Stina e verës ka shtuar fluksin e lëvizjes në doganën e Kakavijës. Përgjatë këtyre ditëve i konsiderueshëm është numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj, të cilët nëpërmjet kësaj dogane udhëtojnë nga Shqipëria në drejtim të Greqisë dhe anasjelltas.
Sipas statistikave zyrtare, përgjatë 24-orëve të fundit nëpërmjet kësaj dogane udhëtuan në të dyja anët e kufirit 4 mijë persona dhe 1 500 automjete. Midis tyre një numër të konsiderueshëm zënë turistët e huaj,të cilët në këtë periudhë pushimesh udhëtojnë në destinacionet e ndryshme natyrore dhe trashëgimisë kulturore.
Stafet shqiptare të doganës dhe Policisë Kufitare janë në gatishmëri për të menaxhuar fluksin e shtuar dhe për të garantuar kalim sa më të shpejtë e të rregullt për qytetarët dhe turistët në Kakavije.





