19 vjet më pas historia përsëritet dhe sërish skuadra e favorizuar është Juventusi. Paolo Valeri me vendimin e tij në minutën e 69-të të sfidës së parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë mes bardhezinjëve dhe Napolit i solli  në vëmendje të gjithë Botës së futbollit atë kontakt mes Ronaldos dhe Iulianos në 1998-tën, me gjyqtarin që nuk dha një penallti flagrante në favor të Interit duke vazhduar lojën dhe në fund të aksionit akordoi një penallti të paqenë në favor të Juventusit për një faull të Taribo West ndaj Alex Del Pieros.Për të ndezur sërish një lumë polemikash në distancë ka mjaftuar ai vendim i Paolo Valerit i cili ka bërë që në mendjen të gjithëve të rikthehet episiodi i shumëdiskutuar Iuliano-Ronaldo.

Nëse penalltia e dhënë për Dybalën pas kontaktit me Koulibaly ishte evidente, Valeri gaboi shumë në rastin e penalltisë së dytë të Juventusit të fituar nga Cuadrado. Në minutën e 69-të të sfidës nëse gjyqtari do të kishte marrë një vendim korrekt rezultati i ndeshjes Juve-Napoli mund të ishte 2-2 dhe jo 3-1 për bardhezinjtë, sepse Raul Albiol u pengua brenda zone. Mbrojtësi spanjoll i të Kaltërve i gjendur mes Bonuccit dhe Pjanic, mori një goditje nga boshnjaku dhe faulli ishte evident, megjithatë Valeri lejoi vazhdimin e lojës duke dhënë një penallti për Cuardradon pas një kontakti me Reinan të cilin Dybala e shndërroi sërish në gol.Irritimi në kampin e Napolit me të drejtë ishte i madh në përfundim të sfidës dhe aq mjaftoi që mes dy klubeve të nisë një luftë polemikash në distancë. Drejtori sportiv i Napolit Cristiano Giuntoli i cilësoi si të turpshme vendimet e Valerit ndërkohë që portieri Pepe Reina, protagonisti i penalltisë së shumë diskutuar theksoi se është shumë i nxehur pasi rezultati i sfidës u vendos nga gjyqtari.

Ndërkohë nga kampi juventin ka reaguar drejtori sportiv Fabio Paratici, i cili me deklaratat e tij është munduar të ulë disi tensionin duke nënvizuar se Juventus-Napoli ishte një ndeshje e bukur dhe polemikat kanë nisur nga asgjëja sepse  sipas tij edhe Juventusi e ka parë veten shpeshherë në situata të disfavorshme duke u kujtuar të gjithëve sfidën ndaj Bayern-it në Champions sezonin e kaluar.