DURRES – Në ditën ndërkombëtare të kancerit Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe mjekët në të gjithë botën i bëjnë apel popullatës për t’u treguar e vëmendshme në zbulimin, trajtimin dhe parandalimin e sëmundjes vdekjeprurëse.
Sëmundja e kancerit, megjithë përparimet e mjekësisë modern vazhdon të marrë ende miliona jetë njerëzore çdo vit. Për këtë arsye theksohet se njerëzit mund të rrisin shanset për shmangien e sëmundjes nëse nuk pinë duhan, nuk janë mbi peshë, bëjnë aktivitet sportiv çdo ditë, hanë fruta dhe perime dhe pinë sasi të kontrolluar të alkoolit.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Shëndetësisë në Durrës, Kristo Huta, shprehet për Durrëslajm.com se “parandalimi i sëmundjes është mënyra me kosto efektive dhe më eqëndrueshme për të zvogëluar barrën e kancerit në afat të gjatë”.
Kanceri është tani për tani sëmundja e dytë përsa i përket vdekshmërisë në vendin tonë dhe tendenca e viteve të fundit ka treguar se numri i vdekjeve nga kjo sëmundje është në rritje. Nga kanceri vdesin 17% e të sëmurëve në total, prandaj mjekët rekomandojnë parandalimin e sëmundjes dhe kurimin e saj që në momentet e para të shfaqjes.
Sipas dr. Kristo Huta kujdesi paliativ, një shërbim që duhet t’i ofrohet jo vetëm të sëmurëve nga kanceri, por edhe familjarëve të tyre është një shërbim relativisht i ri në Shqipëri. “Më shumë se 60% e popullsisë nuk marrin kujdes paliativ. Nuk është shërbim me shtretër dhe jepet kryesisht për pacientët terminal me kancer”,- thotë ai.
Në një prezantim që dr. Huta bëri sot në Ministrinë e Shëndetësisë me rastin e ditës ndërkombëtare të kancerit theksoi se hartimi i Strategjisë afatgjatë për kujdesin paliativ në vendin tonë është i një rëndësie primare.
Qëllimi i kujdesit paliativ është që të sigurojë kujdes kompleks të orientuar drejt nevojave të pacientit dhe familjes, me anë të një ekipi multidisiplinar. Shtrirja e shërbimeve të kujdesit paliativ i adresohet një sërë nevojash fizike, psikologjike/emocionale shpirtërore, sociale të pacientëve dhe familjeve para dhe pas vdekjes.
Krahas kësaj mjaft e domosdoshme sipas Hutës është “përgatitja e një kuadri ligjor apo nënligjor që lidhet me identifikimin e pacientëve që kanë nevojë për kujdesin paliativ; me mënyrën e ofrimit të këtij kujdesi dhe me trajnimin e profesionistëve shëndetësorë për kujdesin paliativ”.
Shkaktarët e kancerit
– Politikat globale, rajonale dhe nacionale dhe programet që promovojnë jetesen e shëndetshme mund të zvogëlojë ndjeshëm kanceret që janë të shkaktuara nga faktorët e riskut të tilla si alkooli, dietat e dobta dhe inaktiviteti fizik.
– Përdorimi i duhanit është vlerësuar të vrasë një miliard njerëz në shekullin e XXI-të. Pra, përdorimi i duhanit, është vlerësuar shumë i rrezikshem, sepse është i lidhur me 71% të vdekjeve nga kanceri i mushkërive dhe llogarit të paktën 22% të të gjitha vdekjeve nga kanceri.
– Infeksionet kronike janë vlerësuar të shkaktojë rreth 16% të të gjithë kancereve në nivel global, me nje shifër në rritje me gati 23% në vendet në zhvillim. Disa prej kancereve më të zakonshme të tilla si kanceri i mëlçise, te qafës së mitrës dhe te stomakut janë të lidhur me infeksionet me virusin e hepatitit B (HBV),me human papillomavirus (HPV), dhe Helicobacter pylori (H.). Si pasojë, futja e vaksinave të sigurta, efektive dhe të përballueshme duhet të zbatohet si pjesë e planeve kombëtare të kontrollit të kancerit
– Ekspozimi kundrejt një game të gjerë të shkaqeve ambjentale të kancerit në jetën tonë personale dhe profesionale, duke përfshirë ekspozimin ndaj ajrit te ndotur, rrezatimit dhe rrezeve te tepërta te diellit janë edhe shkaqet kryesore të parandalueshme te kancerit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se kanceri ka marrë rreth 7.6 milionë jetë në vitin 2008 dhe shumica e vdekjeve janë konsideruar të parakohshme.





