonin më.

Lavdia nuk ia qetësonte më shpirtin.

Ai e dinte se lavdia nuk qe gjithçka.

Një lavdi e lumtur me një fund të bukur është gjithmonë rutinore dhe nuk paraqet asnjë interes.

Interesi është atje ku ka ankth, dyshime, klithma, paradokse, pra ide përjashtuese dhe të papërputhshme në shekuj.

Para vdekjes Jul Cezari në vetmi e pati një vizion.

Ky vizion qe i pakuptueshëm por dhe tepër joshës.

Vizioni i tregoi se nuk mund të ishte për të ardhmen një njeri i madh nëse nuk ishte dhe një viktimë e madhe e rrethanave. Cezarit i duheshin rrethanat.

Ai nuk mund t’i organizonte vetë këto rrethana.

Për fatin e tij të mirë, komlotistët bënë gjithçka saktësisht duke e realizuar ashtu siç duhej objektin e viktimizimit të tij në një skenë të lemeritshme, pra dhe të paharrueshme asnjëherë.

Në këtë skenë krimi të tmerrshme prania e Brutit qe absolutisht më e rëndësishmja.

Cezari nuk kishte dashur dhe nuk kishte çmuar asnjë njeri në botë sa Brutin e ditur, kurajoz dhe të ndershëm.

Bruti qe aleati dhe përsosësi i tërë shtjellimit emocional maksimal të skenës së kalimit në botën tjetër.

Kështu pavdekësia vazhdonte mbi lëkurën e Cezarit duke e praruar me një dritë verbonjëse.

Po çështja është nga i erdhi ky vizion Cezarit?

Kjo është pyetja më e pabesueshme, me një guxim hindarik, me një kthjelltësi mahnitëse kishte vënë re një analogji.

Analogjia qe kaq e madhe sa dukej si një përputhje e dytë e të njejtit plan. Një strukturë gjithëpërfshirëse edhe për shëmbëlltyrat e tjera në histori.

Doktori shkencave , Novruz Zejnati- Historian ushtarak, Kolonel R.