Jose Serrano, ish-ministri i Brendshëm i Ekuadorit dhe ish-drejtues i parlamentit të këtij vendi pritet të dalë përpara një gjykate në SHBA pasi u arrestua në këtë vend me dyshimet se kishte shkelur vizën.
Ndërkohë, Serrano kërkohet në vendin e tij pasi dyshohet se ka qenë njeriu pas planit për të vrarë kandidatin presidencial Fernando Villavicencio.
Në pritje të seancës që do vendosë për deportimin e tij, ai ka kërkuar azil politik në SHBA.
Sipas avokatit të tij, Serrano ka deklaruar se ka dhënë informacione në SHBA ndër të tjera edhe për mafien shqiptare.
“Tre ditë pasi mbaroi mandati i tij si kongresmen, z. Serrano udhëtoi për t’u takuar me zyrtarë amerikanë për të diskutuar korrupsionin në Ekuador.
Që nga biseda e tyre e parë, z. Serrano ishte një dëshmitar vullnetar, i padetyruar, pa akuza penale, pa urdhër gjykate apo imunitet të çfarëdo lloji.
As nuk ishte informator i paguar. Ai ishte dhe mbetet një dëshmitar shumë i besueshëm dhe i vlefshëm për interesin kombëtar të SHBA-së”, tha një avokat i ish-ministrit dhe ish-kryeparlamentarit.
Sipas dokumenteve të publikuara, José Serrano ofroi “informacion të vlefshëm” në lidhje me kontrollin, ndikimin dhe lidhjet e mafies shqiptare me zyrtarët e korruptuar ekuadorianë, veçanërisht në lidhje me trafikun e drogës në shkallë të gjerë.
Për shkak të këtij bashkëpunimi, arrestimi i José Serrano, pikërisht në pragun e tij, e zuri në befasi, sipas avokatit të tij aktual, Robert Sheldon.
“Është pothuajse një tradhti. Ai ndihmoi Shtetet e Bashkuara, është shumë i frustruar; bashkëpunoi me autoritetet dhe tani ata duan ta deportojnë në Ekuador.
Ai besonte plotësisht te Shtetet e Bashkuara dhe ligjet e tyre për ta mbrojtur atë dhe tani shikoni çfarë po ndodh”, tha Sheldon.
Seanca gjyqësore për ish-ministrin do mbahet më 29 shtator në Majemi të SHBA.





