Parandalohet një ngjarje e rëndë kriminale brenda familjes në Tiranë, ndërsa në pranga kanë rënë babë e bir.

Sipas njoftimit të policisë, shkak është bërë një pronë, për të cilën babë e bir, shtetasit me inicialet G. J., 59 vjeç dhe G. J., 27 vjeç, të dy banues në Tiranë janë konfliktuar me shtetasin me inicialet F. J. (vëllai i 59-vjeçarit). Gjatë kontrollit në banesën e tyre, u gjet arsenal armësh.

NJOFTIMI I POLICISË:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Gate”, për parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale. Falë ndërhyrjes në kohë dhe veprimeve profesionale nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, parandalohet përshkallëzimi i një konflikti për motive pronësie mes dy vëllezërve. Vihen në pranga një 59-vjeçar dhe djali i tij, pasi kanosën për motive pronësie, familjarin e tyre (vëllanë e 59-vjeçarit).

Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu, 3 granata, 3 ndezës granatash, krehra dhe municion luftarak i llojeve të ndryshme. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit për një konflikt për motive pronësie, mes dy vëllezërve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Gate”, për parandalimin e përshkallëzimt të konfliktit.

Gjatë këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve G. J., 59 vjeç dhe G. J., 27 vjeç (babë e bir), të dy banues në Tiranë. Këta dy shtetas janë konfliktuar dhe kanë kanosur për motive pronësie, shtetasin F. J. (vëllai i 59-vjeçarit). Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu, 3 granata, 3 ndezës granatash, krehra dhe municion luftarak të llojeve të ndryshme. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.