20 korrik 2015 – Kështjellat, kalatë dhe rrënojat e tyre janë të pranishme thuajse në të gjithë territorin e qarkut të Durrësit dhe rrethinave të tij. Ndërtimi i tyre i përket periudhave të ndryshme, çka u jep këtyre monumenteve jo vetëm vlerë arkeologjike, por edhe një rëndësi historike kombëtare.

Qyteti 3000-vjeçar i Durrësit, së bashku me Krujën në të njëjtin qark, ruajnë një pjesë të madhe të trashëgimisë antike dhe të mesjetës së hershme.

Kështjella e Durrësit

Nga kështjella e vjetër e qytetit mund të shihen për afro 300 metra disa fragmente të periudhës ilire, helene, romake dhe bizantine në afërsi të portit të sotëm. Punimet për ngritjen e mureve kanë qenë të lidhura me pushtimet dhe me tërmetet e herëpashershme që kanë goditur rëndë qytetin. Veçanërisht e njohur është periudha e perandorit Anastas I, me origjinë nga Durrësi, i cili e shndërroi qytetin në një nga më të fortifikuarit në këtë anë të Adriatikut.

Torra veneciane

Ndodhet në afërsi të hyrjes kryesore të portit detar. Është një ndërtim i ngritur mbase mbi një kullë më të vjetër. Koha e ndërtimit dhe teknika e përdorur është tipike veneciane e shekullit të XV-të, kohë në të cilën venedikasit qeverisnin qytetin. Ajo përbëhet nga një kat i vetëm, që është i paisur me pesë frengji topash.  

Porto Romano

Në bregdet, 7 km në veri të Durrësit, duket se ka qenë një vendbanim i periudhës romake. Jo vetëm pozicioni dhe emri, por edhe shumë rrënoja muresh e fortifikimesh tipike të asaj kohe e dëshmojnë këtë. 

Duke shfrytëzuar superstradën Durrës-Vorë-Krujë mund të vizitohen edhe një grup kalash të tjera.

Kalaja e Prezës

Pasi kalon Vorën në kodrën në të majtë të rrugës drejt Rinasit është një kala tipike mesjetare. Lulëzimin më të madh e ka pasur në shekullin e XV, por të dhëna të ndryshme i kanë shtyrë të mendojnë specialistët se duhet të jetë ndërtuar nga shekulli XIII-XIV.

Kalaja ka shërbyer si pikë e fortifikuar për të mbrojtur Krujën nga rreziqet që mund t’i vinin nga deti.

Qyteti antik i Albanopolit

Ndodhet pranë fshatit Zgërdhesh, pranë km të 3-të të rrugës Fushë Krujë – Krujë. Për herë të parë qytetin e përmend gjeografi Klaud Ptolemeu, në shekullin II pas Krishtit. Një ekspeditë arkeologjike shqiptare në vitin 1969 evidentoi pjesë muresh dhe disa kulla dhe furra qeramike që i përkisnin një harku shumë të gjatë kohor: nga fillimi i epokës së hekurit deri në shekullin IV pas Krishtit. Qyteti antik ndahet në dy pjesë: Akropoli dhe qyteti i poshtëm. Sipërfaqja e mbuluar prej tij arrin në afër 10 hektarë.  Qyteti duket se është braktisur gjatë dyndjeve të fisve sllave në shekujt V-VI-të pas krishtit. Banorët e tij mund të jenë themeluesit e kështjellës së Krujës që ishte më e mbrojtur lart në male.

Kështjella e Krujës

Kështjella e Krujës është një fortifikim i shekullit të XIII. Ajo është riparuar një shekull më pas nga Karli I Anzhu dhe nga princi shqiptar Karl Topia. Pamjet që shohim sot nga kështjella janë fortifikimet më të fundit ato të kryera nga Gjon dhe Gjergj Kastrioti, Skënderbeu. Kështjella ka një hyrje monumentale të ruajtur në gjendje të mirë. Hera-herës vetë shkëmbi mbi të cilin është ndërtuar kështjella zëvendëson muret e saj rrethuese.  

Emri Krujë mendohet se vjen nga fjala e vjetër shqip “krua”, burim. Brenda kalasë në vitin 1982 është ndërtuar muzeu kombëtar i Skënderbeut. 

Kulla e Sahatit

Në oborrin e kalasë është një tjetër monument interesant. Sahati ka qenë funksional deri në vitet e Luftës së Parë Botërore.

Kalaja e Skënderbeut

Është ndërtuar me mbështetjen e venecianëve në majë të Kepit tëë Rodonit që njihet edhe si Bishti i Muzhlit. Një pjesë e mureve të saj rrethuese tashmë ndodhen në ujë si pasojë e proçeseve të erozionit. Është restauruar pjesërisht në vitin 2008.

Kalaja e Ishmit

Është ndërtuar pas shekullit të 15 dhe ka shërbyer për vendosjen e garnizonit ushtarak dhe si vendbanim për familjet.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/