DURRES– Kalesat e paligjshme mbi trasenë hekurudhore janë kthyer shpeshherë në burim aksidentesh në qytetin e Durrësit dhe rrethinat e tij. Rasti më i fundit është regjistruar një ditë më parë në lagjen nr.14 të qytetit.

Një furgon fëmijësh u përplas mëngjesin e së premtes me trenin e linjës Durrës-Tiranë, në një nga mbikalimet e kthyer në mollë sherri mes Bashkisë së Durrësit dhe Hekurudhave Shqiptare,- raporton e përditshmja “Shqip”

Dëmet në jetë njerëzore fatmirësisht munguan, por alarmojnë sërish mbi rrezikun e lëvizjes në vendet ku shinat kryqëzohen me rrugët automobilistike. Drejtori i Infrastrukturës në Hekurudhën Shqiptare, Edmond Dobi, tha për gazetën “Shqip” se do të kërkohet nga Inspektorati Ndërtimor ta prishë kalesën në rrugën Dogana tokësore e Shkozetit-Plazh, ku ndodhi incidenti, sepse është e paligjshme.

Incidenti u shoqërua vetëm me dëmtim të furgonit dhe asnjë lëndim njerëzor, falë shpejtësisë së ulët me të cilën lëviznin mjetet.

Mbikalimet e paligjshme, prej kohësh kanë krijuar raste aksidentesh në qytetin e Durrësit, pasi një pjesë e mirë e rrjetit hekurudhor kalon mes për mes zonave të banuara. Për të shkurtuar rrugën, kalimtarët dhe automjetet përshkojnë çdo ditë kalesat e paligjshme të hapura në pjesë të caktuara përgjatë trasesë hekurudhore.

Megjithëse gjatë viteve të fundit janë kryer aksione të shumta për mbylljen e tyre ato sërish janë rihapur nga banorët e zonave përreth që me këtë veprim vënë jo pak në rrezik jetët e tyre.